Hasanbelliu: Olsi Ramës nuk i del inati për penalltinë e Vllaznisë, por më uroi i pari. Martinin e shkarkova pas… (E PLOTË)






“Kur humbëm me Partizanin në Durrës, mendova se do të kishim vetëm 10% shanse për të dalë kampion. Ndërsa kur na shënoi Apolonia për 2-1, u binda që nëse nuk do të fitonim me rezultatin që na siguronte titullin, unë do ta mbyllja aty me futbollin”. Ky është Edmond Hasanbelliu, presidenti më i vjetër i futbollit shqiptar, i cili fitoi titullin e parë kampion pas 22 vitesh në krye të Teutës. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, kreu i klubit durrsak tregon të pathënat e sezonit që e mbylli si kampion. Hasanbelliu ka për të gjithë, nga ish-ortaku Bardhi, te Martini, Brdariç, Bregu dhe Krasniqi, ndërsa zbulon se drejtuesit e Partizanit e uruan të parët.

HASANBELLIU

Zoti Hasanbelliu, duhet të kalonin 22 vite si president, që Teuta të fitonte titullin. Çfarë do të thotë ky trofe për ju?

Nuk e kisha provuar ndonjëherë këtë ndjesi, edhe pse në 3-4 raste kemi qenë afër titullit. Është diçka ndryshe tani, që nga fjala kampion. Ndjesi komplet tjetër, edhe pse për aq sa jam unë president, e kemi fituar Kupën tri herë. Natyrisht, për të ardhur deri këtu, kemi pasur lloj-lloj peripecish. Shyqyr që të paktën të ardhurat që kemi tashmë si kampion, na mbulojnë edhe shpenzimet që kemi bërë gjatë sezonit. Kjo është diferenca kur del dhe kur nuk del kampion. Nuk mund të them se është ndonjë fitim i madh, por ama kënaqësia është vërtet e madhe. Gjithsesi, për mua është diçka komplet ndryshe nga eksperiencat që kam me Kupën. Sigurisht që ndihem më komod.

Si ka mundësi që në këto dy dekada Teuta ka vuajtur kaq shumë për trofeun më të rëndësishëm, në një kohë që ka klube të cilat edhe pse janë futur vonë në elitë, kanë fituar tituj dhe bërë histori…?

Ka zgjatur kaq kohë pa titull edhe për fajin tim, por nuk mund të shkatërroja veten, sepse sot nuk do të isha më pjesë e futbollit nëse ndodhte kështu. Mua më ka mbajtur në futboll pasioni. U bëra 22 vite në futboll, u plaka… (qesh). E kam nisur 36 vjeç dhe tani po shkoj 60. Një jetë të tërë në futboll dhe natyrisht kjo ndikon nga ana financiare. Kam qenë bashkë me vëllain në këtë angazhim dhe realiteti është se jemi dëmtuar shumë nga ana financiare. Në këto vitet e fundit kam pasur si ortak kompaninë “Pascucci”, që më dha një ndihmë, por 22 vite vetëm janë shumë në futbollin tonë.

191455454_904824677030379_4907054225816732258_n (1) (1)

Në mesin e sezonit ortaku juaj, Ardian Bardhi, u largua…

Përmes gazetës suaj më duhet ta falënderoj, pavarësisht se ai iku si tradhtar nga Teuta te Dinamoja. Megjithatë, për kontributin që ka dhënë për klubin tonë, gjej rastin ta falënderoj.

Qetësia që keni përçuar ju në klub dhe ambientin përreth gjithë këto vite mos ndoshta ka ndikuar shpesh edhe për keq në disa faktorë?

U plaka me futboll, por mbase mësova edhe unë tani duke dëgjuar gjithë këto vite. Gjithsesi, shumica e presidentëve më dhanë një ndjesi shumë të mirë pas fitimit të këtij titulli dhe i falënderoj. Më duket sikur edhe ata vetë u kënaqën që e mora unë titullin kampion. Më uruan të gjithë, duke filluar nga Gaz Demi i Partizanit, por edhe Olsi Rama, të cilit ende nuk i del inati për penalltinë që i dhanë Vllaznisë.

Cili ka qenë urimi më i bukur që keni marrë dhe si e keni përjetuar këtë moment në familje?

Të gjitha të veçanta kanë qenë, urime të shkurta më tepër. Batuta më e bukur ishte: “Shyqyr, se u plake 22 vjet”. Në darkën që bëmë i ftova të gjithë miqtë, natyrisht që më ngacmuan shumë. Këtë herë kisha edhe vëllain, po ai nuk është marrë shumë, nuk ka ardhur as në stadium. Tani problemi është se na janë rritur fëmijët dhe kanë nisur ta përjetojnë shumë edhe ata. Janë bërë më tepër tifozë se duhet, por ky është pak edhe faji im. Në përgjithësi dua t’i mbaj pak larg.

Kur ka qenë një moment që jeni ndier shumë keq këtë sezon dhe keni menduar se Teuta nuk e fiton dot titullin?

Jo më larg se gjatë ndeshjes me Apoloninë. Kur shkoi ndeshja 2-1 dhe nga ana tjetër Vllaznia po fitonte, thashë se do ta lija fare futbollin, do të hiqja dorë nga klubi. Kur lojtarët e mi nuk mundin dot një skuadër që ka rënë nga Superiorja, më mirë po e lë fare… Kështu mendova dhe betohem për këtë.

Hasanbelliu

Kur ka qenë hera e fundit që keni kërkuar ta shkarkoni trajnerin Martini?

Jo një herë, po shumë herë. Të them të drejtën, jam mërzitur shpesh gjatë kampionatit, por sidomos kur u eliminuam nga Kupa e Shqipërisë ndaj Skënderbeut. Po e them sot për herë të parë, që menjëherë pas humbjes 0-2 në Durrës, e largova Martinin. Këtë ia kam thënë në sy edhe vetë trajnerit, por ishte koha e papërshtatshme atë moment dhe ndryshova mendim, sepse vetëm 3 ditë më pas luanim në Korçë për kampionat.

Jam shumë në konflikt me trajnerët në përgjithësi, gjithmonë bëjmë debate sa herë ka ndeshje të dobëta apo humbje që janë shumë të këqija. Me Starovën dhe Martinin, gjithnjë debatoj shumë në ditën pas ndeshjes, qoftë për mënyrën si luan skuadra, rezultatet etj. Gjithmonë kam konflikte me ta, sepse nuk jam i kënaqur. Duke kërkuar llogari më tepër, unë mendoj se puna bëhet edhe më mirë.

Të shumtë janë ata që habiten për durimin që keni pasur kur Teuta pati një seri të gjatë barazimesh në fazën e parë…

Po çfarë të bëja?! Për mua është problem i madh për të gjetur një trajner. Pavarësisht se ne si presidentë mund të mos jemi të kënaqur, nuk duhet të nxitohemi. Koha ka treguar se kur kam bërë prova të tilla, duke larguar në mes të sezonit trajnerë të ndryshëm, kam dështuar. Më ka dalë shumë më keq kur i kam zëvendësuar brenda sezonit, prandaj dhe këtë herë zgjodha të duroja me Martinin.

Cila ka qenë ndeshja që vërtet ju ka çmendur?

Ajo me Skënderbeun për Kupë në Durrës, sepse edhe ortaku im pas asaj ndeshjeje u detyrua të largohej. I dukej sikur toleruan lojtarët. Na ka gjetur belaja tani, sepse kur lëmë pikë me ndonjë ekip të dobët, opinioni të gjykon mbrapsht, thotë “e shitën”. Pastaj kur bëjmë fitore, thonë “e blemë”. Në një vend si Shqipëria, ku demokracia është e brishtë dhe ka njerëz që s’kanë me çfarë të merren, është hall i madh. Megjithatë, për mua ajo ndeshje ndaj Skënderbeut ishte skandal, sepse që në fillim të lojës, 0-2.

Pastaj humbet besimi dhe gjithçka. Nuk mund të harroj as dy barazimet me Kastriotin në Durrës, por gjithashtu edhe me Skënderbeun në fushën tonë. Të gjitha këto më mërzitën, duke menduar se ne e kishim ekipin shumë më të plotë se të tjerët dhe madje u forcuam. E bëmë skuadrën edhe më të mirë. Mirëpo, askush nuk e parashikoi që Vllaznia, nga një ndeshje shtesë për të qëndruar në Superiore, befas u bë pretendente për titullin. Kjo do të thotë se nuk kemi qenë mirë ne si Teutë me trajnerët tanë.

Vllaznia prishi çdo parashikim të fillimit të sezonit…?

Po, dhe me këtë rast unë dua ta përgëzoj trajnerin e saj, Brdariç. Për mua ai është trajneri më i mirë i këtij sezoni në kampionatin shqiptar. Edhe pse me një grup të brishtë, ai bëri një superskuadër dhe e mbylli me dinjitet.

Është momenti që Teuta të krijojë një cikël të ngjashëm si Skënderbeu, që dominoi për shumë vite kampionatin shqiptar?

Kohët janë të njëjta, por të tregohemi të sinqertë, diferencën në çdo moment e bëjnë të ardhurat. Nëse ke financa të shëndosha, gjithçka rregullohet. Kur vjen puna te paratë, kujtoj me nostalgji nënën time.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Në kohën e sistemit komunist, kur kam qenë i vogël, shkoja te halla ime dhe haja byrek. Më pas i thosha nënës: “Ti nuk di ta bësh byrekun, e bën më të mirë halla”. Mirëpo, halla kishte një ekonomi më të mirë se ne. Ndërsa plaka më përgjigjej kështu: “Të kisha unë gjalpin dhe ato gjërat e tjera që ka halla, ta tregoja unë çfarë byreku bëja”. Kështu është kjo punë tani. Me të ardhura më të shumta, bëj unë jo ekip, por superekip.

Gjithsesi, për të qenë seriozë, kjo është edhe çështje menaxhimi. Nga sa di unë, të ardhurat nga UEFA për ne si ekip për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve dhe Konferencë Ligë shkojnë pak më shumë se 800 mijë euro. Pastaj të ardhurat që vijnë nga FSHF-ja kemi menduar t’ua japim si shpërblim lojtarëve për objektivin e arritur. Përfundimisht sa do të jetë premioja për ekipin? Lojtarëve u kemi thënë se do të jetë mbi 100 milionë lekë (të vjetër).

Me Martinin do të rinovoni kontratën?

Trajneri na e mbylli gojën. Madje, kur dolëm kampionë, i thashë: “Hajd të të durojmë ty tani!”

Çfarë plani keni?

Së pari të forcojmë skuadrën për Europën. Ishalla kemi edhe fat në short, mbase na bie ndonjë skuadër e kalueshme në turin e parë të Ligës së Kampioneve. Ka klube që mund t’i eliminojmë, si Buduçnosti i Malit të Zi apo edhe Riga në Letoni. Mund të luajmë edhe me Shkëndijën, aty-aty janë me ne. Pastaj ekipet e tjera të grinë, nuk ke shanse, duke filluar nga Dinamoja e Zagrebit

Si është situata me kontratat e lojtarëve te Teuta?

Shumica e lojtarëve nuk kanë kontratë, u mbaron. Ndërsa me një pjesë kemi marrëveshje edhe për Kupat e Europës. Do të flasim këto ditë për ata që do të rinovojnë dhe kush do të largohet. Kemi vendosur që shumicën e futbollistëve ta mbajmë, por së pari na duhet të forcohemi, veçanërisht në sulm. Nuk jam i kënaqur nga qendërsulmuesi Krasniqi.

Cili lojtar ju ka kënaqur pa masë këtë sezon dhe cili ju ka zhgënjyer më tepër?

Janë dy lojtarë. Bregu më ka kënaqur jashtë mase, ndërsa Krasniqi më ka zhgënjyer shumë. Më ka lodhur pa fund… Është një djalë i urtë dhe shumë i mirë, por për ta bërë dhëndër…

pjimage (3)

Fakti që ka shënuar pak ju ka mërzitur apo nuk jeni i kënaqur me angazhimin e tij në përgjithësi gjatë sezonit?

Jam totalisht i zhgënjyer dhe këto fjalë ia kam thënë në sy atij djali. Është zhgënjimi im personal, sepse kam insistuar vetë për ta marrë te Teuta, por nuk dha atë që pritej. Me cilësitë që ka ai, prisja shumë, por ka edhe një vit kontratë me ne. Nëse do të ketë oferta, mund ta shesim. Na duhet të marrim një sulmues tjetër, në mënyrë që të shtojmë konkurrencën aty në qendër, sepse kështu edhe Krasniqi mund të shpërthejë. Kemi pasur Kapllanin si zëvendësues, por do të marrim një tjetër sulmues dhe më pas të konkurrojnë të tre.

Përpara se të shpalleshit kampion, keni pasur ndonjë peng shumë të madh për një ndeshje të caktuar?

Pengu më i madh i viteve të fundit është ndeshja me Ventspilsin në Letoni për Ligën e Europës kur ishim me Shkëmbin trajner. Më ka djegur shumë ajo humbje 3-0, sepse realisht kundërshtari m’u duk i dobët. Ne kërkuam fitoren në Letoni dhe pësuam tre gola. Ka qenë zhgënjimi më i madh.

Të flasim pak për rivalitetin në sezonin që u mbyll. Cila skuadër ju ka trembur më shumë?

Të gjitha kanë pasur oshilacione. Edhe Tirana që mbeti jashtë Europës, shumë e fortë ka qenë. Në fakt, unë më shumë siklet kam pasur Laçin. Kemi qenë në fillim dy skuadrat më të plota dhe që u plotësuam me lojtarë cilësorë. Mendova se konkurrent për kampion do të kisha Laçin, jo të tjerat. Nuk e llogarita Partizanin prej bllokimit të merkatos, por ardhja e Ilir Dajës e rregulloi dhe shkoi deri në fund për titull.

Kur humbët në Durrës ndaj Partizanit, patët shenja dorëzimi apo sërish besonit?

Po, po aty thamë ne e humbëm titullin. Mirëpo, fati bëri që të kthehej situata. Sinqerisht mendova se do të shkonim në Laç për fitore dhe shpresoja se Vllaznia do të merrte të paktën një pikë ndaj Partizanit. Kisha pak shpresa, më saktë 10% në atë moment.

Ju bën përshtypje fakti që ekipi juaj ka dalë kampion me 15 barazime, në një kohë që shpesh trajnerët dhe specialistët e futbollit kanë shprehur rezerva për mënyrën se si luan Teuta…

Unë mendoj se kemi bërë edhe ne ndeshje të bukura. Po marr si shembull tri barazimet me Partizanin, ku kemi qenë më pranë fitores në të tria ndeshjet. Kemi qenë dominantë ndaj tyre, madje kemi humbur penallti në fund me Emiljano Vilën. Pastaj, kemi pasur vështirësi si skuadër në Laç, pasi aty është një fushë dhe ambient i vështirë. Në ndeshjet në Durrës kemi dominuar ndaj Laçit dhe Vllaznisë. Kemi luajtur shumë keq vetëm një ndeshje në Shkodër. Sigurisht kemi shumë zhgënjime brenda vetes, me 15 barazime dhe shumicën e tyre në fushën tonë. Kemi bërë më shumë fitore jashtë Durrësit. Kjo do të thotë se e kemi pasur skuadrën, por kemi pasur probleme në shumë ndeshje.

Fundi i kampionatit ka prodhuar shumë polemika, me akuza të forta ndaj arbitrave, kryesisht nga Partizani. Si mendoni, sa ndikoi në garën për titull gjykimi?

Për mua arbitrimi është rritur nga viti në vit, por probleme kanë pa diskutim, sepse janë maskarenj. E them këtë në kuptimin e mirë të fjalës, pasi janë të frikshëm si arbitra. Por, ama të gjitha ekipet janë ankuar, jo vetëm Partizani. Edhe ne jemi ankuar.

Teuta titulli

Megjithatë, mendoj se nuk kanë gjykuar keq këtë sezon. Për shembull, rasti i Partizanit që thonë se nuk ishte penallti në ndeshjen ndaj Vllaznisë, për mua ishte e pastër. Kam debatuar me disa moviolistë, si Jemini dhe Pregja, për këtë, por më duket penallti. Shikoj sport përditë dhe më duket zgjatje e dorës për të penguar topin. Olsi Rama ka nxjerrë një video për një rast në finalen e Ligës së Europës, VijarealMançester Junajtid, por i them që ajo ndryshon nga penalltia e Vllaznisë, pasi është lart shumë, gati te supi.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *