Fshati libanez që shpreson për të mirën, por përgatitet për të keqen

fshati libanez qe shpreson per te miren por pergatitet per te keqen

11:25 05/11/2023

Banorët e fshatit Rmeich druhen se mund të përfshihen në luftë pas konflikti Izrael-Hamas

Në kufirin e Libanit me Izraelin, banorët e fshatit Rmeich i druhen luftës për shkak të një përkeqësimi të mundshëm të marrëdhënieve midis grupit libanez Hezbollah dhe Izraelit.

I vendosur vetëm disa kilometra nga kufiri, banorët e këtij fshati kanë qënë dëshmitarë të  përleshjeve përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, forca dominuese në jug të Libanit.

Gjysma e banorëve të fshatit janë larguar që kur filluan luftimet në kodrat aty pranë.

Fshati, së bashku me pjesën tjetër të Libanit, po ndjen efektet e shkaktuara nga konflikti që shpërtheu rreth 200 km larg mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, që është aleat me grupin Hezbollah.

E shpallur nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollah ka pranuar se është i armatosur dhe i financuar nga Irani.

Ky grup po ashtu ka një aparat të inteligjencës për të kontrolluar zonat e veta në jug të Bejrutit dhe jug të Libanit, si dhe në zonat kufitare me Sirinë.

Ndërkohë, këta banorë që kanë vendosur të qëndrojnë në fshatin Rmeich duket se nuk dëshirojnë të diskutojnë për krizën që ka sjellë konfliktin në pragun të shtëpisë së tyre, duke u përpjekur të  bëjnë një jetë  sa do pak normale në fshat.

“Gjysma e banorëve në fshat shkuan në Bejrut, kishin frikë nga mbyllja e rrugëve, sot rrugët nuk janë mbyllur akoma, banorët u ngjitën dhe korrën ullinj dhe u kthyen, ne ndjejmë, deri në një farë mase nuk kam. Dua ta them me bindje të plotë, por situata është e qëndrueshme, ka një farë stabiliteti.”

Rmeich është një nga shumë fshatra të krishterë pranë kufirit me Izraelin në jug të Libanit. Gjatë luftës së vitit 2006, rreth 25,000 njerëz nga qytetet e vendit gjetën strehim në këtë fshat.

“Ne e dimë se asgjë nuk do të ndodhë në fshat, dashtë Zoti. Kjo është situata deri tani, për sa kohë që jemi këtu, do të vijojmë të jetojmë në fshat. Ne nuk duam luftë, jemi një fshat paqësor.”

“Ne kurrë nuk kemi pasur frikë nga luftërat, kemi lindur në luftëra  kemi jetuar dhe jemi ende në luftë, nuk do të iki çfarëdo që të ndodhë. Nuk do të largohem nga shtëpia, nuk do ta braktis vendin tim, ne do qëndrojmë, kemi lindur, kemi jetuar dhe do të vdesim këtu”.

Kujtimet e konfliktit të vitit 2006 janë ende të freskëta. Banorët të Rmeich dhe organizatat jo fitimprurëse kanë ngritur një spital të improvizuar në një shkollë, në rast se përleshjet midis Hezbollahut dhe Izraelit deri më tani të fokusuara kryesisht në zonat në kufi do të përkeqësohen.

“Këtu kemi ngritur një repart mjekësor për të trajtuar rastet e urgjencës, bazuar në përvojat tona nga lufta e vitit 2006.”

Ndryshe nga zonat përreth, në Rmeich nuk ka asnjë shenjë të flamurit të Hezbollahut.

Duke shmangur çdo kritikë ndaj Hezbollahut, kryebashkiaku i Rmeich, Milad Al Alam thotë se ushtria libaneze duhet të jetë forca e vetme ushtarake në Liban, një pikëpamje e shprehur nga kundërshtarët e Hezbollahut, të cilët thonë se arsenali i saj ka minuar shtetin.

“Gjatë luftës së Gushtit të vitit 2006, që nga ora e parë e luftimeve, ata i  prenë të gjitha rrugët, kështu që njerëzit kanë qëndruar këtu deri në ditën e 17, derisa kanë mundur të largohen nga fshati dhe nuk kanë pasur asgjë si ushqime apo ilaçet, ata nuk ishin të përgatitur për atë luftë.”

Lufta e Libanit e vitit 2006, e njohur në Liban si Lufta e Korrikut ishte një konflikt ushtarak 34-ditor.

Konflikti u nxit nga sulmi ndërkufitar i Hezbollahut në vitin 2006. Më 12 Korrik 2006, luftëtarët e Hezbollahut hodhën raketa në qytetet kufitare izraelite. Ata i zunë pritë një kolone ushtarake. Prita la tre ushtarë të vdekur. Dy ushtarë izraelitë u rrëmbyen dhe u dërguan nga Hezbollahu në Liban ndërsa pesë të tjerë u vranë. Hezbollahu kërkoi lirimin e të burgosurve libanezë të mbajtur nga Izraeli në këmbim të lirimit të ushtarëve të rrëmbyer. Izraeli refuzoi dhe u përgjigj me sulme ajrore dhe zjarr artilerie mbi objektivat në Liban.

Konflikti filloi më 12 Korrik 2006 dhe vazhdoi derisa një armëpushim i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara hyri në fuqi në mëngjes më 14 Gusht 2006, megjithëse zyrtarisht përfundoi më 8 Shtator 2006 kur Izraeli hoqi bllokadën detare të Libanit.

Por edhe pas asaj lufte, ky fshat në Liban nuk ka ende asnjë strehë apo plan zyrtar evakuimi për 4,500 banorët e tij të mbetur nëse lufta intensifikohet.

“Nuk ka asnjë strehë në Rmeich, asnjë qytetar nuk ka, kështu që sot kemi vetëm një kat nëntokë ku  mund të strehoen 10 deri në 15 persona, por nuk ka asgjë që mund të mbrojë 4500 persona dhe ky është një nga problemet e qeverisë. Nëse qeveria dëshiron që ne të jetojmë, duhet të na sigurojë strehim.”

Megjithatë , ka banorë që pavarësisht sulmeve pranë kufitit thonë se  fshati nuk do të  sulmohet.Të tjerë bëjnë gjithçka për të qëndruar të sigurt.

Për shkak të sulmeve ajrore, të kësaj situate të frikshme, ne nuk kemi qëndruar brenda shtëpive tona, ne ulemi këtu, është pak më e sigurt.

Situata gjeopolitike po rëndon edhe mbi ekonominë lokale, duke shtuar vështirësitë për njerëzit që ende vuajnë efektet e kolapsit financiar të Libanit të katër viteve më parë.

Por teksa fermerët mundën të mbledhnin të korrat e këtij viti, ata shqetësohen nëse do të mund të mbjellin gjatë vitit të ardhshëm. Për vendasit ekonomia është e paralizuar.

Libani nuk mund të përballojë një luftë tjetër midis Hezbollahut dhe Izraelit dhe këtë shkruajnë mediat e huaja grupi Hezbollah është i vetëdijshme prandaj po planifikon me kujdes hapat e ardhshëm.

Kostot e çdo lufte janë të mëdha në një vend që tashmë po vuan një nga fazat më destabilizuese që nga lufta e tij civile e viteve 1975-1990.

Klan News




fshati libanez qe shpreson per te miren por pergatitet per te keqen

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts