Gjuha e ashpër politike/ Përplasjet Berisha-Basha risjellin në kujtesë akuzat e Fatos Nanos për një marrëveshje Berisha-Rama. Ja ngjashmëritë





fatosnanosaliberisha

Vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, opinioni publik e ka cilësuar si fillimin e një akti “atëvrasje”. Kjo solli një reagim të ashpër nga ana e liderit historik demokrat i cili e ka cilsuar një vendim të paligjshëm, madje duke arritur deri në atë pikë duke thënë se ishte një marrëveshje e fshehtë Rama-Basha.

Berisha është shprehur se me këtë vendim, kryedmokrati i ka dhënë një “shkelm” fatal Partisë Demokratike duke e çuar drejt rrënimit të saj. Kjo gjuhë e ashpër politike, nuk është e panjohur për politikën shqiptare duke sjellë në kujtesë marrëdhëniet Rama-Nano të disa viteve më parë.

Pas largimit të Fatos Nanos nga drejtimi i Partisë Socialiste në 2005, Edi Rama u zgjodh në krye të kësaj force politike. Vitet më pas, sollën një ftohtësi mes tyre të cilat kulmuan në dy raste, në zgjedhjet presidenciale të viteve 2007 dhe 2012.

Në të dyja rastet, Nano shprehu ambicien e tij për të kandiduar në këto zgjedhje, por nuk pati mbështetjen e kryesocialistit Rama. Në 2007 u zgjodh Bamir Topi president ndërsa Bujar Nishani u zgjodh në 2012. Të dy rastet kanë sjellë disa reagime të ashpra dhe një lumë akuzash të Fatos Nano në drejtim të Ramës duke sjellë një ngjashmëri mes marrëdhënieve Berisha Basha.

Në një deklaratë për mediat në vitin 2012, Nano akuzoi Ramën si njeriun që ka udhëhequr të majtën vetëm drejt humbjeve.

“Gabimi i Ramës në procesin e zgjedhjes së presidentit qëndron në refuzimin e kandidaturës së Nanos,” arsyeton paraardhësi i Ramës në parti.

Madje, Nano sulmonte edhe takimin Meta-Rama dhe përsërit ambicien për udhëheqjen e PS-së.

“Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009-ës, grevën e urisë të dhjetëra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të. Sot pas 1 viti, me 4 shqiptarë të vrarë dhe të tradhtuar mbi shpinë, Edi Rama kërkon të bëhet Kryeministër, duke i lënë ata në harresë, e duke shmangur garën e Presidentin. Edi Rama nuk e përfaqëson më Partinë Socialiste. Me Fatos Nanon fiton e majta, fitojnë socialistët, fiton edhe Shqipëria,” thuhet ne mesazhin e Fatos Nanos.

Këto akuza të sjellin ndërmend gjuhën e përdorur nga ish-kryeministri Sali Berisha ndaj Lulzim Bashës duke thënë se ka bërë marrëveshje me Ramën.

Një tjetër krahasim me Berishën, është edhe fakti se Nano, në 2012 lajmëroi se në rast se PS nuk do ta kandidonte, ai do të rikthehej në jetën politike të së majtës, pa e sqaruar nëse kishte ndërmend të krijonte një lëvizje të re politike.

Qëndrim të njëjtë ka mbajtur dhe Berisha duke thënë se do të bëjë çdo gjë me anë të hapave ligjorë për t’i kthyer sovranitetin Partisë Demokratike. Ai është shprehur se do të fillojë një tur takimesh me demokratët në rrethe por pa dhënë një sqarim të plotë mbi lëvizjet e radhës.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *