Funksionon plani B, Reali është i uritur. Ja përse titulli mund të fitohet



Dëmtimet e shumta, por edhe tri ndesh jet e njëpasnjëshme Liverpul-Barcelona-Liverpul e detyruan trajnerin Zinedin Zidan që kundër Eibarit të bëjë rrotacion dhe t’u besojë futbollistëve të stolit. Gjatë gjithë këtij sezoni është kritikuar shumë që luan me të njëjtët futbollistë, por francezi sapo ka prezantuar planin “B”.

REAL MADRID

Kanë qenë pikërisht këto rrotacione dhe menaxhimi i minutave për të gjithë skuadrën që sollën lavdinë në vitet e mëparshme dhe Zizu duket se do të bëjë të njëjtën gjë edhe këtë sezon. Trajneri e kishte pranuar se lojtarët e stolit nuk po jepnin më të mirën në fushë dhe për këtë arsye po luante vetëm me një bllok futbollistësh për të shmangur dramat e shumta në fushën e lojës. Por, situata ka ndryshuar dhe trajneri ka reflektuar. Ai iu besoi katër lojtarëve si Marselo, Isko, Militao dhe Asensio. Ishin risi në formacionin titullar, por e kaluan provën me sukses dhe bindën. Por nuk është vetëm kjo, sepse ata treguan në fushë që mund të luajnë edhe ditën e nesërme kundër Liverpulit në Ligën e Kampionëve.

Zidanit i pëlqeu loja e tyre dhe sigurisht që mund t’u besojë sërish. Marselo u rikthye të luante 53 ditë më vonë dhe rendimenti i tij ishte ai që tërhoqi vëmendjen. Braziliani nuk ka pasur një rol fiks në formacion dhe ka vuajtur shumë prej dëmtimeve. Por luajti mirë në një pozicion më të avancuar dhe mori elozhet e Zidanit. Asensio, gjithashtu shkëlqeu në rikthimin e tij si titullar. Shënoi një gol dhe tani janë tre në 3 ndeshjet e fundit. Ai është një lojtar që shënon shumë dhe Reali po e pret me padurim. Isko ishte një tjetër lojtar stoli që shkëlqeu si titullar kundër Eibarit. Mesfushori i dha qartësi ekipit me pasimet e tij duke bashkëpunuar me Kasemiron dhe Modriçin. Kjo është një arsye më shumë për të shtuar besimin e tij në këtë sezon të komplikuar. Militao është ai që konfirmon “pokerin” e lojtarëve të stolit.

real madrid

BENZEMA – Nëse të tjerët janë risi, ecuria fantastike e Karim Benzemasë nuk është diçka e re. Sulmuesi francez është garanci për skuadrën e Zinedin Zidanit dhe po e udhëheq atë drejt fitoreve në kampionat. Ai ka arritur të shënojë 18 gola në këtë sezon. Ai ka gjetur rrugën e rrjetës në 7 ndeshjet e fundit duke mbajtur peshën më të madhe në këtë aspekt. Kundër Eibarit realizoi golin e qetësisë për ekipin madrilen. Në fund erdhi edhe përqafimi me Viniciusin duke treguar se kjo skuadër është bashkë dhe kërkon të arrijë sa më larg si në Champions ashtu edhe në La Liga.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

© Panorama.al





Te lidhura

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *