Gazsjellësit e sabotuar mund të bëhen të papërdorshëm

gazsjellesit e sabotuar mund te behen te paperdorshem
gazsjellesit e sabotuar mund te behen te paperdorshem

20:40 28/09/2022

NATO dhe BE i quajnë akte sabotimi shpërthimet në tubacionet “rrjedha veriore”

Tubacionet e Rrjedha Veriore 1 dhe 2 të dëmtuara nga akte të dyshuara sabotimi nga Rusia, mund të jenë shkatërruar për gjithmonë. Ky vlerësim pësimit vjen nga shërbimet sekrete gjermane.

Autoritetet e sigurisë në Berlin besojnë se tre pjesët e tubacioneve Rrjedha Veriore 1 dhe 2 nuk do të jenë më kurrë të përdorshme pasi tre shpërthimet nënujore shkaktuan rrjedhje të mëdha të metanit dhe për shkak të sasive të mëdha të ujit të kripur gërryes që po futet në tubacione.

Shërbimi i Zbulimit Federal gjerman BND, beson se sabotimi i dyshuar mund të jetë kryer vetëm nga një aktor shtetëror, ndërsa Rusia është e vetmja që ka mjetet dhe motivimin për një akt të tillë.

Zhvillimet e fundit nxorën në pah brishtësinë e infrastrukturës energjetike të Europës dhe rritën tensionet në kontinentin e tronditur nga lufta shtatë mujore në Ukrainë.

“Të gjitha informacionet tregojnë se rrjedhjet janë rezultat i akteve të qëllimshme. Çdo goditje e qëllimshme kundër infrastrukturës energjetike evropiane është e papranueshme dhe do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar”, tha shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borell në një deklaratë në emër të 27 anëtarëve të bllokut.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i quajti akte të sabotimit rrjedhjet në tubacionet “Rrjedha Veriore”. Stoltenberg takoi në Bruksel me ministrin danez të Mbrojtjes Morten Bodskov.

“Ajo që mund të themi për incidentin është se nuk qe një rastësi. Ishte i planifikuar mirë dhe ndikimi, siç edhe mund ta shihni në pamjet që janë publikuar, është shumë i madh”, tha ministri Morten Bodskov.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Washingtoni është i angazhuar për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së sigurisë energjetike në Evropë në një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë.

“Raportet fillestare tregojnë se ky mund të jetë rezultat i një sulmi ose një lloj sabotimi. Nëse konfirmohet, kjo nuk është në interesin e askujt”, tha Blinken.

Ndërkohë kryeministrja në detyrë e Suedisë, Magdalena Andersson saktësoi se nuk kemi të bëjmë me një sulm kundër territorit të Suedisë ose Danimarkës.

Rusia ka ulur furnizimin me gaz në Evropë pasi Perëndimi vendosi sanksione kundër Moskës pas sulmit të saj kundër Ukrainës. Kremlini i ka quajtur qesharake pretendimet se Rusia qëndron pas sulmeve ndaj tubacioneve.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts