Gara për kreun e PD/ Agron Shehaj rendit arsyet e kandidimit: As sfidë, as tradhti ndaj Bashës! Nëse nuk zgjidhem, s’besoj se…






Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj të martën është shprehur në lidhje me humbjen e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit dhe arsyet e kandidimit të tij për kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, duke deklaruar se kandidimi i tij ka ardhur si rezultat i bindjes personale se PD duhet të ndryshojë për të fituar zgjedhjet.

shehaj

I ftuar në “Frontline” në News 24, Shehaj tha se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes së 25 prillit dhe të mos kandidonte më për kryetar të PD, duke shtuar më tej se nuk mendon se do të përjashtohet nga grupi apo të ndëshkohet me ndonjë masë tjetër, nëse nuk e fiton garën e 13 qershorit.

Pjesë nga intervista:

Pse vendosët të kandidoni?
Nuk është një çështje që ka të bëjë me ambicien, por me bindjen që unë kam krijuar, që pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku ne humbëm, arrita në konkluzionin se është e pamundur të shkojmë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk ndryshojmë. Krijova bindjen se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të futem vetë në garë. Dy elementë kanë ndikuar shumë në humbjen e 25 prillit, djegia e mandateve dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale.

A ishte 25 prilli masakër elektorale?
Po, ishte. Kjo shihet nga fakti që janë zgjedhur deputetë pa asnjë lidhje me politikën, që janë qartazi pasojë e shit-blerjes së votave. Ka shumë arsye që ne i humbëm zgjedhjet. Ka pasur disa elementë shumë të rëndësishëm që na kanë penalizuar dhe nuk na kanë dhënë mundësinë të jemi mjaftueshëm të besueshëm jo vetëm për elektoratin e djathtë, por edhe për elektoratin gri. Këto elementë, bashkë me blerjen masive, na çuan në humbje.

Sa peshë ka lidershipi Basha?
Liderët kanë privilegjin që të marrin vendime, por përtej vendimeve, ata duhet të mbajnë edhe përgjegjësi. Unë mendoj se rezultati i zgjedhjeve është përgjegjësi e atij që drejton, liderit. Është drejtuesi që mban përgjegjësi për rezultatin në çdo garë. Pikërisht për këtë arsye unë nuk dua të vazhdojmë që kryetarët e PD të vazhdojnë të rrinë kryetar, pavarësisht humbjes. Prandaj unë do të propozoj, dhe nëse zgjidhem kryetar i PD, nëse humbas zgjedhjet, absolutisht do tërhiqem dhe nuk do të marr pjesë në garë. Mendoj se duhet kufizuar edhe mandati i kryetarit të PD. Nëse duam ta çojmë Shqipërinë drejt perëndimit, ne duhet të sillemi si një parti perëndimore. Kudo në perëndim, kryetari i një partie largohet, nëse humb zgjedhjet.

Çfarë ishte për ju renditja si i votuari më i mirë në zgjedhje?
Ishte një vlerësim, për të cilin falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Po të kisha dalë i fundit, nuk besoj se do të kisha kandiduar për kryetar.

Sfidë apo tradhti ndaj Bashës kandidimi juaj?
As sfidë, as tradhti ndaj Bashës, por bindje se nëse PD nuk ka ndryshim, nuk mund të shkojë në pushtet. Në këtë mënyrë, PD e ka të pamundur të mundë Edi Ramën. Nëse nuk ka garë, nuk ka konkurrencë, PD e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Unë nuk kam asnjë qejfmbetje me kryetarin e PD, thjesht kam një bindje dhe në bazë të saj veproj. Nuk e bëj as për inat, as për tradhti. Jam futur në politikë, sepse mendoj që Shqipëria duhet ndryshuar, i duhet dhënë fund tranzicionit 30-vjecar, dhe për këtë duhet reformuar PD. PO nuk bëmë PD një parti perëndimore, nuk do ta bëjmë dot kurrë Shqipërinë perëndimore.

Keni folur me Bashën për kandidimin, po divergjenca?
Unë kam shprehur gjithmonë mendimin tim dhe në përgjithësi ai është dëgjuar. Kam pasur një raport konstruktiv me Bashën, ndërsa tani nuk kam më, sepse tani po konkurrojmë në një garë. I kemi uruar njëri-tjetrit suksese në garë, por nuk kemi pasur komunikim. Në deklaratat e mia nuk ka pasur asnjë aludim ndaj Bashës, por unë thjesht mendoj si duhet të jetë kryetari i partisë. Unë nuk mendoj që Basha është i korruptuar, por mendoj që PD duhet të jetë e besueshme për qytetarët, sepse këta të fundit votojnë, nëse besojnë.

Pse Basha nuk mund ta çojë PD në fitore?
Pas vendimeve që janë marrë dhe pas drejtimit të lidershipit të Bashës, ne arritëm në humbje. Ne humbëm zgjedhjet e 25 prillit dhe vendimet janë marrë kryesisht nga lidershipi i PD, nuk ka asnjë shenjë për reflektim dhe korrigjim të gabimeve që janë bërë.

Cili vendim i Bashës nuk ju qëndron korrekt?
Ne jemi përballë faktit që kemi humbur zgjedhjet, që do të thotë se diku kemi gabuar. Vendimet janë marrë nga lidershipi, që do të thotë se ai ka gabuar. Duhet bërë një analizë në PD, që të shihet se ku u gabua. Ka disa gabime që janë të qarta, siç ishte djegia e mandateve, mos hyrja në zgjedhje. Gabimet analizohen në PD dhe merren masa që PD të forcohet dhe të bëhet më e besueshme për të fituar zgjedhjet e ardhshme.

Mendoni se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen?
Absolutisht që duhet të kishte dhënë dorëheqjen, madje as të mos rikandidonte. Dorëheqja ka kuptim, kur nuk rikandidon më.

Nëse më 13 qershor ju nuk fitoni dhe Basha do jetë ai që do e drejtojë PD edhe për 4 vite, keni frikë se mund të përjashtoheni nga grupi?
Nuk besoj. Në momentin që i futem kësaj gare, i marr parasysh dhe anët negative që mund të sjellë, por nuk besoj se do të kem përjashtim apo marrje masash. Unë mendoj që gara e ndihmon PD. Të mendosh që kandidimi im dëmton PD, është qesharake, nuk bën sens. I bie që në të gjitha partitë perëndimore, ku ka garë të vërtetë, ai që nuk fiton, ka pasur qëllim të dëmtojë partinë.

Si ju përgjigjeni zërave se mund të jetë lojë kulisash?
Unë do bëj fushatën time si kandidat për kryetar të PD. Do them ç’kam për të thënë, çfarë mendoj, kështu që nuk ndryshoj për akuza.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *