Hamasi: Nëse Izraeli dëbon familjet palestineze, armëpushimi nuk vlen

Një udhëheqës i Hamasit në Rripin e Gazës sot e përshkroi armëpushimin e fundit midis grupeve të rezistencës palestineze dhe Izraelit si “të brishtë”.

“Qëndrimi i administratës së Tel Avivit do të përcaktojë të ardhmen e armëpushimit”, tha, Yahya Sinwar.

“Nëse shteti okupator ndalon të gjitha sulmet në të ardhmen ndaj Xhamisë Al-Aksa, Kudsit dhe popullit tonë atje, armëpushimi do të vazhdojë”, tha Sinwar.

“Nëse pushtuesit përdhosin përsëri Xhaminë Al-Aksa ose detyrojnë njerëzit tanë në lagjen Sheikh Jarrah të largohen nga shtëpitë e tyre, përsërisin atë që bënë më parë, armëpushimi nuk do të vlejë”, paralajmëroi ai.

Sinwar i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të bëjë presion mbi administratën e Tel Avivit për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar dhe për të ndaluar sulmet ndaj Kudsit, Xhamisë Al-Aksa dhe Palestinës.

Duke akuzuar Izraelin për kryerjen e “masakrave” të reja dhe “krimeve kundër njerëzimit” gjatë sulmit të fundit, Sinwar tha se ata janë të gatshëm të bëjnë të gjitha llojet e sakrificave për të mbrojtur Kudsin dhe Al-Aksën.

Të premten e kaluar hyri në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti midis grupeve palestineze të rezistencës dhe Izraelit, duke i dhënë fund 11 ditëve të ciklit të luftimeve më të ashpra në vite.

Që nga 13 prilli, përplasjet shpërthyen në të gjithë territoret e okupuara për shkak të sulmeve izraelite dhe kufizimeve ndaj palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Xhaminë Al-Aksa dhe vendimit të një gjykate izraelite për të dëbuar 12 familje palestineze nga shtëpitë e tyre në favor të kolonëve izraelitë.

Tensionet u zhvendosën në Gaza më 10 maj, duke çuar në një konfrontim ushtarak midis forcave izraelite dhe grupeve palestineze të rezistencës, ku avionët luftarakë izraelitë shkaktuan një shkallë të paparë shkatërrimi në territorin e pushtuar.

Të paktën 254 palestinezë humbën jetën, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra dhe më shumë se 1.900 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në Gaza. Të paktën 31 palestinezë u vranë gjithashtu në sulmet izraelite në Bregun Perëndimor të okupuar.

Trembëdhjetë izraelitë u vranë në sulmet raketore palestineze nga Rripi i Gazës.

Kudsi mbetet epiqendra e konfliktit izraelito-palestinez, ku palestinezët shpresojnë se Kudsi Lindor, tani i pushtuar nga Izraeli, përfundimisht mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti të ardhshëm palestinez.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë zonën “Mali i tempullit”, duke pretenduar se aty në kohërat antike ndodheshin dy tempuj hebrenj.

Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët në kompleks pothuajse çdo ditë.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, gjatë Luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje e cila nuk u njoh kurrë nga bashkësia ndërkombëtare.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *