“Gara në PD e imponuar me urgjencë, duhej analizë e rezultatit”/ Nishani: 13 qershori, detyrim statuor, por…






MARIGLEN KUME/ Ish-Presidenti Bujar Nishani, i angazhuar me grupin “Për PD”, kritikon procesin e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike.

Grupi per PD-Imami-Nishani-Harxhi-Kulluri-Ibsen-elezi (4)

Gjatë bashkëbisedimit me demokratët e qarkut të Kukësit, Nishani, në krah të kandidatit Edit Harxhi, u shpreh se procesi i zgjedhjeve në këtë moment është i imponuar me urgjencë në një kohë që sipas tij duhet të ishte bërë analiza se pse u humbën zgjedhjet e 25 prillit. Ndryshe nga kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha, Nishani nuk ka asnjë dyshim se maxhoranca e rikonfirmuar do vazhdojë deri në 2025.

“Na ngushëllon fitorja në Kukës, por ne duhet ta nisnim këtë proces me një kauzë, me një analizë se si është e mundur që nuk u arrit objektivi. Analizë mbi faktorët që pamundësuan për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë dhe fatet tona, sepse ka 8 vite që i kanë fatet tona njerëz të papërgjegjshëm. Ndërkohë, edhe në 4 vitet e ardhshme do t’i kenë njerëz të papërgjegjshëm. Por ne nuk mund t’i dorëzohemi dëshpërimit. Ndaj ne duhet të na mblidhte një çështje më e madhe që është analiza. Por, megjithatë, tani jemi në një proces të brendshëm.

Grupimi që kemi nisur ne, një grup ish-kolegësh që e kemi emërtuar për PD, sepse nuk është inat personal apo interes personal. Nuk është as një gjykim i pabazuar. Nuk dua t’i shikoni Bujarin dhe asnjë tjetër si përçarës të PD apo që duan të krijojnë një fraksion ndërpartiake. Sepse shqetësimi për PD është më i madh sesa shqetësimi për karrigen e PD edhe se për shqetësimin e një ministri nesër. 13 qershori nuk mbyllet më 13 qershor. Kjo datë është një detyrim statutor, por shqetësimi i grupit ‘Për PD’ do të vijojë më me seriozitet dhe më me përgjegjësi. Megjithatë, ne tani jemi në një këtë garë që nuk është një garë e drejtë. Është një garë e imponuar me emergjencë. Pa rregulla të barabarta, pa të drejta të barabarta”, u shpreh Nishani.

ALTERNATIVA

Ndërkohë, kandidatja për kryetare të PD-së, Edit Harxhi, në fjalën e saj akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se ka humbur vazhdimisht përballë Edi Ramës që kur ka marrë drejtimin e PD-së. Ndërkohë, ajo tha se qëllimi i saj është që të hapë partitë, të rikthejë konkurrencën dhe garën brenda saj, në mënyrë që PD të shihet sërish si një parti shprese dhe vlerash për shqiptarët, pasi në të kundërt, nëse vijohet me këto rrugë që ka nisur kreu aktual i saj, Lulzim Basha, PD do të përfundojë si LDK në Kosovë. “Kemi të bëjmë me humbje ciklike që prej 2013, këto nuk janë vetëm humbje elektorale. Synimi ka qenë që ne të bëjmë diçka për këtë aset kombëtar, pasi PD është një aset kombëtar dhe jo në pronë e anëtarësisë dhe demokratëve, por e gjithë shqiptarëve dhe herët apo vonë kurdo që ne të fitojmë është fitore për të gjithë shqiptarët, pasi ne jemi këta që kemi mbrojtur vlerat kombëtare dhe çështjet kombëtare. Ne kemi larguar njerëz, figura të partisë dhe kjo përbën farsën e partisë. Nëse ne vazhdojmë këtë rrugë që kemi nisur, PD do të përfundojë si LDK në Kosovë, duhet të kthejmë shpresën dhe të mos kemi më përçarje, të hapim partine, të kemi konkurrencë të lirë, kandidatët duhet të jenë pjesë e vendimeve dhe jo vetëm kryesia”, tha Harxhi.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *