“Hirushja” e Superiores/ Kastrioti pa limite, tani ëndërrohet zona… europiane









Kastrioti vijon të befasojë me rezultatet javë pas jave dhe tashmë nuk mund të quhet më surprizë.

kastrioti

Në fundin e dhjetorit, askush në klub nuk e kishte menduar që gjashtë javë para fundit, Kastrioti do të arrinte që të ishte në kuotën e 40 pikëve, duke shpëtuar nga rënia direkte, si dhe 6 pikë larg Egnatias, që aktualisht me pozitën që ka ndodhet në zonën “play out”.

Ecuri e mrekullueshme, me gjashtë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, një rekord më vete për skuadrën e Emiljano Çelës, e cila në të gjitha këto takime ka pësuar vetëm një gol.

Pa dyshim që pjesa e statistikave nuk është se po shikohet shumë nga stafi teknik dhe skuadra në këto kohë, pasi krutanët kërkojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë, meqenëse i pret finalja e radhës në fundjavë me Egnatian, ku Kastrioti do të tentojë të marrë një tjetër sukses.

GARË NË DY FRONTE – Po të përmendje Europën në fundin e dhjetorit për skuadrën krutane, do të të quanin “të marrë”, pasi as në ëndrrat me më shumë fantazi nuk imagjinohej.

Por sot, pas 15 javëve, në drejtimin e Emiljano Çelës, skuadra krutane ka marrë 32 pikë dhe është aty, me vetëm 6 pikë larg vendit të 3-të, dhe tri larg të katërtit, që me një kombinim Kupe, mund të të çojë në Europë.

Ndoshta kjo i ka kapur të papërgatitur drejtuesit e skuadrës, të cilët me shumë mundësi do të bëjnë të pamundurën për të bërë licencimin, ndonëse për krutanët primare është fitorja e ndeshjes së radhës me Egnatian.

TË PLOTË NDAJ EGNATIAS – Për ndeshjen e fundjavës me rrogozhinasit, Kastrioti do të jetë “top”. Krutanëve u rikthehet edhe sulmuesi kryesor, Kaina Nunesh, i cili mungoi në ndeshjen me Tiranën për shkak të pezullimit nga kartonët.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.