Gjykata Kushtetuese legjitimon zgjedhjet lokale të 30 qershorit, rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive








Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive, e cila kërkonte shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

gjykata kushtetuese-ademi-daci

Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar zgjedhjet e dy viteve më parë, ku opozita nuk mori pjesë.

Në njoftimin e publikuar ne faqen zyrtare,  kjo gjykatë thekson se vendimi u mor pasi dëgjoi palët në gjykimin kushtetues dhe mori në shqyrtim opinionin ‘amicus curiae’ të Komisionit të Venecies.

“Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, thuhet ne njoftim.

VENDIMI

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:

  1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
  2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies,

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

CFARE THA “VENECIA”

Komisioni i Venecias lë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk këshillon Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 qershorit. Në opinion inkurajohet Kuvendi që të bëjë një vlerësim për zgjedhjet, ndërsa Gjykata Kushtetuese të bëjë një vlerësim të bazës zgjedhore. Po ashtu i jepte përgjigje edhe debatit për zhdekretimin nga Presidenti të datës 30 qershor. “Parimet e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të pluralizmit politik nuk ka gjasa të bien ndesh me njëri-tjetrin, pasi ato shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash. Pluralizmi mund të jetë një qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që të mbizotërojë ai qëllim, ndërhyrja duhet të ketë një bazë ligjore dhe të jetë proporcionale. Parlamenti ka një hapësirë të gjerë për të vendosur për sigurimin e një baze ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve; në mungesë të një baze të tillë, Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese”, thuhet në opinion. Tani është radha e Gjykatës Kushtetuese që t’i përgjigjet kërkesës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *