Hijet e trukimit në 1993/ “Shqipëria mori telefonatë të dyshimtë”, rrëfehet ish-mjeku i Kombëtares: Çfarë më tha trajneri Birçe pas disfatës 5-1 në Tiranë (EKSKLUZIVE)






Nga LLUKA HEQIMI

Në kohën kur unë kam qenë mjek i ekipit kombëtar, kemi pasur gjithsej 5 përballje kundër Spanjës. Jam përpjekur të gjej disa nga shënimet e mia. Vetëm në një ndeshje nuk kam qenë. Në njërën prej ndeshjeve Kombëtaren e ka drejtuar Agron Sulaj, ku kemi dalë 1-2 për Spanjën në Shqipëri. Ndërsa më 18 dhjetor 1990, jemi goditur rëndë 9-0. Më kujtohet që arbitri zviceran na ka masakruar në këtë ndeshje.

lluka heqimi

Është karakteristike, sepse të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar në ato vite me kombëtaren spanjolle, janë luajtur në Sevilje. Duket se spanjollët janë një popull me besëtytni dhe kanë menduar: “Atje i rrahim mirë shqiptarët dhe luajmë gjithmonë aty”. U kthyem sërish në Spanjë, në prill 1992, ekipin e ka drejtuar Bejkush Birçe.

Kur arritëm dhe hapëm gazetat sportive, lexuam që lojtarët kishin vënë duart mbi njëritjetrin dhe kishin shënuar që do t’u shënonin 12 gola shqiptarëve. Por ekipi ynë kishte filluar të konsolidohej disi dhe përfunduam 3-0.

SHQIPËRI-SPANJË 1-5, SFIDA  E SHUMËPËRFOLUR
Pastaj vijmë te ndeshja e shumëpërfolur, më 22 shtator 1993, ku jemi goditur 1-5 në Tiranë. Interesant është fakti se Spanja kaq gola donte për të arritur atë kualifikimin e tyre.

Në këtë periudhë që jemi ndeshur, nga ‘86-ta deri në ‘93- shin, unë si mjeku i ekipit kombëtar kam parë që Spanja donte të paraqitej në nivelin e lartë europian dhe botëror. Po formohej një ekip, pavarësisht se dikush mund të thotë “je doktor dhe mbaj pozicionin tënd”.

Unë jam munduar që t’i shoh të gjitha gjërat. Për të ardhur te diskutimi i kësaj përballjeje: dikush nga shqiptarët është telefonuar nga Spanja për të përcaktuar rezultatin e ndeshjes.

Kjo ndeshje është ekspozuar shumë në shkrimet e gazetave spanjolle të asaj kohe, madje edhe FIFA e ka marrë përsipër që t’i bëjë rezolucion dhe të gjejë përfundimin e kësaj çështjeje, por nuk arriti ta hetonte deri në fund, sepse mendimi im është që ndonjëherë organizata si FIFA, kur zbulojnë një gjë kaq të madhe, mund edhe të tërhiqen.

Personi shqiptar që do të merrte informacionin nga Spanja nuk e dimë kush është, por dyshime kishim sepse në këtë periudhë kohe, njerëz të Federatës Shqiptare të Futbollit krijuan një “fole” të ngrohtë në Spanjë dhe sigurisht kur rruga duket kështu dhe hapet, këtu krijon edhe dyshime për persona respektivë. Nuk jam një përcaktues i fajeve, por gazetat e asaj kohe kanë shkruar që dikush në Shqipëri është telefonuar.

ll

BISEDA ME BIRÇEN PAS NDESHJES
Në përfundim të takimit kam folur me trajnerin që drejtonte përfaqësuesen në atë ndeshje që mbaroi 1-5 dhe më tha: “Nuk është faji im i kësaj humbjeje, nuk është faji i skuadrës, por është faji i një zhvillimi jo fort nacional i çështjes sonë”.

Ajo ndeshje i ka ngelur peng dhe ishte i bindur se ajo u humb nga federata dhe jo nga trajneri apo skuadra. Madje, në shtypin spanjoll ka një denoncim të zv.presidentit të Federatës Spanjolle, Huan Espino, për këtë rast. Ishte një bombë për shtypin. Në fakt, rezultati e tregoi këtë përfundimisht.

KONKLUZIONET E MIRA
Sigurisht që me Spanjën kemi një bilanc tragjik, na kanë shënuar shumë, megjithatë unë them se lufta që ka bërë Shqipëria si një skuadër e vogël kundër të mëdhave ka qenë një detyrë, por të gjithë e kuptojnë që futbolli nuk është asnjëherë i sigurt.

Këtu ndodhin edhe tradhtitë që duhet ta sigurojmë që Spanja të fitojë dhe të shënojë kaq gola, që i bëri në fakt për t’u kualifikuar. Edhe një herë e them, unë jam i nderuar që kam qenë mjek i ekipit kombëtar për një periudhë 22-vjeçare dhe nuk më vjen keq që e kam parë me një sy shumë të gjerë sepse është ekipi i Shqipërisë. Më digjte edhe mua.

Doja që të përfaqësoheshim sa më mirë, por isha i vetëdijshëm që ekipi ynë ishte i dobët në raport me kundërshtarët. Sot e kam kënaqësi që shikoj një ekip me forcë, që ka mundësi t’u nxjerrë gjoksin kundërshtarëve. Tani nuk kemi pasur procese të tilla, por në atë kohë ashtu ka qenë.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

LEXO EDHE: Dyshimet për trukimin e ndeshjes Shqipëri-Spanjë, si reagoi FIFA pas lajmit të bujshëm

Prapaskenat e bujshme/ Si tentoi Spanja të blinte ndeshjen me Shqipërinë

EKSKLUZIVE/ Tentativat për trukim në duelin e 1993-shit, flet ish-kapiteni i Shqipërisë Sokol Kushta: Spanja nuk kishte…

Historitë e Shqipëri-Spanjë/ Një duel ktheu marrëdhëniet diplomatike. Spanjollët u mahnitën nga gratë shqiptare në ara

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.