Gjermania shton vaksinimet dhe shpresat për lehtësime

09:20 15/05/2021

Gjendja shpirtërore në popull është përmirësuar me shtimin e vaksinimeve. Qeveria ka miratuar lehtësime për udhëtimet dhe dëshiron tani gjithashtu më pak kufizime publike, shkruan Auron Dodi.

Në Gjermani incidenca e infektimit me Covid-19 është në rënie të vazhdueshme. Të premten u raportua se incidenca ra, për herë të parë pas dy muajsh, nën 100: ishte 96.5 të infektuar në javë për 100.000 banorë. Të shtunën (15.05.) kjo incidencë ra madje në 87.3. Kjo u regjistrua me gëzim në mediat gjermane. Në të njëjtën kohë vazhdojnë të konstatohen çdo ditë mbi 10.000 të infektuar të rinj. Dhe për shkak të Covid-19, çdo javë vdesin rreth 1000 vetë.

Megjithëkëtë, gjendja shpirtërore në popull është më e mirë se më parë. Kjo pasi njerëzit kanë mundësi të veprojnë: të mbrohen me vaksinime. Javën e kaluar Gjermania theu rekordin, për Evropën, me numrin e vaksinimeve në një ditë: e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion të vaksinuar në ditë. Dhe e ka thyer këtë rekord për disa ditë. Deri të hënën (10.05.) ishin vaksinuar mbi 33.3 përqind e gjermanëve me të paktën dozën e parë të vaksinës. Dhe 9.6 përqind me të dyja dozat. Janë vaksinuar plotësisht mbi 70 përqind e mbi 80 vjeçarëve. Ritmet janë shtuar edhe në grupmoshat e tjera.

Deutschland Essen Plakat mit Jens Spahn

Priorizimi për vaksinimin drejt heqjes

Mungesa e vaksinave qe problemi kryesor në tremujorin e parë të këtij viti. Por që prej prillit, furnizimi me vaksina është më i kënaqshëm. Dhe vaksinimi u përshpejtua në mënyrë vendimtare që kur u përfshinë  65.000 mjekë të familjes. Ata qeveria nuk i lejoi që në fillim të vaksinojnë, pasi nuk kishte sasi të mjaftueshme vaksinash.

Gjithnjë e më shumë po hiqet edhe priorizimi për grupet e rrezikuara. Tri lande federale gjermane, Berlini, Bavaria dhe Baden-Vyrttembergu e kanë hequr, ose e heqin javën e ardhshme krejtësisht priorizimin. Saksonia e heq pas 10 ditësh.

Kjo do të thotë që në këto lande të gjithë ata që duan mund të kërkojnë të vaksinohen te mjeku i familjes. Bavaria do të ofrojë vaksinim edhe para supermarketeve.

Kurse për të gjithë Gjermaninë, aktualisht qeveria e ka hequr priorizimin për ata që duan të vaksinohen me dy vaksina: me AstraZenecan dhe Johnson&Johnson. Me to mund të vaksinohen të gjithë ata që duan, jo vetëm grupet më të rrezikuara. Kjo ka sjellë një dyndje të madhe, edhe të të rinjve për vaksinim.

Kallëzime për ata që falsifikojnë dokumentat

Në shumë qytete të Gjermanisë raportohet për raste kur njerëzit kërkojnë me argumenta të sajuara, të tilla se p.sh. duhet të përkujdesen papritur për fqinjin, apo për vjehrrën në moshë të thyer, që t’i lejojnë të vaksinohen. Ka mjekë që i trajtojnë këto përpjekje me tolerancë. Të tjerë janë më të rreptë.

Në një emision të posaçëm të televizionit publik ARD u raportua me kritikë p.sh. që në Hamburg përpiqen të vaksinohen deri 2000 vetë në javë, që nuk bëjnë pjesë në grupet prioritare. Ka pasur edhe kallëzime për ata që falsifikojnë dokumentat për t’u vaksinuar.

Dihet se priorizimi synon të mbrojë shtetasit më të rrezikuar. Dhe është padyshim e drejtë që në dallim nga pandemitë e epokave të shkuara, kur të moshuarit e të sëmurët thjesht liheshin të vdisnin, në kohën tonë ata kanë përparësi në vaksinim.

Por meqenëse vaksinimi në Gjermani ka avancuar, shumë mjekë kërkojnë që të hiqet dorë krejtësisht nga priorizimi. Një mjek i qendrës së vaksinimit të Këlnit, tha “se nuk ka asnjeri që të mos ketë, si parim, të drejtë të vaksinohet.” Dhe në fakt, çdo njeri i vaksinuar është potencialisht një jetë e shpëtuar. Në këtë kuadër kancelarja Angela Merkel tha në fillim të këtij muaji se më e vonta në qershor, planifikohet të hiqet priorizimi për gjithë Gjermaninë.

Këmbëngulja – shpesh e nevojshme për t’u vaksinuar

Ka pasur e ka probleme burokratike për marrjen e takimit për t’u vaksinuar. Si parim, ty mund të të thërrasë vetë mjeku yt që të vaksinohesh. Por praktika, në disa raste, ka treguar se është më e lehtë të vaksinohesh po t’i drejtohesh vetë mjekut dhe madje të ngulësh këmbë për vaksinim, ta pyesësh mjekun disa herë. Ose po të kesh mundësi të kontaktosh doktorë të ndryshëm. Kjo është më mirë se të rrish të presësh, që të të thërrasin.

Deutschland Covid gratis Bürgertest im Corona Testzentrum Grugahalle, Essen

Po të vazhdojë kjo rënie aktuale e incidencës, lehtësime në të gjithë Gjermaninë priten brenda pak javësh. Këtë e tha ministrja gjermane e Drejtësisë Christine Lambrecht. Ushtrimi i plotë i të drejtave themelore për të gjithë është “çështje disa javësh, nganjëherë vetëm disa ditësh, por padyshim jo gjashtë muajsh,” tha ajo me bindje. Kurse ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn u ka propozuar për herë të parë landeve federale hapa konkretë të heqjes së kufizimeve publike. Në to parashikohen ndër të tjera rregulla, të cilat do të bëjnë të mundura takimet private dhe aktivitetet publike në ambjentet e jashtme.

Janë 4-5 javët e ardhshme që do të vendosin fatin e lehtësimeve edhe për të gjithë verën. Dhe tendenca e rënies së infektimeve jep optimizëm. Në këtë kuadër, Gjermania miratoi këtë javë lehtësime për të gjithë ata që hyjnë e kthehen në Gjermani, një hap i rëndësishëm ky për pushimet e verës.

Çfarë duhet të kenë parasysh udhëtarët që hyjnë në Gjermani?

Me rregulloren e re të Covid-19për udhëtimet hyrëse, të gjithë ata që hyjnë në Gjermani me avion janë të detyruar: ose të testohen, ose të paraqesin çertifikatën e vaksinimit me një vaksinë të BE, ose të dëshmojnë se kanë kaluar e janë shëruar nga Covid-19. Kjo pavarësisht nëse udhëtarët vijnë nga një vend që është zonë rreziku (me incidencë mbi 50) apo jo. Shqipëria p.sh. që prej pak ditësh (09.05.) nuk konsiderohet më zonë rreziku nga Gjermania. Por kërkesat e mësipërme duhet t’i mbajnë parasysh edhe shtetasit e Shqipërisë.

VAE Passagiere warten auf Flug nach Frankfurt

Kurse shtetasit e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, meqenëse vijnë nga shtete të klasifikuara si zona të rrezikut të lartë (incidencë mbi 200), tani mund ta shkurtojnë karantinën 10 ditore që pas ditës së pestë, me një test. Gjithashtu ata duhet të bëjnë regjistrimin digjital përpara se të hyjnë në Gjermani dhe ta mbajnë me vete dëshminë se janë regjistruar, për t’ia kontrolluar atë transportuesi ose autoritetet në Gjermani.

Me rregulloren e re, nuk duhet të bëjnë më as test kur hyjnë në Gjermani, dhe as të kalojnë në karantinë, ata që dëshmojnë se janë vaksinuar me një vaksinë të licensuar në BE (BioNTech/Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson) dhe se kanë kaluar Covid-19. Por edhe ata që nuk janë vaksinuar dhe nuk e kanë kaluar Covid-19, po të bëjnë një test që u del negativ nuk qëndrojnë në karantinë.

Duhet mbajtur parasysh se klasikimi që u bën Gjermania shteteve për rrezikun që paraqesin mund të ndryshojë çdo ditë. Dhe Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë, ku bazohen të dhënat e mësipërme, i përshtat rregullisht kërkesat. Për këtë arsye, informacionet e fundit për hyrjen në Gjermani udhëtarët duhet t’i marrin para nisjes./DW

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *