Goditet teatri i Mariupolit, Kievi: 1 mijë persona brenda

19:44 16/03/2022

Gjykata e Hagës: Rusia të ndalë sulmin në Ukrainë

Forcat ruse nuk po kursejnë më civilët teksa bombardimet të shumta kanë goditur qytetet më të mëdha të Ukrainës.

Sipas Këshillit Bashkiak të Mariupolit bombat ruse kanë shkatërruar teatrin e këtij qyteti ku ishin të strehuar mbi 1 mijë qytetarë. Nuk dihet ende numri i saktë viktimave teksa Këshilli Bashkiak e ka cilësuar këtë ngjarje si një mizori dhe cinizëm të Rusisë.

Edhe një kolonë civilësh që po largoheshin nga Mariupoli drejt Zaporizhias u godit nga raketat ruse duke shënuar 5 të plagosur ku mes tyre një fëmijë në gjendje të rëndë.

Në Çernihiv të paktën 10 persona kanë humbur jetën pasi u qëlluan teksa qëndronin në radhë për të blerë bukë.

Edhe mëngjesin e sotëm, bombat ruse goditën sërish pallate banimi në Kiev. Predhat ndaj pallateve të banimit, nën pretekstin e fshehjes së ushtarëve ukrainas, rusët nuk i kanë kursyer ditët e fundit, jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë qytetet e mëdhenj.

Ndërsa ministria ruse e mbrojtjes publikoi disa video, kryesisht nga Hersoni i pushtuar gjatë 24 orëve të fundit, ku tregon shkatërrimet dëmet që i janë shkaktuar ushtrisë ukrainase, por edhe anti-tanket e sofistikuar amerikanë Jevelin të rënë në duart e rusëve.

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky në një video-konferencë me senatin Amerikan u shpreh se vendi i tij po përjeton prej 3 javësh sulme të njëjta me ato të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork.

Ai bëri thirrje për ndihmë teksa ripërsëriti kërkesën për krijimin e një zone ndalim fluturimi.

Këtë të mërkurë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka urdhëruar Rusinë të ndalojë menjëherë pushtimin e saj në Ukrainë duke e akuzuar atë për krime lufte.

Deri më tani numërohen mbi 1500 civilë të vrarë, që pas nisjes së sulmit rus në Ukrainë, mes të cilëve 85 fëmijë. Numri i të larguarve të luftës drejt vendeve europiane ka kapërcyer 3 milionë.

Tv Klan

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts