“Gratë e aktorëve e dinë se ç’kanë hequr!”/ Rrëfimi i aktorit Robert Ndrenika: Po të isha milioner…

grate e aktoreve e dine se ckane hequr rrefimi i aktorit robert ndrenika po te isha milioner
grate e aktoreve e dine se ckane hequr rrefimi i aktorit robert ndrenika po te isha milioner

Aktori i njohur shqiptar, Robert Ndrenika ka bërë një rrëfim duke zbuluar detaje të jetës së tij, duke nisur nga aktrimi, familja dhe marrëdhënia me bashkëshorten.

Në një intervistë të zhvilluar me Mira Karazhanin, Ndrenika ka thënë se martesat gjithmonë kanë ulje e ngritje.

Gratë e aktorëve e dinë se ç`kanë hequr!”, është shprehur ndër të tjera Ndrenika.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: I dashur Ndrenikë, faleminderit që më the Po dhe para se të të pyes, dua t`ju falënderoj që ndërruat mendje ndoshta për një nga zotimet më kokëforta të jetës tuaj, për të mos dhënë intervistë jete. Më shumë sesa meritë e imja, them se është e juaja. Njeriu e ka më të vështirë të ndryshojë mendjen e vet ndonjëherë.

Robert Ndrenika: Tani ti më bëre komplimente mua, po unë megjithëse je shumë e bukur, e dashur, e mirë nuk po të bëj komplimente. Tani fillojmë…

Pyetje: E nisim me fëmijërinë tuaj. Cili është kujtimi më i fortë që keni nga fëmijëria? Ndoshta diçka me nënën, me babain, me vëllain, me një shok. Çfarë ju vjen ndërmend kur shkoni në fëmijëri?

Robert Ndrenika: Një fëmijëri e qetë, i urtë. Shokëve iu thashë një histori…

Pyetje: Na e thuaj dhe neve!

Robert Ndrenika: Më dërgonin prindërit të mbaja radhën për ushqime, se ishte me radhë atëherë. Sistemi i triskëtimit etj, etj… Unë isha i vogël, nja 5 a 6 vjeç, por më çonin tek radha e burrave. Radha ishte: një burrë, një grua, pastaj vinte një familje dëshmori, një invalid, një hero i popullit. Kur vinte prapë radha tek burri të kalonte një orë. Unë erdha në shtëpi dhe i thashë babait: O baba, ç`më ke bërë! Po të kishe rënë dhe ti dëshmor që të merrja shpejt ushqimet në radhë.

Pyetje: Çfarë tha babai?

Robert Ndrenika: Më këputi një të sharë që nuk thuhet këtu. Edhe unë diçka kuptova. Mbylla gojën edhe nuk fola më.

Pyetje: Duhet mbyllur goja ndonjëherë në jetë.

Robert Ndrenika: Uaa. Duhet mbyllur. Gojën po e mbyllim edhe sot…

Pyetje: Çfarë e keqe të vjen nga fjala?

Robert Ndrenika: Thonë disa që gjuha hekur s`është, po hekur thyhen.

Pyetje: Meqë ishim në fëmijëri, dua të rri pak tek nëna juaj. Si e kujtoni nënën?

Robert Ndrenika: Nënën shumë të mirë e kujtoj. Ishte arsimtare. Kishte qenë jetime këtu, e kishin marrë diku në Athinë. Atje kishte studiuar. Kishte bërë shkollë. Madje kur ka ardhur nuk e dinte gjuhën shqipe fare. Avash avash mësoi dhe gjuhën. U bë dhe arsimtare, por jo e Gjuhës, e Gjeografisë. Prindërit i kam pasur shumë, shumë të mirë. Natyrisht babai njëçik më i rreptë.

Pyetje: Si baballarët në përgjithësi.

Robert Ndrenika: Nuk ma mësuan greqishten që flisnin bashkë. Nuk ma mësuan se u kuptoja sekretet. (qesh) Kur vinte babai kuptoja që mëma i thoshte greqisht ca zullume të miat. Unë e ndjeja këtë gjë. Ai më thoshte mbas pak “Ke bërë këtë, ke bërë atë”.

Pyetje: E mësove vetë greqishten më vonë

Robert Ndrenika: Në pleqëri diçka. Se m`u desh që të vija herë pas here në Greqi. Mësova sa për të blerë speca, sa për të blerë domate, gjëra të zakonshme.

Pyetje: Origjina juaj është nga Vunoi?

Robert Ndrenika: Origjina është Vunoi. Por të ikur nga Vunoi, të vajtur në kurbet edhe mamaja, edhe babai. Vonë, vonë nga kurbeti u kthyen, erdhën në Tiranë kur këtu u bë monarkia e Zogut.

Bënë edhe një shtëpi këtu në të cilën unë kam lindur sot e 81 vjet më parë. Edhe në maternitet nuk kam qenë. Këtu në këtë shtëpi edhe kam lindur, banjo edhe sot e kësaj dite.

Pyetje: Në atë kohë nuk ka qenë nocioni ‘adoleshent’ siç themi sot, po si keni qenë ju gjimnazist?

Robert Ndrenika: Gjithmonë kam qenë një çik më i vogël se të tjerët. Duke qenë arsimtare mëma, më kishte futur jo 7 vjeç, por më pak se 6 vjeç. Të mesmen e kam mbaruar në moshën 16-vjeçare. Gjithmonë me dëshirën që të bëhesha aktor. E kisha këtë dëshirë që i vogël. Shihja nxënës shkolle që luanin teatër dhe desha t`i imitoja. Rashë si të thuash në dashuri me këtë profesion. Shkoja nëpër Shtëpi Pioneri, nëpër Pallate Kulture paralelisht edhe me gjimnazin. Në gjimnaz kam qenë nxënës jo shumë i mirë, po jo dhe shumë i keq. I kam kaluar të gjitha vitet. Nuk kam mbetur ndonjëherë provim për vjeshtë. Kur mbarova gjimnazin babai nuk e kishte qejf këtë profesion që mora unë. Donte gjëra praktike.

Pyetje: Inxhinier…

Robert Ndrenika: Inxhinierinë donte shumë. Bëri ç`bëri, dhe në fillim e drejta e studimit më doli për Inxhinieri Mekanike. Vajta ca kohë atje. Bëra ca gafa – që mund t`i them ndonjëherë tjetër – edhe ika. Ika dhe prisja që të hapej shkolla e aktorëve. U hap shkolla e aktorëve. Vajta dhashë konkurs aty, por nuk fitova radhën e parë.

Pyetje: Nuk fituat! Robert Ndrenika nuk e ka fituar konkursin për herë të parë.

Robert Ndrenika: Nuk fitova. Edhe një Shpëtim Shëmilli i Elbasanit, edhe një Pëllumb Kulla që është dramaturg, regjisor, edhe ai nuk ka fituar.

Pyetje: Por nuk hoqët dorë nga ëndrra?

Robert Ndrenika: Jo nuk hoqëm dorë. Vitin tjetër që u bë konkursi u futëm të tre madje, pa u njohur me njëri-tjetrin. Vitin tjetër fituam dhe fati ishte që ishim në një kurs katër vjet, për aktor.

Pyetje: Ju pëlqenin se ishit i pashëm apo se kishte tek ju shumë talent në aktrim? Si ka ndikuar paraqitja juaj?

Robert Ndrenika: Radhën e parë më skarcuan sepse isha pak a shumë minoren në trup edhe në bukuri. Isha i paformuar. Gjatë shkollës pedagogët më zbuluan këtë anën profesionale, anën e talentit.

Pyetje: Cila ishte pika juaj e fortë sipas pedagogëve të kohës?

Robert Ndrenika: Profesorë kam pasur Luarasin dhe Spahivoglin, ose Spahivoglin dhe Luarasin. Njëri kishte studiuar në Rusi, tjetri në Hungari. Pedagogë shumë të mirë. I ndrittë shpirti atje ku janë.

Pyetje: Në 81 vjet eksperiencë me jetën çfarë ke mësuar? Përveçse shëndeti është shumë i rëndësishëm… Çfarë të bën të jesh një njeri në harmoni me veten tënde? Të bën suksesi? Të bën familja e lumtur? Të bën një mendje e fortë, e shëndetshme…?

Robert Ndrenika: Nuk di si të përgjigjem, por di që jam nga ata që e falënderoj Zotin dhe jetën për kaq sa kam arritur.

Pyetje: E ndjeni veten me fat?

Robert Ndrenika: Deri diku e ndjej veten me fat.

Pyetje: Ke një dëshirë apo një peng që s`është plotësuar?

Robert Ndrenika: Ç`të të them? Të isha milioner? Edhe po të isha milioner do falja majtas-djathtas. Ç`i desha të gjitha? Më kritikon njëra nga këto vajzat. Je minimalist më thotë. Nuk kam qenë shumë…

Pyetje: I etur pas parasë…

Robert Ndrenika: Po. Edhe pas pasurisë. Më pëlqente një frazë që thoshte një burrë i vjetër që para as kam, as më mbarohen.

Mira Kazhani: Ky jeni ju!

Robert Ndrenika: Po kështu jam edhe unë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts