Gjykata vendos sot masën e sigurisë për Lefter Kokën, seanca në GJKKO në 11:15/ Avokati i ish-ministrit: Do të tregojë gjithçka di për aferën









Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, do të dalë sot para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit për të mësuar masën e sigurisë.

koka 101 now

Seanca do të mbahet sot në orën 11:15, ndërsa mësohet se Koka do të flasë sot për arrestimin e tij. Avokati i Kokës, Fatmir Braka, është shprehur se klienti i tij nuk ka dhënë asnjë deponim. Avokati Braka ka deklaruar që ish-ministri do të tregojë gjithçka di për aferën e inceneratorëve në gjykatë kur të dalë për t’u njohur me masën e sigurisë. Ish-ministri Lefter Koka vijon të mbahet në qelitë e paraburgimit. Kujtojmë që vendimi për arrestimin e Lefter Kokës, Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas si pronarë të inceneratorëve është marrë të dielën dhe Policia e ka ekzekutuar të martën vendimin.

Për pasojë, Zoto e Gugallja nuk janë kapur ende. Akuzat e ngritura nga SPAK për personat nën hetim janë: “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. Prokuroria e Posaçme thotë se ka provuar që procedura e dhënies se koncesionit dhe lidhja e kontratës për inceneratorin e Elbasanit ka qenë në shkelje të ligjit si dhe në kundërshtim me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

Sipas SPAK, nga hetimet e kryera është provuar se në procedurën e dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e koncesionit. Ndër të tjera SPAK thotë se Lefter Koka në kohën qe ka qenë ministër “ka përfituar shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k”.

“Shtetasi Lefter Koka, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare ‘Albtek Energy’ sh.p.k. dhe ‘Integrated Technology Services’ sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale Kundër korrupsionit.

“Associated Press”: Lefter Koka rrezikon deri në 12 vite burg

Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, rrezikon deri në 12 vjet burg nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK). Ish-ministri u arrestua rreth orës 11:00 të paradites së të martës për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Pastrimit të parave” dhe “Korrupsionit”. “Korrupsioni ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë postkomuniste”, shkruan “Associated Press”. Kujtojmë se ish-ministri i Mjedisit në datën 1 shtator 2021 hoqi dorë nga mandati i deputetit në Kuvend. Menjëherë pasi gjyqtari Erion Bani vulosi urdhër-arrestin e kërkuar nga prokurori Klodian Braho dy ditë më parë, zona në të cilën banon familja e Lefter Kokës u vu nën monitorim. Nga një distancë e largët, disa agjentë civilë monitoronin hyrjet dhe daljet në pallatin ku ndodhet shtëpia e ish-ministrit Koka.

Frika se mos Koka kishte mësuar për urdhër-arrestin e lëshuar në drejtim të tij dhe mund të largohej nga Shqipëria ka bërë që disa agjentë policie civilë ta kalonin natën pranë shtëpisë së tij. Prania e tyre është konstatuar edhe nga tregtarët e bizneseve që operojnë aty pranë. “Dje pasdite deri në orët e vona (të hënën), disa djem të rinj të bëshëm në trup vinin vërdallë. Ishin fytyra të panjohura, po nuk u kushtova rëndësi pasi këtu është një zonë që frekuentohet masivisht. Ata kishin parkuar pranë Muzeut Arkeologjik. Tani që mora vesh për arrestimin e Lefterit bëra lidhjen me ata policët civilë”, tregon një nga tregtarët. Skuadra e Policisë Speciale e mbështetur edhe nga efektivë të Policisë së Durrësit zbarkuan paraditen e së martës në Lagjen 1 të qytetit bregdetar për të vënë në pranga një nga individët më me influencë të zonës dhe jo vetëm, Lefter Kokën. Pa shumë bujë, disa efektivë u ngjitën në pallatin ku banon familja Koka dhe bashkë me të u larguan. “Pashë disa efektivë të Policisë që parkuan aty dhe pak minuta më vonë dolën bashkë me Lefterin. S’na shkoi mendja fare, pasi ishte pa pranga dhe fare i qetë, si ai edhe policët që e shoqëronin. Menduam se mos kishte ndodhur ndonjë gjë nga bizneset e tij, pastaj mësuam se e kishin arrestuar. Nëpërmjet televizorit e morëm vesh. Na erdhi shumë keq pasi Teri (Lefter Koka) është një njeri me reputacion të mirë jo vetëm këtu në zonën e Vollgës, por në të gjithë Durrësin”, u shpreh një banor për “Panorama.al”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *