Fundjava që rifreskoi qëndrimet e Petro Koçit për tenderët/ Deklarata konfuze e ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes pas dëshmisë në SPAK








MARIGLEN KUME/ Dy ditët e fundjavës që lamë pas duket se kanë qenë vendimtare për deputetin e zgjedhur të PS-së në Fier, Petro Koçi, për t’i bërë një rifreskim ideve të tija në lidhje me denoncimet se mafia lokale në Fier ka futur duart në tenderë. Fillimisht drejtuesi i komanduar i PS-së në Fier, Petro Koçi, më 16 korrik publikoi një status në “Facebook” ku i bënte thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që të hetonte edhe tenderët që jepte Bashkia e Fierit, pasi sipas tij mafia lokale ka futur duart në paratë publike përmes tenderëve dhe i fitonte ato në disa mënyra sipas tij.

Ose duke pasur njohje me zyrtarët e institucioneve në Bashkinë Fier, e cila drejtohet nga kryebashkiaku socialist, Armando Suabashi, ose duke iu bërë presion të drejtpërdrejtë firmave konkurrente. Pas kësaj deklarate të deputetit të zgjedhur, SPAK-u lajmëroi se ka nisur verifikimin e deklaratave të Koçit, ndërkohë që ditën e premte,  e thirri që të dëshmonte në Prokurorinë e  Posaçme. Ndërkohë, paralelisht eksponent të PS- së në Fier reaguan kundër deklaratave të Petro Koçit.

Fillimisht, ishte ish-drejtori i Kadastrës Fier dhe më pas kryetari i Partisë Socialiste në rajonin numër dy në Fier, Fatjon Elezaj, të cilët dolën  kundër kryetarit të komanduar të PS-së në Fier. Thirrja për të dëshmuar në SPAK dhe kundërvënia e socialistëve në Fier duket se kanë  bërë që të reflektojë dhe të gjejë tjetër fajtor deputetin e zgjedhur Petro Koçi. Dje, pasi doli nga SPAK-u, Koçi tha se në zgjedhjet e fundit eksponent të krimit të organizuar bashkëpunuan me  Lëvizjen Socialiste për Integrim për të ndikuar në zgjedhje. Ndërkohë, po në të njëjtën deklaratë më pas, Koçi u shpreh se ata që kanë lidhje me botën e krimit, pasi faktet kanë treguar se e kanë më të letë për t’u futur në administratën e Bashkisë në Fier. Kujtojmë që Bashkia drejtohet nga socialisti, Armando Subashi.

DEKLARATA E PETRO KOÇIT, MË 16 KORRIK

“Efektet e SPAK-ut dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndiejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier, ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë  kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publikë. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet  kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet, si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në  procesin e tenderimit, duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke larë paratë e  pista në industrinë e ndërtimit, ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës  së krimit të organizuar”.

REAGIMI I ISH-KREUT TË KADASTRËS FIER, ERVIN BUSHI 

“Me vjen ndot kur thua se indikator për humbjen e mandateve apo rezultatin e arritur ne zgjedhje ka qenë performanca e ASHK-se Fier! Turp për ty të mohosh rezultatet e punës kolosale të ish-Drejtorisë se Aluiznit dhe ASHK-se aktuale Fier! Sa keq me vjen kur mohon totalisht të vërtetën dhe thua qe ASHK-ja Fier ka pasur performancë të ulët! Ti zotëri i sjell ne krye te partisë ne Fier dhe e di mire qe ne  2013 Aluizni ka filluar punën vetëm me 800 dosje te legalizuara nga paraardhësit dhe tani meqenëse nuk e di, po  ta them se e kemi c’uar ne 21.000 numrin e banesave te legalizuara.

Meqë unë kam qenë drejtuesi i këtij institucioni që prej 2013-ës deri me janar të vitit 2021, më takon  mua të t’i bëj të qarta disa gjëra, meqë e keqja na paska ardhur nga ASHK-ja sipas konceptit tënd! Institucioni i Aluiznit dhe aktualisht ASHK Drejtoria Vendore Fier përgjatë viteve, nën drejtimin tim është udhëhequr nga parimet  themelore institucionale, duke respektuar ligjin dhe zbatuar atë ashtu siç duhet, pa i hyrë në hak askujt që i takon- te prona, duke i legalizuar apo certifikuar të gjitha ato  prona që lejonte ligji, por ama pa bërë me pronë atë, të cilit ligji nuk i jep të drejtë të bëhet pronar! Nën drejtimin tim përgjatë këtyre viteve, këto institucione janë drejtuar duke u bazuar në korrektësi dhe pa bërë diferenca midis asnjë qytetari qoftë ky i majtë apo i djathtë, pasi institucioni ka detyrimin t’i shërbejë të gjithë qytetarëve, të cilët gëzojnë një të drejtë legjitime tek institucioni!

Për këtë arsye, ju siguroj se çdo qytetar është pritur dhe sqaruar për çdo problem me devotshmëri, korrektësi dhe seriozitet! Në këto vite, drejtimi im në këto institucione është bazuar në vlera të larta morale, sepse unë zyrën e institucionit shtetëror e kam parë përherë si të shenjtë dhe e kam ushtruar këtë funksion me korrektësi maksimale dhe përgjegjësi. Unë i  kam shërbyer detyrës pa cenuar askënd dhe pa përfolur askënd! Drejtoria e ASHK-së Fier deri në janar të vitit 2021, kur unë u largova nga ajo detyrë, është cilësuar si model për arritje të rezultateve, të cilat e kanë renditur atë të parën apo të dytën ne rang Republike dhe ky është fakt i dokumentuar dhe publikuar, por këtë e kanë dëgjuar vetëm ata që kanë dashur ta dëgjojnë dhe e kanë lexuar vetëm ata që kanë dashur ta shohin! Kuptohet, ti je ai qe s’ke dashur as ta dëgjosh e as ta shohësh rezultatin”.

REAGIMI I FATJON ELEZAJT, KRYETAR I PS RAJONI NR. 3 FIER:

“Miqtë e mi, dua të sqaroj se kjo fushatë nuk ishte aspak normale për shkak të situatës që u krijua nga COVID-19, por për një gjë jam shumë i sigurt. Në sinqeritetin e çdo kryetari të OS-ve dhe të çdo anëtari të PS-së për punën e bërë. Gjithashtu, dua t’ju them se ne ishim pa kryetar të PS-së për Bashkinë Fier, pasi kryetari i emëruar në krye të PS-së pas daljes së listës, nuk indinjoi as për një falënderim ndaj asamblesë së qytetit apo anëtarësisë. Dua t’ju bëj me dije se ne çdo takim që ne patëm kryetari i emëruar i PS-së nuk mori pjesë as për të thënë 2 fjalë e as për të mbështetur Partinë Socialiste, apo ne si përfaqësues të saj. E gjithë fushata u menaxhua nga drejtuesi politik i Qarkut, z. Gramoz Ruçi, dhe nga kryetari i Bashkisë z. Armando Subashi.

Të gjithë ne bëmë të pamundurën për të fituar sa më thellë me të gjithë anëtarët, me të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët nuk hiqnin dot dorë nga vota individuale. Ju zoti deputet i zgjedhur nuk mund të  flisni në emër të PS-së, Fier por të njësive, të cilat ju mbuloni si deputet, pasi ju Fierin e braktisët sapo doli lista e  kandidatëve për deputetë. Morët njësitë tuaja dhe as nuk  u kujtuat se ishit kryetar i emëruar i PS-së. Ekipet e Par- tisë Socialiste treguan se janë më të forta se ato të 1997- 2005, duke siguruar mandatin e 3-të radhazi me kryetar- in e tyre dhe me qëndrimin që ka pasur Partia Socialiste  në tërësi.

Ju po vazhdoni të tentoni të përçani Partinë Socialiste Fier, duke shkruar nëpër rrjetet sociale. Ne socialistët e Fierit, si të gjithë socialistët e Shqipërisë, kemi punuar fort për kandidatët tanë për kryetar Bashkie dhe deputet. Ne socialistet jemi të sigurt se Partia Socialiste është partia e së drejtës dhe e vetmja forcë politike që bën  shtet dhe drejtësi. Ne e mirëpresim drejtësinë mbi këdo që ka abuzuar në çdo qytet të Shqipërisë dhe në Fier, por kurrë nuk i përçajmë radhët tona duke ngritur akuza të pabaza ose akuza për të cilat ne nuk jemi të sigurt.

Ju zoti kandidat brenda 3 ditëve keni reagime të ndryshme, të cilat na habisin dhe neve. Me këtë që keni bërë ju zoti  deputet i zgjedhur keni treguar se interesat tuaja person- ale janë më të mëdha se qyteti ynë. Me qëndrimin tuaj  keni treguar se nuk e doni as Fierin dhe as Partinë Socialiste. Ne nuk e lejojmë kurrë përçarjen e Partisë Socialiste.  Së fundmi, dua të falënderoj të gjithë të deleguarit që përfaqësuan denjësisht Rajonin Nr. 2 për zgjedhjet e vitit 2021, të gjithë kryetarët e OS-ve, të gjithë anëtarët e PS-së dhe t’ju them, ju zoti deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste se ne nuk jemi mësuar ta tradhtojmë PS-në, se PS-ja është dhe do të jetë gjithmonë para çdo interesi personal timit dhe tonit.

Petro Koçi dëshmon në SPAK: Njerëz të botës së krimit të lidhur me LSI ndikuan në zgjedhje

Në një deklaratë për  gazetarët jashtë ambienteve të SPAK-ut, deputeti i PS-së është shumë i bindur për ndikimin që ka  bota e krimit në qarkun e Fierit në financat publike ose përmes lidhjeve të drejtpërdrejta, ose duke  kërcënuar zyrtarë të caktuar, ndaj edhe organet kompetente sipas tij, duhet të  hetojnë. “Ju e dini që bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën, mund t’ju them edhe rastet e fundit kur të tillë në marrëdhëniet me  LSI-në edhe ndikuan në rezultatet zgjedhore”, tha deputeti Koçi, ndërsa theksoi se ka një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me drejtësinë.

Petro Koçi pohoi se qëndrimet e tij nuk janë për të  larë hesape me politikanë të caktuar, por që të marrë fund ndikimi i botës së krimit dhe trafikantëve në  vendimmarrjet zyrtare. Deputeti maxhorancës nuk  përmendi përsëri asnjë emër të ndonjë personi të lidhur me botën e krimit dhe që ka në duar tenderët publikë të qarkut të Fierit. Ish-ministri foli gjithashtu edhe për zyrtarë të kërcënuar nga bota e krimit në qytetin e Fierit, por pa përmendur emra.

Petro Koçi u pyet për 45 minuta nga prokurori Vladimir Mara, ndërsa nuk ka asnjë  informacion nëse në deklarimet e përpara tij, Petro Koçi ka dhënë emra konkretë që kanë ndikuar në tenderë dhe marrë para publike. Po ashtu, Koçi nuk përmendi asnjë fushë se ku janë zhvilluar këto  prokurime apo institucionet që janë ndikuar nga eksponentët e botës së krimit, duke mos shprehur as- gjë në këtë drejtim.

Deklarata për mediat: Pyetje-përgjigje

Në Fier është një botë goxha e konsoliduar e krimit që kanë pastruar paratë në industrinë e… A keni emra? 

Unë jam një nga politikanët që kam guxuar dhe kam bërë edhe kallëzime penale disa herë. Gjatë fushatës, e mbani mend që denoncova një gjyqtar që një  nëpunësi të “Albpetrol”-it i kishte dedikuar rreth gjysmë miliardi lekë për një shkarkim nga puna, e mesa di ky gjyqtar është shkarkuar. A mund të flasim për emra konkretë  kriminelësh që kanë marrë fonde publike? Unë jam politikan dhe e ndiej që bota e krimit në Fier është goxha me influencë, kështu që mendoj që ky sensibilizim është shumë i nevojshëm për një qark që ka shumë nevojë për më shumë pastërti në veprimtarinë publike.

A ndikohet bota e krimit në Fier nga politika? 

Ju e dini që bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën, mund t’ju them edhe rastet e fundit kur të tillë në marrëdhëniet me LSI-në edhe ndikuan në rezultatet zgjedhore.

Aktualisht ndikon?

Në zgjedhjet e fundit ndikuan. Për rastet të cilat kam denoncuar dhe konkretisht i ripërmenda vlen për të theksuar që kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me drejtësinë.

A folët për emra konkretë politikanësh që janë të lidhur me krimin e  organizuar në qarkun e Fierit? 

Unë jam politikan nuk zëvendësoj organet e tjera shtetërore.

Për sa kohë pranoni që ka një lidhje krim-politikë, folët për emra konkretë?

Qëndrimet e mia nuk janë për të larë hesape me asnjë politikan, ne duhet të lajmë hesape e botën e krimit s’duhet ta lejojmë që të vijojë të jetë me influencë në jetën publike dhe në vendimmarrjet zyrtare. Ajo që  kam thënë se ata ndikojnë dhe në financat publike, ose përmes lidhjeve të drejtpërdrejta ose duke kërcënuar zyrtarë, është një gjë për të cilën jam shumë i bindur  dhe që duhet të konkretizohet në veprimtarinë e organeve ligjzbatuese.

Kush është zyrtari i kërcënuar?

Jam i bindur për atë që thashë, por edhe nga fakti që shumica e zyrtarëve në Fier nuk e kanë mirëpritur  deklaratën time, tregon që ajo është e vërtetë. Ajo dhemb për disa. Nuk dhemb për PS-në. PS-ja ka 8 vite në pushtet.

Ka 8 vite, do bëjë 12, ndoshta 16. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra  dhe i janë përkulur presioneve të krimit. Media ka  bërë shumë akuza dhe referime konkrete, për çdo gjë konkrete kam kurajën të bëj kallëzim penal.

A dhatë emra konkretë?

Jam shumë i qartë. Unë jam denoncues politik dhe publik dhe këtë gjë do ta  bëjë sërish. Unë kam sqaruar edhe publikisht që në  radhë të parë deklarata ime ka lidhje me nxitjen e efekteve pozitive. Po nxis veprimtarinë e organeve ligjzbatuese dhe po inkurajoj Reformën në Drejtësi.

Fakti që nuk jep emra do të thotë që edhe ju vetë keni frikë nga bota e krimit?

Jam një politikan që kam  dëshmuar që kam kallëzuar penalisht subjekte të  ndryshme. Nuk jam as prokuror as gjyqtar, por kam një përvojë si ish-ministër dhe për këto që fola  jam i bindur që janë të vërteta. Emrat, kërkojnë që të kesh dokumente konkrete, unë nuk jam hetues. Fakti që njerëzit e kësaj bote hyjnë më kollaj në punë se sa njerëzit e thjeshtë, tregojnë se janë me influencë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *