Guardiola ngre duart: Barcelona mund të na blejë cilin lojtar të dojë








Pep Guardiola refuzoi të përjashtonte mundësinë që një prej yjeve të tij të Mançester Sitit të largohet drejt Barcelonës. Ka kohë që katalanasit flitet se janë të interesuar për shërbimet e sulmuesit Rahim Sterling. Dhe ish-klubi i tij mund të bëjë një ofertë lojtar (flitet Frenki de Jong) plus para për të transferuar në “Camp Nou” 26-vjeçarin.

Pep Guardiola

E ardhmja e djalit nga Uembli ka kohë që është objekt spekulimesh. Hapësirat e tij në skuadër janë ngushtuar së tepërmi muajt e fundit dhe ai e ka pranuar publikisht se do ta pranonte me kënaqësi një aventurë të re jashtë Anglisë, për të pasur mundësi që të aktivizohej më tepër. “Nëse do të ishte mundësia për të shkuar diku për të luajtur më shumë minuta, unë do të isha i hapur në këtë moment. Si një futbollist anglez unë njoh vetëm Premier Ligën dhe gjithnjë kam menduar se ndoshta një ditë do të doja të luaja jashtë, për të parë se si do ta përballoja këtë sfidë”, tha Sterling për “Financial Times”.

Guardiola nuk iu referua specifikisht Sterlingut në daljen e tij të fundit publike, por pranoi gjatë një eventi golfi për bamirësi nga vendlindja e tij, se ai nuk mund të përjashtojë transferimin e ndonjë prej futbollistëve të tij drejt Barcelonës në të ardhmen. “Sinqerisht nuk ia kam idenë”, tha trajneri përmes “Manchester Evening News”.

“Unë nuk di asgjë. Por nuk është se do t’ua thosha, gjithsesi. Nëse Barcelona është e interesuar për ndonjë nga lojtarët tanë, unë jam i bindur se ata mund t’i marrim. Barcelona vazhdon të mbetet një klub tërheqës, madje më shumë sesa tërheqës. Qyteti, klubi, historia janë gjithnjë shumë joshëse për trajnerët dhe për futbollistët.

Nëse Barcelona është e interesuar për ndonjë nga futbollistët tanë, ata do të fusin një makineri në operacion, një anije. Barcelona mund të përdorë mediat e saj për të ndikuar te transferimet. Kjo është një nga ato gjëra që bën klubi. Ata mund të bëjnë çfarë të duan, të mirë apo të keqe”, tha Pep. Por presidenti Laporta duhet të gjejë zgjidhje të mençura për operacionet e transferimeve të këtij kalibri, duke parë krizën financiare në “Camp Nou”.

Borxhet e klubit i kanë kaluar 1.2 miliardë euro, ndërsa shumë prej lojtarëve të ekipit të parë kanë pranuar t’i shkurtojnë rrogat për të ndihmuar klubin që të mos shkojë drejt falimentit. Katalanasit kanë bërë nisjen më të dobët të sezonit në La Liga që prej 1987-’88 dhe vendosën të shkarkojnë trajnerin Ronald Kuman. Holandezin e ka zëvendësuar Ksavi dhe tani të gjithë ëndërrojnë që ish-mesfushori të përsërisë sukseset e Guardiolës gjatë 4 viteve të tij në klub.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *