FSHF në siklet/ Zbardhen prapaskenat para ndeshjes së Kupës me Partizanin, Vllaznia refuzon arbitra nga… Tirana (EKSKLUZIVE)









Polemikat për gjykimin në ndeshjen e parë gjysmë finale të Kupës së Shqipërisë, Partizani-Vllaznia, e luajtur më 31 mars në “Elbasan Arena”, e kanë vendosur në një siklet të madh FSHF-në për caktimin e arbitrave në prag të sfidës së kthimit që do të luhet nesër në orën 17:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

FOTO LSA

“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në institucionin e futbollit se sektori i gjykimit ka marrë së fundmi në një kërkesë nga Vllaznia për mospërfshirjen në këtë ndeshje të arbitrave nga kryeqyteti.

“Për të shmangur çdo paragjykim nuk duam që në këtë takim të kemi arbitra nga Tirana”. Është ky mesazhi që klubi i Vllaznisë u ka dhënë drejtuesve të sektorit të gjykimit në prag të ndeshjes që do të vendosë se cili prej ekipeve do të kualifikohet në finalen e Kupës.

Por pse FSHF është në hall? Nga të njëjtat burime mësohet se sektori i gjykimit, duke parë rëndësinë e takimit, kishte menduar që të dërgonte në Shkodër vetëm arbitra që kanë stemën e FIFA-s. Nga treshja e kryesorëve, gjithnjë nëse merrej parasysh kërkesa e Vllaznisë, “digjej” vetëm Juxhin Xhaja, i cili është pjesë e Kolegjiumit të Tiranës.

Nga ana tjetër, Enea Jorgji dhe Eldorian Hamiti janë të kolegjiumeve të Elbasanit dhe Lezhës. Por, edhe i pari “digjet” nga mundësia për të arbitruar Vllaznia-Partizani, pasi është kontestuar fuqishëm nga drejtuesit e kuq, madje edhe kur u rikthye të gjykonte “demat” pas 9 muajsh.

Më 26 shkurt të këtij viti në Partizani-Dinamo 0-0, menjëherë pas ndeshjes drejtori i klubit, Olsi Rama, shpërtheu në akuza ndaj Jorgjit. Kësisoj, gjasat që elbasanasi të gjykojë nesër në Shkodër janë shumë të pakta edhe prej precedentit të sezonit të kaluar, kur një penallti e akorduar nga Jorgji në Partizani-Vllaznia 0-1 vendosi për titullin kampion.

Por, sikur të mos mjaftojë kjo situatë, ka një ngërç edhe me arbitrin tjetër të FIFA-s, Hamiti. Ky i fundit kontestohet nga Vllaznia dhe prandaj sektori i gjykimit është në siklet për emrin e kryesorit që do të jetë nesër në fushë për të vendosur drejtësi.

Ka më pak se dy javë që goli i anuluar i Aralicës në fundin e lojës në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, shkaktoi polemika të mëdha, prandaj dhe FSHF kërkon të caktojë një emër që ka edhe konsensusin e të dyja klubeve.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.