
16:32 28/09/2021
Anketimet: Më i preferuari, koalicioni “semafor”
Partitë kryesore në Gjermani janë përfshirë nga ethet e formimit të koalicionit të ri qeverisës. Edhe pse socialdemokratët siguruan më shumë vende në parlament se partitë e tjera në zgjedhjet e së dielës, Kushtetuta përcakton që Presidenti t’i japë mandatin për formimin e qeverisë, kandidatit që siguron mbështetjen e të paktën 368 deputetëve, pas negociatave për koalicione paszgjedhore.
Sondazhet e televizionit publik gjerman “ARD” tregojnë se 55% e të anketuarve duan të ashtuquajturin “koalicion me ngjyrat e semaforit”, atë mes socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberaldemokratëve. Por teksa dy partitë e para bien dakord për reformat radikale për reduktimin drastik të çlirimit të dioksidit të karbonit dhe për rritjen e tatimit mbi të ardhurat për të pasurit, liberaldemokratët e FDP-së janë veçanërisht kundër rritjes së taksave për bizneset që parashikohen me ndërmarrjen e reformave për mbrojtjen e mjedisit. Programi i tyre i përafrohet më tepër kristiandemokratëve.
Por krerët e FDP-së premtojnë se nuk do të jenë më radikalë si në të kaluarën ndaj qëndrimeve të tyre. Nuk përjashtohet edhe mundësia që të gjelbërit dhe liberaldemokratët ta formojnë me kristiandemokratët e Armin Lanshetit koalicionin “Xhamajka” sipas ngjyrave të flamurit xhamajkan, një veprim politik që ka disa precedentë në të kaluarën. Legjislatura e njëzetë, më e madhja në historinë gjermane për nga numri i deputetëve, pritet të mblidhet brenda 30 ditëve.
Tv Klan
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al