G20 nis me thirrjen për më shumë vaksina për vendet e varfra

19:23 30/10/2021

Kryeministri italian Mario Draghi bëri thirrje për bashkëpunim shumëpalesh

Liderët e njëzet vendeve më të pasura të botës që bëjnë pjesë në grupin G20-ës, filluan një samit 2-ditor në Romë të Italisë për të diskutuar ndryshimet klimatike dhe ekonominë globale. Ky është takimi i parë me prani fizike i udhëheqësve të këtyre vendeve që nga fillimi i pandemisë së COVID-19.

Kryeministri italian Mario Draghi teksa mirëpriti krerët e shteteve në qendrën e kryeqytetit italian deklaroi se vetëm të bashkuar do të mund të zgjidhen problemet me të cilat bota përballet sot.

“Pandemia na ka mbajtur të ndarë po ashtu edhe qytetarët tanë. Edhe përpara pandemisë ne jemi përballur me proteksionizëm, unilaterizëm dhe nacionalizëm. Por ndërsa ne përballemi me betejat tona është e qartë se marrëdhëniet shumëpalëshe janë zgjidhja më e mirë për problemet me të cilat përballemi sot. Në shumë mënyra, kjo është e vetmja përgjigje e mundshme. Duhet të bëjmë çdo gjë që të kapërcejmë diferencat tona. Dhe duhet të rindezim frymën që çoi në krijimin e këtij grupi”.

Draghi gjithashtu foli edhe për të ofruar vaksina në vendet e varfëra në botë. Draghi nënvizoi se ndërsa 70% e njerëzve në vendet e pasura janë vaksinuar, në vendet e varfra vetëm 3 % kanë marrë vakina anti-covid, duke e quajtur këtë si të papranueshme.

Shumë nga liderët e G20-ës, përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden, do të nisen në Glasgow për samitin e klimës ditën e hënë të Kombeve të Bashkuara i cili shihet si vendimtar për të trajtuar ndryshimet klimatike. Por shpresat u shuan disi për të bërë progres për shkak të mungesës së Presidentit kinez Xi Jinping dhe Presidentit rus Vladimir Putin të cilët vendosën të merrnin pjese përmes lidhjes me video-online.

Në një fjalim në lidhje me samitin, Presidenti kinez, Xi Jinping, theksoi se i duhet dhënë fund politizimit të Covid-19 dhe u kërkoi vendeve anëtarëve të G20 të bashkëpunojnë për të mposhtur koronavirusin.

Në një lidhje video, Presidenti rus Vladimir Putin foli në G20 për vaksinat dhe ekonominë. Ai kërkoi shpejtësi më të madhe për miratimin e vaksinave.

“Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj për faktin se pavarësisht vendimeve të G20, qasja në vaksina dhe burime të tjera jetike nuk është ende e lejuar për të gjitha vendet që kanë nevojë për to. Dhe kjo është shkaktuar nga konkurrenca e pandershme dhe refuzimi nga disa vende, duke përfshirë anëtarët e G20, për të njohur reciprokisht vaksinat dhe certifikatat e vaksinimit”.

Ndërsa debati për klimën do të mbizotërojë në Romë, pjesa më e madhe e ditës së parë të bisedimeve iu kushtua diskutimit të krizës shëndetësore COVID-19 dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Roma është vënë në gatishmëri të lartë sigurie nga fundjava, me deri në 6,000 policë dhe rreth 500 ushtarë të vendosur për të ruajtur rendin.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *