Gjyqi ndaj Ndrangheta, fillon në Itali procesi më i madh kundër familjes Mancuso

[embedded content][embedded content]

22:15 07/11/2021

Një gjykatë italiane dënoi 70 anëtarë të grupit të fuqishëm mafioz, Ndrangheta, në fazën e parë të procesit më të madh gjyqësor kundër mafias në dekada.

Të pandehurit u dënuan për akuzat e vrasjes, tentativës së vrasjes dhe zhvatjes. Gjatë dy viteve të ardhshme, 355 anëtarë të dyshuar të grupeve mafioze dhe zyrtarë të korruptuar do të përballen me gjykatën për përfshirjen e tyre në veprimtaritë mafioze në Itali.

Në proces janë përfshirë qindra avokatë dhe gati një mijë dëshmitarë. Të njohur si “gjyqet maxi” ato zhvillohen me dyer të mbyllura në një sallë të ngritur posaçërisht në qytetin kalabrez Lamezia Terme.

Prokuroria e anti-mafias e Catanzaro-s, e drejtuar nga kryeprokurori Nicola Gratteri, kishte kërkuar 85 dënime.

“Është një vendim i rëndësishëm, 91 të pandehur, 70 prej tyre të dënuar. Unë nuk kam frikë nga asgjë dhe askënd, them gjithmonë atë që mendoj dhe nëse nuk mund ta them të vërtetën është sepse nuk mund ta vërtetoj”, tha Gratteri teksa doli nga salla e gjyqit.

Të akuzuarit zgjodhën gjykimin e shkurtuar që u jep mundësi ta ulin dënimin e mundshëm me një të tretën nëse shpallen fajtorë. Gjyqtarët u dhanë gjashtë prej të dënuarve dënimin maksimal prej 20 vjetësh, ashtu siç kishin kërkuar prokurorët.

21 të pandehur të tjerë u shpallën të pafajshëm. Ndrangheta është një rrjet i gjerë kriminal i përbërë nga rreth 150 familje. Ky proces zhvillohet kundër një prej tyre, familjes Mancuso.

Lista e gjatë e akuzave përfshin trafikun e drogës, vrasje, tentativë vrasjeje, zhvatje, dhënie e parave me fajde, zbulim të sekreteve zyrtare dhe shpërdorim detyre.

Bosi i dyshuar mafioz Luigi Mancuso, 67 vjeç, i cili njihet me pseudonimin “Xhaxhai” dhe ish-senatori Giancarlo Pittelli, 68 vjeç, për të cilin prokurorët pretendojnë se ka kryer shkelje të shumta, do të përballen me gjykatën në një datë të mëvonshme.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *