
Planet e Vladimir Putinit për të pushtuar Ukrainën mund të shkatërrohen, pasi një grup oficerësh të lartë ushtarakë rusë dënuan politikat e tij ndaj Kievit, mes të cilëve edhe gjenerali rus, Leonid Ivashov, i cili ishte pjesë e luftës në Kosovë më 1999.
Në një kritikë, oficerët i përshkruan kërcënimet e Putinit për të pushtuar Ukrainën si “kriminale”, “të rrezikshme” dhe “të pakuptimta”. Letra është shkruar nga e ashtuquajtura Asambleja e Oficerëve Rusë dhe është publikuar në faqen e tyre të internetit në fund të janarit. Duke iu drejtuar “Presidentit dhe qytetarëve të Federatës Ruse”, autorët u kërkuan kolegëve të tjerë ushtarakë dhe njerëzve të thjeshtë që të kundërshtojnë përpjekjen e Putinit për në luftë, raporton express.uk.
“Ne jemi oficerë të Rusisë, kërkojmë të braktisim politikën kriminale të provokimit të një lufte, në të cilën Federata Ruse do të gjendet e vetme kundër forcave të bashkuara të Perëndimit”, shkruajnë ata.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë personelit ushtarak në pension, qytetarëve të Rusisë me një rekomandim që të jenë vigjilentë, të organizuar, të mbështesin kërkesat e Këshillit të Asamblesë së Oficerëve Rusë, të kundërshtojnë në mënyrë aktive propagandën dhe fillimin e një lufte dhe të parandalojnë një konflikt të brendshëm civil me përdorimin e forcës ushtarake”.
Organizata drejtohet nga gjeneral-koloneli i pensionuar Leonid Ivashov, i cili ishte një udhëheqës ushtarak kryesor i vijës së ashpër në vitet 1990.
78-vjeçari ishte një nga nxitësit pas bllokimit famëkeq në Aeroportin e Prishtinës gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Në atë kohë, trupat ruse u përpoqën të ndalonin paqeruajtësit e NATO-s që të hynin në Kosovë.
Gjeneral-koloneli u dërgua në pension nga Putini në vitin 2001 në moshën 57-vjeçare. Oficeri ushtarak në pension themeloi Asamblenë e tij të Oficerëve Rusë në 2003 dhe sigurisht nuk është mik i NATO-s apo i Perëndimit.
Ideologjia e grupit është një përzierje e nostalgjisë sovjetike, ortodoksisë fetare dhe konservatorizmit patriotik – elemente që duhet t’i bëjnë të dashur anëtarët e regjimit të Putinit.
Megjithatë, ata vazhdimisht e kanë kritikuar tiranin rus se është i korruptuar dhe kanë kërkuar vazhdimisht largimin e tij. Gjeneral-koloneli hodhi poshtë pretendimet e përsëritura të Putinit se NATO përfaqësonte një kërcënim ekzistues urgjent për Rusinë.
“Sa i përket kërcënimeve të jashtme, ato sigurisht që janë të pranishme”, ka shkruar ai.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al