Gazment Bardhi konfirmon rikandidimin si numri dy i PD-së! Sekretari i Përgjithshëm akuzohet për analizë të njëanshme








MARIGLEN KUME/ Numri dy i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, konfirmon se do të rikandidojë për një mandat të dytë si sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

gazment bardhi

I pyetur dje teksa hynte në selinë blu pas kryedemokratit Basha, nëse do të rikandidonte për një mandat tjetër si numri dy i PD-së, Bardhi u përgjigj: “Po, patjetër”.

Konfirmimi i numrit dy të PD-së vjen në një kohë kur pas zgjedhjeve të 25 prillit, konferencat për shtyp në selinë blu në lidhje me hapat që do ndërmarrë më tej PD kanë qenë thuajse inekzistente. Ndërkohë që pas zgjedhjeve, dy nga njerëzit që janë më të shpeshtë në selinë blu janë kryedemokrati Basha dhe numri dy i PD-së, Gazment Bardhi. Për këtë të fundit, pas Kuvendit të Partisë Demokratike pati mjaft kritika dhe akuza. Akuzat ndaj bardhit ishin në dy drejtime.

Nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, të cilët e akuzonin atë se ka bërë listën siç dëshironte. Fakt për këtë përmendnin rezultatin e zgjedhjeve për Këshill Kombëtar ku për qarkun e Elbasanit, ku Bardhi është drejtues politik i PD-së u zgjodhën 26 anëtarë të këshillit, nga 37 që u propozuan. Ndërsa akuzat e tjera konsistonin në p përmbledhjen e analizës së zgjedhjeve që kishin përgatitur 19 drejtuesit politikë.

Në përmbledhjen e analizës së zgjedhjeve, Gazment Bardhi rankonte si më të suksesshëm në zgjedhjet e 25 prillit Qarkun e Elbasanit, ku numri dy i PD-së ishte drejtues politik.

Në dokumentin përmbledhës thuhej se në Elbasan kishte arritur objektivat maksimale të përcaktuar para zgjedhjeve dhe se në atë qark PD nuk mund të rikuperojë asnjë mandat. Kujtojmë që në qarkun e Elbasanit PD mori 6 mandate, ndërsa Partia Socialiste 8.

Pakënaqësitë, në fakt, nisën që në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së, ku dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, shprehën mosdakordësi me përmbledhjen.

Spaho tha se PD në Korçë kishte arritur objektivin në mandate, ndërsa në analizë thuhet se nuk janë arritur projeksionet. Ndërsa nënkryetari tjetër, Edi Paloka, e cilësonte përmbledhjen e analizës si një tentativë për të goditur dikë. Ndërsa deputeti i zgjedhur Mark Marku, njëkohësisht edhe drejtues politik i PD-së në Lezhë, ishte më i ashpër ndaj kritikave të z. Bardhi, teksa u shpreh se numri dy i PD thoshte në përmbledhjen që kishte përgatitur se PD kishte arritur objektivat në Elbasan, ku është në disavantazh me mandate, ndërsa në Lezhë, ku PD është në epërsi kundrejt PS-së me mandate, sipas analizës së sekretarit të PD, selia blu nuk ka arritur objektivat.

ZGJEDHJET

Ndërkohë, pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, sipas burimeve mësohet se deri në fund të muajit korrik mund të nisë procesi edhe për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese të PD-së. Në fundjavën e ardhshme, burimet pranë selisë blu konfirmojnë se mund të ketë mbledhje të Këshillit Kombëtar për të zgjedhur kryesinë e re të PD, nënkryetarët dhe sekretarët. Sipas ndryshimeve të fundit në statutin e PDsë, numri i sekretariateve nuk do të jetë i kufizuar. Pritet që kryetari i PD-së të caktojë më shumë sekretarë sesa është numri aktual. Po ashtu, do të zgjerohet edhe numri i anëtarëve të kryesisë së PD. Ndërsa numri i kryetarëve pritet që të mos jetë më dy, por kreu i PD ka në tryezë dy opsione: atë me 3 nënkryetarë dhe me 5 nënkryetarë, ndërsa nuk është vendosur se si do të jetë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *