Hetimi i zgjedhjeve në Parlament “dështon” pa nisur nga puna. Ja çfarë thotë dokumenti që ka përplasur deputetët








MARIGLEN KUME/ Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit po dështon pa nisur ende nga puna. Kanë kaluar rreth 10 ditë nga ngritja e tij dhe palët ende nuk kanë përfunduar procedurat bazë pasi deputetët e maxhorancës kanë braktisur mbledhjen.

komisioni hetimor per zgjedhjet

Në mbledhjen e parë të javës së kaluar komisioni caktoi dy deputet përgjegjës, një nga PS-ja dhe një nga PD-ja për të negociuar rregulloren. Konkretisht Nasip Naço nga PS-ja dhe Ervin Salianji nga PD-ja.

Gazeta “Panorama” ka siguruar dokumentin ku dy deputetët janë përplasur për rregulloren dhe nuk kanë gjetur dakordësinë.

Mosrakordimi i deputetëve ka nisur në nenin 10 të rregullores. Duke qenë se komisioni përbëhet nga një numër i barabartë deputetësh nga pozita dhe opozita, Nasip Naço kërkoi që në rregullore të sanksionohej që kur për një çështje votat ndaheshin në mënyrë të barabartë propozimi rrëzohej.

Por, kjo është kundërshtuar nga deputeti Salianji, i cili argumentonte se në raste të tilla vota e kryetarit të Komisionit prevalon dhe merr peshë më të madhe.

“Ligji Nr. 8891/2002 dhe Rregullorja e Kuvendit nuk përmbajnë përcaktime për rastet e barazisë së votave, por nëse do t’i referohemi ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe të enteve publike”, në nenin 15, pika 1 parashikohet se “Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë dhe votimi nuk ka qenë i fshehtë, vota e kryetarit është vendimtare”, ka argumentuar Salianji në draft-rregulloren e brendshme.

TË FTUARIT

Përplasja e radhës e dy deputetëve, e cila nuk u zgjidh as në mbledhjen e djeshme ishte në nenin 14 të rregullores ku Naço kërkon që të ndryshohet pika 2 dhe pika 3 e rregullores që përcakton procedurën e thirrjes së dëshmitarëve.

Sipas Naços, personat që do thirren do votohen në Komision. Por, edhe kjo është kundërshtuar nga deputeti Salianji, i cili shprehet se propozimi i Naços është i kundërligjshëm.

“Pikat 2 dhe 3 vijnë në kundërshtim me nenin 13, pika 4 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002, pasi synojnë të kufizojnë të drejtën që ka çdo anëtar i komisionit për hetime ose marrje provash, me vendime të ndërmjetme.

Ligji ka parashikuar qartazi këtë të drejtë, pa ia nënshtruar asnjë procedurë votimi, apo vendimmarrje të Komisionit. Në këtë punë, pikat 2 dhe 3, pjesët me të kuqe, vijnë në kundërshtim me dispozitën e sipërcituar të ligjit nr. 8891/2002, rrjedhimisht janë të papranueshme. Rregullorja nuk mund t’u mohojë anëtarëve të Komisionit një të drejtë thelbësore që iu ka njohur ligji”, thuhet në dokument.

Mosdakordësitë nuk u sheshuan as gjatë mbledhjes. Madje ato agravuan deri në bojkotimin e mbledhjes nga ana e PS-së. Kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj, e quajti largimin e PS-së një tentativë për të zvarritur hetimin.

“Duket se kjo është një strategji e menduar prej tyre për të bërë të pamundur veprimtarinë e komisionit, sepse ju e dini që komisioni mblidhet sa herë që ka kuorumin, pa asnjë arsyetim”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, vetëm pas disa orësh reagoi edhe maxhoranca përmes nënkryetarit Toni Gogu.

“Provokimit të vazhdueshëm për të nxjerrë Komisionin nga udha e ligjshmërisë në përmbushje të funksionit të tij të hetimit e për ta kthyer në “foltore” nuk do i përgjigjemi kurrë pozitivisht”, u shpreh zëvendëskryetari.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *