Greqia hapet në Maj për turistët

11:45 12/03/2021

Turizmi përbën 1/5 e ekonomisë së vendit

Greqia po nxjerr shezlongët dhe çadrat në plazhe ndërsa përgatitet të hapet në Maj për turistët dhe të ringjallë industrinë që u godit më rëndë nga pandemia e koronavirusit. Sektori i turizmit përbën një të pestën e ekonomisë së Greqisë.

Greqia po mbështetet në suksesin e vet për të tërhequr turistët në ishuj dhe male. Athina ka kërkuar nga Bashkimi Europian për të lëshuar një pasaportë të përbashkët për të vaksinuarit në mënyrë që udhëtimet të rifillojnë gjatë verës.

“Shpresojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin hapin tonë dhe shpejt të kemi një proces të përbashkët dixhital që do të lehtësojë dhe heqë kufizimet,” tha ministri grek i Turizmit, Harry Theoharis.

Pavarësisht vendimit të Brukselit, ministri shton se Greqia do të jetë e hapur për turistët.

“Të vaksinuarit, ata që rezultojnë negativë nga sëmundja apo ata që kanë anti-trupa janë të mirëpritur në Greqi dhe ne do t’i mirëpresim, cilido qoftë vendimi në Bruksel,” tha ministri.

Gjatë 2020-s, viti më i keq për turizmin në botë, udhëtuan vetëm 7.4 milionë turistë kundrejt 31.3 milionë që udhëtuan një vit më parë.

Të ardhurat nga turizmi ranë në 4 miliardë euro në 2020-n nga 18 miliardë që ishin në 2019-n. Numri i turistëve britanikë dhe gjermanë në Greqi ra me 70% dhe 62% respektivisht.

“Këtë vit besoj do të jemi më mirë, e kam të qartë në mendje,” tha Theoharis.

Greqia ka regjistruar deri më tani rreth 7,000 viktima nga pandemia ndërsa rritja e numrit të infektimeve ditët e fundit nxiti autoritetet të vendosin sërish izolime. Ministri Theoharis hodhi poshtë kritikat se infektimet u rritën për shkak të turizmit.

Banorët e disa ishujve janë vaksinuar dhe deri në fillim të verës do të vaksinohen të gjithë të punësuarit në sektorin e turizmit.

Klan News









Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *