“Grante për restaurimin e shtëpive në qendrat historike”/ Rama thirrje qytetarëve: Përfitoni nga Bonusi i Rijetëzimit! Deri në 50 mijë dollarë për…









Të gjithë qytetarët të cilët kanë një shtëpi pranë qendrave historike, dhe duan ta restaurojnë ose ta kthejnë në një njësi biznesi, mund të përfitojnë grante nga qeveria përmes Bonusit të Rijetëzimit.

edirama

Ka qenë kryeministri Rama i cili prezantoi këtë nismë nga Kalaja e Beratit. Ai deklaroi gjatë takimit me disa banorë në këtë zonë, se mund të aplikojnë në këtë program ku do të përfitojnë grante duke filluar nga 10 mijë dollarë.

Sipas kreut të qeverisë, qytetarët do të përfitojnë 10 mijë dollarë për restaurimet e fasadës dhe mureve të banesës së tyre, dhe nëse duan që ta kthejnë në një biznes, ndihma nga shteti mund të shkojë deri në 50 mijë dollarë.

“Shpresoj që të kemi mundësi që pas këtij takimi t’i bëjmë dhe një reklamë përkatëse në rrjetet sociale tonat dhe ndërkohë, më vjen shumë mirë që pikërisht, në një shëmbëlltyrë konkrete të efekteve ekonomike dhe sociale të rijetëzimit, ne sot po bëjmë me dije se një tjetër zotim i fushatës elektorale dhe një tjetër pikë e programit tonë të Shqipërisë 2030 tanimë kthehet në një instrument në dispozicion të të gjithë atyre që do duan të përdorin bonusin e rijetëzimit për të kthyer në jetë dhe për t’i kthyer në instrumente ekonomikë shtëpitë e vjetra në qendrat historike, në radhë të parë në kala, sepse rijetëzimi i kalave është një nga gjërat më të bukura që mund të bëjë një vend me një trashëgimi kulturore të pasur si Shqipëria.

Përfitoj nga rasti t’i bëj një apel sot në këtë takim të parë informues të gjithë familjarëve që disponojnë shtëpi të tilla që tanimë, me bonusin e rijetëzimit, me këtë program të ri mbështetës, ne jemi në krah, siç e tha ministrja, me dy instrumente mbështetjeje; një për restaurimin dhe konsolidimin e pjesës, si të thuash, e guaskës së shtëpisë, pra mureve, dritareve, dyerve dhe fasadës apo çatisë, ku do të japim deri në 10mijë dollarë nga shteti, 1milionë lekë të reja dhe për instrumentin e dytë, për të gjithë ata që do duan të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë deri në 50mijë dollarë. Është i njëjti instrument në parim, që është përdorur për nxitjen e bujqësisë përmes pikave të grumbullimit, përmes pikave të agro-përpunimit” – deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se ky është një instrument që do të ndihmojë në zhvillimin e turizmit në zonat historike.

“Sa më shumë të kemi shtëpi të tilla të transformuara, destinacione që janë qoftë hoteleri, qoftë restorante, por edhe destinacione që kanë të bëjnë me zejet, me kulturën tradicionale, ose dyqane e më radhë, aq më shumë do kemi turistë, se do kemi kapacitet mbajtës përtej një dite të vetme dhe ky është qëllimi, që t’u japim mundësi turistëve që të kenë një hartë me disa stacione dhe kështu në çdo zonë të Shqipërisë të mund të programojnë më shumë se sa vajtje, ardhje brenda një dite e patjetër aq më shumë do të rrisim edhe të ardhurat. Kjo ndodh paralelisht me disa ndërhyrje shumë të rëndësishme që po bëhen në Berat, në Gjirokastër, po marr dy pika që janë pika me peshë të madhe në historinë tonë të trashëgimisë kulturore ku po investohet masivisht nga qeveria, nga pushteti vendor dhe bashkërisht dhe faktikisht brenda pak javësh tanimë shpresoj unë do doja para vitet të ri, por jam i bindur që maksimumi menjëherë pas vitit të ri, do të kemi kantieret këtu të gjithë zonës poshtë, që do ta transformojnë të gjithë atë pjesën që është sheshi deri sot i makinave, aty në krah të sheshit kryesor apo që është sheshi përpara objekteve të kultit këtu kur vjen për lartë në kala, në një zonë komplet tjetër nga pikëpamja cilësore dhe patjetër në një arsye tjetër për të ardhur e vizituar Beratin e për të qëndruar në Berat.

Kjo e kombinuar me disa ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturë të bëra nga kryetari i bashkisë, edhe me mbështetjen tonë, por edhe me forcat e pushtetit vendor dhe kam këtu parasysh by-pass-in që është drejt përfundimit. Një ndërhyrje shumë e rëndësishme edhe për sa i përket mbrojtjes lumore të qytetit, por dhe për të lehtësuar më shumë trafikun. Edhe aksi që erdhëm sot këtu, rruga e kalasë që është komplet një realitet tjetër, janë të gjitha ndërhyrje që njësoj si në Gjirokastër, me parkimin që po bëhet në sheshin e Çerçizit e me transformimet e mëtejshme, do t’i japin më shumë vlerë pronës, do të rrisin vlerën e pronës dhe është gjynah që një pronë e rivlerësuar për shkak të gjithë këtyre ndërhyrjeve e që do ta vazhdojnë këto ndërhyrje dhe e vlerësuar si një pronë e rëndësishme, jo vetëm për të zotët e tyre, por dhe për thesarin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, të mbetet e pashfrytëzuar” – tha Rama.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.