Gjykata Kushtetuese legjitimoi “30 qershorin”/ Astrit Patozi: Fundi i pritshëm i një marrëzie politike! Opozita nuk mund ta përsërisë më atë eksperiment të çmendur








patoziIsh-kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të ligjshme zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.

Me anë të një postimi në Facebook, Patozi teksa i referohet opozitës, e cila bojkotoi zgjedhjet thotë se një aventurë e rrezikshme përfundoi me një kosto shumë të lartë për të.

Ndërsa për vendimin e Kushtetueses ai shprehet se ky institucion i pavarur nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë, se sa ka përkthyer fermanin e ashpër dhe të qartë të Komisionit të Venecias.

“Do të habitesha shumë, nëse dikush nga palët ndërluftuese do të shprehte sot pendesë apo reflektim, pas vendimit të së vetmes gjykatë në Shqipëri, e cila, të paktën deri tani, nuk konsiderohet ende si e kapur nga pushteti. E cila, në fakt, nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë, se sa ka përkthyer fermanin e ashpër dhe të qartë të Komisionit të Venecias”, shkruan Astrit Patozi.

Reagimi i plotë i Astrit Patozit

FUNDI I PRITSHËM I NJË MARRËZIE POLITIKE

Fundi i pritshëm i një marrëzie politike, gjatë kohës kur “Foltorja” dhe vulëmbajtësit e partisë mendonin dhe vepronin njësoj. Një aventurë e rrezikshme, e cila përfundoi me një kosto shumë të lartë për të gjithë opozitën, por veçanërisht për Partinë Demokratike.

Do të habitesha shumë, nëse dikush nga palët ndërluftuese do të shprehte sot pendesë apo reflektim, pas vendimit të së vetmes gjykatë në Shqipëri, e cila, të paktën deri tani, nuk konsiderohet ende si e kapur nga pushteti. E cila, në fakt, nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë, se sa ka përkthyer fermanin e ashpër dhe të qartë të Komisionit të Venecias.

Një provë e tërthortë se sot nuk po kacafyten për parime apo për marrje përgjegjësish ndaj dëmeve serioze që i kanë shkaktuar kauzave opozitare, por thjesht dhe vetëm për pronësinë e Partisë Demokratike.

Tani e kanë të mbyllur një herë e përgjithmonë atë shteg. Sepse e kanë të shkruar si në pllakë të varrit, se jo vetëm nuk mund ta përsërisin më atë eksperiment të çmendur, por as nuk mund të guxojnë ta çojnë atë nëpër mend.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *