Gërmimet për eshtrat në Kizhevak, Gara: Ankthit të pritjes së familjarëve të pagjeturve t’i vijë fundi

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka folur rreth procesit të gërmimeve në Kizhevak të Serbisë, si pjesë e kërkimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë.

Gara, në një postim në Facebook, ka falënderuar ekspertët kosovarë që ishin sot në këtë lokacion.
“Ekspertët tanë të angazhuar, sot dhe në vazhdimësi, me përpjekje maksimale që vlerësimi i tërësishëm i lokacionit të varrezës masive, zhvarrosja e eshtrave (mbetjeve mortore të bashkëqytetarëve tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm gjatë luftës), identifikimi dhe riatdhesimi në Republikën e Kosovës, të kryhet një ditë e më parë, që ankthit të pritjes së familjarëve të të pagjeturve t’i vijë fundi”, shkruan Gara.

Postimi i plotë i Kushtrim Garës:
“Festa e Bajramit ndër të tjera është karakterizuar edhe si festë që na bashkon me familje dhe më të dashurit tanë. Andaj në këtë ditë nga urimet dhe bisedat e shumta të këmbyera, do të veçoja telefonatën me ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës , që sot janë larg familjeve të tyre, në krye të detyrës, të angazhuar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak.
Ekspertët tanë të angazhuar, sot dhe në vazhdimësi, me përpjekje maksimale që vlerësimi i tërësishëm i lokacionit të varrezës masive, zhvarrosja e eshtrave (mbetjeve mortore të bashkëqytetarëve tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm gjatë luftës), identifikimi dhe riatdhesimi në Republikën e Kosovës, të kryhet një ditë e më parë, që ankthit të pritjes së familjarëve të të pagjeturve t’i vijë fundi.
Respekt të pafundmë për ekspertët që sot patën fatin të jenë në lokacion: Dr. Ditor Haliti ,antropolog mjekoligjor, Dr. Musa Gashi , specialist i mjekësisë ligjore dhe, z. Driton Spahiu në këtë rast në kapacitetin e fotografit mjekoligjor.

Bashkërisht konkluduam se kjo është më e pakta që mund të bëhet për familjet që humbën shumë nga jeta e tyre, përfshirë edhe më dashurit e tyre dhe, siç e kemi theksuar edhe më parë, guximi dhe dinjiteti i këtyre familjeve është frymëzues dhe i jashtëzakonshëm.
Respekt dhe nderim me përulësi për të gjitha familjet e të pagjeturve dhe të rënëve!
Përjetësisht Lavdi të Rënëve në altarin e Lirisë!”, ka shkruar Gara.
Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të tyre dhe vendosjen.

Sipas EULEX, ekspertët e këtij misioni kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 ndërsa më 16 nëntor të vitit 2020 u zbuluan mbetje mortore, të cilat dyshohet se janë të viktimave të luftës së vitit 1999 në Kosovë. Gërmimet gjatë vitit të kaluar u pezulluan në dhjetor, për shkak të motit jo të favorshëm për të rinisur më 5 maj të këtij viti.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve. Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë. /Telegrafi/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *