Genocidi, fiset namibiane kërkojnë 450 miliardë euro nga Gjermania

09:30 02/06/2021

Pasi Gjermania e pranoi që kishte kryer gjenocid ndaj disa fiseve namibiane, këta kërkojnë si kompensim shuma qindrafish më të larta.

1.1 miliardë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e Namibisë së sotme, kështu premtoi para pak kohësh Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. Ai e quajti këtë dhuratë një “gjest i njohjes” së krimeve koloniale kundër grupeve etnike Herero dhe Nama. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se do të kërkojë falje zyrtarisht në një ceremoni në parlamentin namibian.

Vetëm gjysma e shumës së vlerësuar

Por paritë e disa fiseve të prekura mendojnë se kjo nuk shkon aq larg sa duhet. Sipas gazetës gjermane “Bild”, Manasse Zeraeua nga Zaraeua Tradition Authority (ZTA), menjëherë pas marrëveshjes, ka kërkuar trilionë dollarë namibianë si kompensim nga ana e Gjermanisë. Kjo shumë përllogaritet të jetë mbi 470 miliardë euro. Prandaj, paratë duhet të rrjedhin për 40 vjet. 

Sipas portalit të lajmeve “The Namibian”, tetë trilionë dollarët e kërkuar Namibianë janë vetëm gjysma e dëmit të vlerësuar nga shoqatat e prekura. Përveç fiseve Zaraeua, kërkesën e mbështeshin edhe fiset Maharero, Kambazembi dhe Gam. Sipas portalit, shuma është përllogaritur duke u orientuar te shumat e kompensuara nga Gjermania ndaj hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore.

Fyerje e ekzistencës

Pas gati gjashtë vjet negociatash, Namibia dhe Gjermania arritën të premten (28.05.21), një marrëveshje mbi një deklaratë politike. Por krerët e fiseve të prekura e quajtën shumën prej 1,1 miliardë euro që do të ofronte Gjermania me projekte të ndryshme si një “fyerje të ekzistencës sonë”.

Përfaqësuesit e mirëpritën njohjen e gjenocidit nga qeveria gjermane dhe pranimin e fajit për mizoritë që ndodhën më shumë se njëqind vjet më parë dhe lajmin se Gjermania do të kërkonte falje. Por ata shtuan se çështja e dëmshpërblimeve duhet të rinegociohet edhe njëherë. Gjatë viteve 1884 deri në 1915, Perandoria Gjermane kishte qenë fuqi koloniale në territorin e Namibisë së sotme dhe i kishte shtypur brutalisht rebelimet. Sipas historianëve, në atë periudhë janë vrarë rreth 65 000 nga 80 000 Herero dhe të paktën 10 000 nga 20 000 Nama./DW

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *