Hetimi për inceneratorët, Tabaku: Mazhoranca sulmoi dhe pengoi hetimet, shqiptarët të bashkohen me opozitën

hetimi per inceneratoret tabaku mazhoranca sulmoi dhe pengoi hetimet shqiptaret te bashkohen me opoziten
hetimi per inceneratoret tabaku mazhoranca sulmoi dhe pengoi hetimet shqiptaret te bashkohen me opoziten

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me hetimin për aferën e inceneratorëve, ku më konkretisht është ndalur te dosja e Arben Ahmetajt.

Tabaku shkroi në Facebook se në dosjen për hetimet për inceneratorët, vëren manualin e një shteti të kapur e shton se afera e inceneratorëve u ka kushtuar shqiptarëve 430 mln euro.

Ajo u shpreh se sot mazhoranca që po përpiqet që të përfitojë nga gjoja mbështetja për Reformën në Drejtësi, qe e para që gjithashtu sulmoi dhe pengoi hetimin parlamentar për aferën e inceneratorëve.

Tabaku theksoi se sot më shumë se kurrë nevoja e shqiptarëve është të bashkohen drejt një opozite e cila nuk është më perfektja, por që edhe në mungesë të përsosmërisë ka treguar se është e denjë të drejtojë beteja të guximshme që kanë arritur deri këtu dhe me gjasë edhe më shumë.

Postimi i plotë:

Koha të ndryshojmë të ardhmen!

Që prej ditës së djeshme, historia politike e Shqipërisë nuk është më e njëjtë. Për herë të parë në tridhjetë vite një zëvendës kryeministër është sot përpara bankës së të akuzuarve ndërkohë që një aferë që shqiptarëve u kushton 430 mln euro po vazhdon t’u zbulohet përditë në përmasën e saj të plotë të korrupsionit.

Cilido që hedh sytë në dosjet e hetimeve për inceneratorët vëren manualin e një shteti të kapur nga koka tek këmbët. Gadishmëriae një ushtrie nëpunësish civilë e deri tek drejtuesit e ministrive dhe jo vetëm të tyre, për të zbatuar një më një urdhërat dhe dëshirat e dy personave që zotësinë e tyre më të madhe kishin “miqtë”.

Për katër vite me radhë historia e inceneratorëve u injorua dhe denoncuesit e tyre kryesorë u sulmuan nga qeveria ndërsa mediat pranë saj injoronin apo sulmonin këdo që denonconte. Në një shtet të kapur, paraja dhe pushteti kanë një marrëdhënie tejet të ngushtë me njëra tjetrën. Sa më shumë pushtet të kesh aq më shumë para fiton dhe aq më shumë përpiqesh të paguash avokatë publikë për të zeruar kundërshtarët politikë.

Fatkeqësisht, pushteti i mazhorancës dhe paraja e inceneratorëve krijoi imazhin dhe idenë se në të vërtetë Shqipëria po pastrohej dhe se denoncimet e opozitës dhe kujtdo tjetër nuk qenë vetëm se shpifje. E vërteta, ishte tërësisht e kundërta. Por pushteti dhe paraja e një shteti të kapur që kishte vendosur në lëvizje gjithë burokracinë për një incenerator në Elbasan nga kompjuterat e zyrës në katin e 13 të Sky Tower, kishin dhe mundësinë të blinin lajmet dhe avokatinë.

Mazhoranca që sot përpiqet të përfitojë nga gjoja mbështetja për Reformën në Drejtësi, qe e para që gjithashtu sulmoi dhe pengoi hetimin parlamentar për aferën e inceneratorëve. Madje anëtarët e kësaj mazhorance ishin ato që votuan për mbylljen e këtij komisioni duke dashur të linin në mes punën hetimore që sapo kishte nisur.

Vetë kryeministri në çdo dalje publike ka mbrojtur me figurën e tij por edhe me zërin e tij në replika drejtuar gazetarëve por edhe opozitës inceneratorët dhe procedurat e tyre duke deklaruar se atij i interesonte pastërtia që ato sillnin. Një pastërti që ishte në të vërtetë pis dhe që notonte në një lum korrupsioni.

Historia e mbrojtjes së vazhdueshme deri në mohimin e të vërtetave që çdo shqiptar ka parë, vazhdoi edhe pas mbi 60 orë dëgjesash në komision hetimor me dëshmitarë të ndryshëm që provuan faktin e pamohueshëm të një afere korruptive. Vazhdoi edhe kur SPAK arrestoi jo vetëm ish ministrin e Mjedisit, ish deputetit të PS, sikundër vazhdoi edhe pasi tre pronarët përfitues të inceneratorëve janë sot në kërkim ndërkombëtar.

Madje, ironikisht këto pagesa vazhdojnë dhe një ditë pasi kryeministri i vendit sqaroi se kishte vendosur të votonte pro heqjes së mandatit për ish zv kryeministrin. Pasi sipas tij provat e paraqitura nga SPAK flasin për lidhjet e ngushta të tij me njerëzit që sot janë në kërkim dhe që gjithashtu ende marrin miliona euro nga taksat e shqiptarëve.

Historia e inceneratorëve është gjithashtu dhe tragjedia e vendit tonë që zbrazet përditë nga talentet dhe të zotët pasi meritokracia e kësaj qeverie është e përmbysur. Asnjëherë nuk fiton i afti dhe i zoti në punë por ai që është sekseri i korrupsionit. Ndershmëria është kthyer në një ves për këtë qeveri ndërsa parlamenti mblidhet një herë në vit për të shqyrtuar mandatet e një deputeti të lidhur me afera apo diçka tjetër.

Për këtë krizë, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri nuk ka guximin të flasë dhe as të japë zgjidhje. Pasi janë ata që kanë ndikuar për të forcuar edhe më tej sistemin e tarafeve dhe të një mobiliteti social jo në bazë të meritës por në bazë të aftësive të brokerimit të korrupsionit. Për këtë mjafton të shihni historinë e inceneratorëve dhe lidhjet e tyre se si kanë gjunjëzuar një shtet të tërë.

Prandaj sot, më shumë se sa kurrë nevoja e shqiptarëve është që të bashkohen drejt një opozite e cila nuk është më perfektja por që edhe në mungesë të përsosmërisë ka treguar se është e denjë të drejtojë beteja të guximshme që kanë arritur deri këtu dhe me gjasë edhe më shumë. Padyshim, jam e bindur se edhe ne duhet të ndryshojmë, por përditë e më shumë e kuptoj që ndryshimi ynë është i mundshëm përballë një qeverie që sa herë bën sikur ndryshon në të vërtetë na mban në moçal.

Tani, morali i atyre që kanë emëruar, ndihmuar, mbrojtur dhe justifikuar publikisht vjedhjen e 430 mln eurove nuk mund të jetë lëshimi i fajtorëve që të gjithë i njohim. Prandaj ftoj këdo që të reflektojë mbi atë që kemi parë një javë me radhë në vendin tonë. Një tjetër provë që ne duhet të ndryshojmë përpara se e keqja të akumulohet dhe të zë rrënjë edhe më të forta në vendin tonë.

Le të mos i japim më shpresën më të vogël një qeverie që sa më shumë zhytet në moçalin e këtij korrupsioni aq më shumë thërret se po vendos drejtësi. Të nisim rrugën e përbashkët për një tjetër të ardhme.

Të ardhmen që ofron një betejë të vërtetë e të sinqertë kundër korrupsionit, kundër monopoleve, kundër oligarkisë, kundër shtetit të kapur. Të një vendi që ofron lirinë e tregut, konkurrencën, luftë kundër monopoleve dhe korrupsionit për t’i rikthyer Shqipërisë një energji të munguar dhe rrënuar nga kjo mazhorancë që promovon dhe në fund mbron sekserët e korrupsionit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts