Hetimet për sulmin në Kapitol, kush është thirrur për të dëshmuar në Kongres

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton sulmin e 6 janarit ndaj Kapitolit ka lëshuar dhjetëra fletëthirrje ndërsa po kërkon intensivisht informacion për origjinën e sulmit dhe veprimet, apo mosveprimet ish-Presidentit Donald Trump për ta ndalur atë.

Komisioni po punon njëkohësisht në disa drejtime, duke kërkuar dëshmitë e personave në rrethin e brendshëm të zotit Trump, rreth veprimeve të tij të asaj dite, të këshilltarëve të jashtëm, që organizuan tubimin, ku ai mori fjalën më 6 janar, si dhe të aleatëve, që hartuan strategjinë e përmbysjes së fitores së Presidentit Joe Biden. Komisioni gjithashtu po shqyrton rrethin e njerëzve pranë ish-Nënpresidentit Mike Pence dhe po merr në pyetje dëshmitarë rreth përpjekjet për t’i bërë atij presion, që të ndalte numërimin në Kongres të votave elektorale.

Komisioni pritet të lëshojë fletëthirrje të tjera, ndërkohë që disa dëshmitarë, në veçanti ata që janë më afër zotit Trump, kanë sinjalizuar se nuk do të bashkëpunojnë, ose se do të refuzojnë t’i përgjigjen pyetjeve. Sidoqoftë, ligjvënësit kanë folur tashmë me mbi 150 persona, shumica e tyre të paraqitur vullnetarisht, për rrethanat që sollën sulmin e dhunshëm nga mbështetësit e zotit Trump.

Megjithëse komisioni nuk ka autoritetin të ngrejë akuza, ose të ndëshkojë dikë për veprimet e ndërmarra, shtatë ligjvënësit demokratë dhe dy republikanë të këtij komisioni thonë se shpresojnë të përpilojnë të dhënat më gjithëpërfshirëse deri më sot, për atë çfarë ndodhi kur qindra mbështetës të zotit Trump u përplasën me policinë dhe hynë me dhunë në Kapitol, duke ndërprerë çertifikimin e fitores së zotit Biden.

Në vazhdim një përmbledhje e personave për të cilët ka lëshuar fletëthirrje komisioni, si dhe të hapave të ardhshëm të hetimit.

RRETHI I BRENDSHËM I ZOTIT TRUMP

Fletëthirrjet e para të komisionit në fund të shtatorit iu dërguan katër personave, që ishin ndër aleatët më besnikë të zotit Trump: ish-Shefit të Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows, ish-këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon, ndihmësve të hershëm për komunikimin Daniel Scavino dhe Kashyap Patel, si dhe një ndihmësi të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, që kaloi në Pentagon në javët pasi zoti Trump humbi zgjedhjet.

Zoti Bannon i tha menjëherë komisionit se nuk do të bashkëpunonte, duke cituar një letër nga avokati i zotit Trump, duke pretenduar se bisedat e tij gëzonin imunitet dhe se nuk mund të bëheshin publike. Komisioni kundërshtoi këtë arsyetim dhe Dhoma e Përfaqësuesve votoi për ta deklaruar zotin Bannon fajtor për shpërfillje të Kongresit, dhe ia dërgoi çështjen Departamentit të Drejtësisë. Nuk është marrë ende një vendim nga prokurorët nëse do të ngrenë akuza penale.

Edhe zoti Meadows mund të gjendet fajtor për shpërfillje të Kongresit, pasi avokati i tij sinjalizoi të enjten se nuk do të dëshmojë, duke thënë në një deklaratë se këtë duhet ta vendosin gjykatat, pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden do të heqë privilegjin e imunitetit ekzekutiv për dëshmitë, që ish-Presidenti Trump pretendon se është ende i vlefshëm.

Nga ai moment, Dhoma e Përfaqësuesve ka dërguar fletëthirrje të shumta për anëtarë të tjerë të mirënjohur të rrethit të brendshëm të zotit Trump, përfshirë ish-sekretaren e shtypit Kayleigh McEnany dhe ndihmësat kryesorë Stephen Miller dhe Jason Miller. Komisioni thotë se të tre personat morën pjesë në përpjekjet për të përhapur dezinformim dhe se mund të kenë qenë së bashku me zotin Trump ndërsa zhvillohej sulmi. Ky moment përbën një aspekt kyç të hetimit, pasi ende dihet shumë pak nëse presidenti bëri diçka për ta ndalur sulmin.

PERSONAT NË ORBITËN E BRENDSHME TË ISH-NËNPRESIDENTIT PENCE

Komisioni po përpiqet gjithashtu të mësojë më shumë rreth përpjekjeve për t’i bërë presion ish-Nënpresidentit Mike Pence, i cili drejtonte seancën në Kongres për çertifikimin e zgjedhjeve dhe që u rezistoi përpjekjeve agresive nga zoti Trump dhe shumë aleatë të tij, që synonin ta detyronin të përpiqej ta përmbyste procesin zyrtar, në favor të zotit Trump.

Komisioni ka dërguar fletëthirrje për Keith Kellog-un, i cili ishte këshilltari i sigurisë kombëtare i ish-Nënpresidentit Pence, duke përmendur se ai gjendej me ish-Presidentin Trump ndërsa zhvillohej sulmi dhe se “mund të ketë informacion të drejtpërdrejtë për deklaratat, apo reagimet e ish-presidentit ndaj sulmit në Kapitol”. Bazuar në disa rrëfime, komisioni beson se zoti Kellogg i bëri thirrje ish-Presidentit Trump të dërgojë një mesazh në Twitter për ta vendosur turmën nën kontroll.

Ish-zëdhënësja e zotit Pence, Alyssa Farah, ka folur me anëtarët republikanë të komisionit, Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, si dhe ka ofruar dokumenta, thotë një person në dijeni të bisedimeve dhe që kërkoi t’i ruhet anonimiteti për t’u shprehur për këto biseda konfidenciale. Nëpërmjet disa mesazheve në Twitter më 6 janar, zonja Farah i bëri thirrje ish-Presidentit Trump të dënonte trazirat ndërsa ato po ndodhnin dhe t’i bënte thirrje mbështetësve të tij të tërhiqeshin. “Dënojë këtë tani, @realDonaldTrump”, shkruante ajo në Twitter. “Ti je i vetmi që ata do ta dëgjonin. Për vendin tonë!”.

Komisioni duket se është i interesuar të bisedojë edhe me ndihmës të tjerë të ish-Nënpresidentit Pence, shumë prej të cilëve ishin të zemëruar nga mënyra se si u trajtua nënpresidenti nga zoti Trump, të cilit ai i bëri thirrje publikisht, ndërkohë që trazirat kishin filluar, të përmbyste rezultatin, një autoritet të cilin nënpresidenti nuk e gëzonte. Disa prej sulmuesve thërrisnin emrin e zotit Pence, ndërsa hynin me forcë në Kapitol dhe bënë thirrje për varjen e tij.

STRATEGËT

Komisioni dërgoi të hënën fletëthirrje për disa nga bashkëpunëtorët e zotit Trump, të cilët u përfshinë nga afër në përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet dhe të cilët përpara sulmit u mblodhën në një dhomë të ashtuquajtur “shtab lufte”.

Ndër këta aleatë të zotit Trump janë: juristi John Eastman; ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn; Bernard Kerik, për të cilin komisioni thotë se pagoi për dhomat e hotelit që shërbyen si qendra komandimi përpara sulmit të 6 janarit; Bill Stepien, menaxher i fushatës së vitit 2020 për rizgjedhjen e zotit Trump; si dhe Angela McCallum, ndihmëse kombëtare ekzekutive për fushatën Trump.

Në një letër drejtuar zotit Flynn, i cili është vetëdeklaruar dy herë se gënjeu FBI-në dhe që më vonë u fal me dekret nga ish-Presidenti Trump, komisioni citon një takim të dhjetorit 2020 ku zoti Flynn dhe pjesëmarrës të tjerë “diskutuan për sekuestrimin e makinerive të numërimit të votave, për shpalljen e një emergjence kombëtare, për aktivizimin e disa fuqive për situatat e emergjencës së sigurisë kombëtare, dhe për vazhdimin e përhapjes së mesazhit se zgjedhjet e nëntorit 2020 ishin njollosur nga manipulimi i gjerë”.

Edhe avokati Eastman mendohet se mori pjesë në hartimin e strategjive për përmbysjen e fitores legjitime të zotit Biden dhe se filloi të kontaktojë për këtë autoritetet e shteteve amerikane.

NDIHMËSA TË TJERË TË SHTËPISË SË BARDHË

Të martën, komisioni dërgoi fletëthirrje për disa ndihmësa të Shtëpisë së Bardhë. Disa prej tyre ishin ndihmësa të nivelit më të lartë dhe të tjerë i përkisnin nivelit të ulët apo të mesëm të stafit që mund të kenë parë aktivitetin e zotit Trump ndërsa trazirat po përshkallëzoheshin.

Ndihmësat e Shtëpisë së Bardhë të thirrur nga komisioni janë: asistenti i tij personal Nicholas Luna, për të cilin komisioni thotë se mund të ketë qenë i pranishëm gjatë një telefonate të ish-Presidentit Trump me ish-Nënpresidentin Pence ku i bënte presion të mos çertifikonte fitoren e zotit Biden; asistentja speciale Molly Michael, për të cilën komisioni thotë se dërgoi informacion për manipulimin zgjedhor “individëve të ndryshëm sipas udhëzimit të Presidentit Trump”; si dhe zëvendës ndihmësin Ben Williamson, një këshilltar i lartë për shefin e stafit Meadows.

Fletëthirrje të tjera iu dërguan zëvendës shefit të stafit Christopher Liddell, i cili ndodhej në Shtëpinë e Bardhë më 6 janar dhe sipas njoftimeve shqyrtoi mundësinë e dorëheqjes; si dhe drejtorit të personelit John McEntee dhe asistentes speciale Cassidy Hutchinson, të cilët komisioni thotë se gjendeshin gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë, si dhe në tubimin e zhvilluar atë ditë.

DEPARTAMENTI I DREJTËSISË

Komisioni i dërgoi fletëthirrje këtë javë ish-zyrtarit të Departamentit të Drejtësisë, Kenneth Klukowski, që mendohet se komunikoi me Jeffrey Clark, një ish-nënprokuror i përgjithshëm, për një letër që zoti Clark kishte hartuar ku i bëhej thirrje zyrtarëve në shtetin Xhorxhia të vononin çertifikimin e rezultateve të votimit në atë shtet për shkak të manipulimit të pretenduar.

Komisioni thotë se zoti Clark dhe zoti Klukowski biseduan përpara një takimi më 3 janar në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit ish-Presidenti Trump shtroi haptazi mundësinë e zëvendësimit të Prokurorit të Përgjithshëm Jeffrey Rose me zotin Clark. Zoti Rosen dhe drejtues të tjerë në departament kishin hequr dorë nga pretendimet e rreme për manipulim.

Komiteti thirri zotin Clark në tetor dhe ai u paraqit për një dëshmi javën e kaluar, por nuk pranoi të dëshmonte, pjesërisht bazuar në pretendimet e ish-Presidentit Trump për privilegjin ekzekutiv.

ORGANIZATORËT E TUBIMIT

Si pjesë e hetimit të tij mbi origjinën e trazirave të 6 janarit, një fokus i panelit ka qenë tubimi masiv i zotit Trump që u mbajt atë mëngjes dhe vazhdoi edhe pas fillimit të sulmit në Kapitolit.

Të përfshirë në një listë prej 11 fletëthirrjesh në shtator ishin Amy dhe Kylie Kremer, themeluese të “Women for America First”, një grup që ndihmoi në organizimin e tubimit; Cynthia Chafian, një organizatore që dorëzoi kërkesën e parë për leje për tubimin; Caroline Wren, e cila komisioni thotë se ishte renditur në dokumentet e lejes për mitingun e 6 janarit si “Këshilltare VIP”; dhe Maggie Mulvaney, për të cilën paneli thotë se ishte renditur në kërkesën për leje si “Drejtuese VIP”.

Disa nga personat e lidhur me tubimin kanë bashkëpunuar. /VO

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *