Gjermania: Media shtetërore ruse po operon pa licencë, kohë deri në fund të vitit që të përgjigjet

Rregullatorët gjermanë kanë nisur procedura kundër medias të financuar nga Rusia, RT për transmetim në Gjermani pa licencë.

RT DE, një kanal në gjuhën gjermane i RT-së, nisi transmetimin satelitor në Gjermani më 16 dhjetor, duke përdorur një licencë të dyshimtë serbe, tha rregullatori për media në Berlin, MABB.

Gjermania nuk u jep licenca për transmetim mediave të huaja që financohen nga shteti, edhe pse RT DE lejohet që të ketë byro në Berlin.

RT – që më herët njihej me emrin Russia Today – është një media që vazhdimisht është kritikuar në Perëndim dhe është cilësuar si burim i Kremlinit për propagandë, për një kohë të gjatë mundohet që të zgjerohet me kanale televizive në gjuhën gjermane, por nuk ka licencë për të përdorur sinjalet tokësore dhe satelitore për transmetim në Gjermani.

Megjithatë, kjo media publikon artikuj në ueb-faqen e saj dhe aty ka edhe shërbime të transmetimit online.

Në muajin gusht, Luksemburgu po ashtu refuzoi që t’i japë licencë RT DE për të transmetuar në Gjermani, pasi ky shtet argumentoi se kjo media ka operacione që kanë seli në Berlin.

Megjithatë, partneri i RT DE-së, TV Novosti ka marrë një licencë në Serbi, pasi dështoi që të marrë një të tillë në Luksemburg. Për këtë licencë autoritetet u njoftuan më 16 dhjetor, kur RT DE nisi transmetimin në Gjermani.

“Për këtë program, nuk është aplikuar për licencë për transmetim dhe as nuk është dhënë një licencë e tillë nga MABB”, tha rregullatori për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se kanë nisur procedurat ndaj RT DE dhe kjo media ka kohë deri në fund të vitit që të përgjigjet.

Procedura të tilla mund të çojnë në ndalimin e këtij kanali apo gjobë deri në 500,000 euro.

RT DE është përgjigjur përmes një artikulli, duke argumentuar se ka marrë licencë për transmetime kabllore dhe satelitore në Serbi dhe sipas Konventës Evropiane për Televizion Ndërkufitar, kësaj media i lejohet që të transmetojë në Gjermani.

Megjithatë, MABB tha se për shkak se RT DE ka seli në Berlin, transmetimi i kësaj media bie nën juridiksionin gjerman.

Licenca me të cilën po transmetonte RT DE u dha nga Rregullatori serb për Media Elektronike (REM). Kryetarja e këtij rregullatori, Olivera Zekiq tha për mediat serbe se licenca ishte dhënë në bazë të Konventës Evropiane për Televizion Ndërkufitar.

Por, Judita Popoviq, një anëtare e Këshillit të REM-it, tha për REL-in se Serbia po ia mundësonte kësaj media ruse që të shmangë rregulloret gjermane. Ajo tregoi se kishte votuar kundër dhënies së licencës, duke shtuar se TV Novosti kishte aplikuar për licencë ku thuhej se programi do të transmetohej nga Rusia në gjuhën gjermane.

“Në këtë mënyrë, Serbia lejon sinjalin e transmetimit për një zonë më të gjerë, përmes satelitit” tha Popoviq, duke theksuar se programet televizive nuk janë të destinuara për shikuesit në Serbi, por për vendet gjermanishtfolëse.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.