“Historia atje po rikthehet, edhe në formën e saj tragjike”, Macron bën thirrje për një “riangazhim” të ri të BE-së në Ballkan

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje të enjten për një “riangazhim” dhe “riinvestim” të BE-së në Ballkanin Perëndimor, përballë”tensioneve të reja” në rajon dhe “ndërhyrjeve nga fuqitë rajonale ” që përpiqen të destabilizojë Evropën.

“Ky rajon përshkohet sot nga tensione të reja. Historia atje po rikthehet, edhe në formën e saj tragjike, tha presidenti francez, duke njoftuar për një konferencë evropiane kushtuar këtij rajoni në qershor në kuadër të presidencës franceze të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2022.

“Sot kemi një përgjegjësi shumë të posaçme në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, tha ai gjatë një konference për shtyp në Pallatin Elysee.
“Ne duhet të ndjekim një politikë riangazhimi, por edhe investimesh për të nxitur integrimin ekonomik të këtij rajoni si edhe u për të luftuar kundër ndërhyrjes, kundër manipulimeve që janë vepra të disa fuqive rajonale që përmes Ballkanit përpiqen të destabilizojnë Evropën”, tha ai, duke nënkuptuar Turqinë dhe Rusinë.

“Unë besoj se ky angazhim politik dhe ekonomik në lidhje me Ballkanin Perëndimor, është në të vërtetë një agjendë për sovranitetit e Evropës sonë, sepse ne nuk do të arrijmë të ndërtojmë një Evropë të paqes për 50 vjet nësee lëmë Ballkanin Perëndimor, ku është sot”, paralajmëroi ai.

Zoti Macron bëri thirrje për një “qartësim të perspektivës evropiane” për këto vende (Shqipëria, Bosnja, Serbia, Mali i Zi, North Maqedoni dhe Kosovë), të bllokuara për vite në “paradhomën” e BE-së.

Në tetor, udhëheqësit e Bashkimit Evropian “rikonfirmuan mbështetjen e tyre” për integrimin e Ballkanit Perëndimor në një samit në Slloveni, por refuzuan të përcaktonin një afat kohor për këtë synim, duke bërë thirrje për më shumë reforma dhe zgjidhjen e konflikteve historike.

Përparësitë e presidencës franceze të BE-së

Presidenti francez i bëri komentet për Ballkanin ndërsa paraqiste të enjten përparësitë për presidencën e ardhshme të Francës në Bashkimin Evropian, një mandat që përkon me zgjedhjet presidenciale të vendit dhe mund ta vërë zotin Macron në një pozitë të vështirë në fushatën për rizgjedhje.

Zoti Macron pritet të kandidojë në zgjedhjet me dy raunde të prillit dhe Franca e merr presidencën gjashtëmujore të radhës të Këshillit Evropian më 1 janar.

“Shumë do të donin të mbështeteshin vetëm tek vendi i tyre. Kombet janë forca jonë, krenaria jonë, por uniteti evropian është plotësimi i tyre i domosdoshëm,” tha presidenti francez.

“Ne duam të kemi një Evropë të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, të lirë për të bërë zgjedhjet e veta dhe zotëruese të fatit të vet,” tha ai gjatë konferencës së shtypit në Paris.

Zoti Macron tha se presidenca franceze e BE-së do të punojë për të nxitur “një model evropian të rritjes” që do t’i jape mundësi bllokut 27-vendesh të gjenerojë mirëqenie dhe vende pune, duke ruajtur në të njëjtën kohë standarde të larta sociale dhe ambjentaliste.

Përveç takimit për Ballkanin, ai njoftoi për një samit mbi politikat e mbrojtjes të BE-së.

Evropa përballet me sfida të mëdha, tha zoti Macron, që nga ndryshimet klimatike, tek çështjet e migracionit që përfshijnë “manipulimin nga disa shtete” dhe “përpjekjet për destabilizim dhe tensione duke përfshirë fqinjët tanë më të afërt”.

Zoti Macron, i cili u zgjodh në vitin 2017, ende nuk ka deklaruar zyrtarisht nëse do të kërkojë një mandat të dytë. Në fillim të kësaj jave, gjatë një vizite në Francën qendrore, presidenti 43-vjeçar i qendrës nuk pranoi ta paraqiste veten si kandidat.

Presidenca franceze e BE-në mund të ofrojë një platformë për fushatën e zotit Macron, por edhe ta komplikojë atë nëse gara fokusohet kryesisht në çështjet e brendshme si ekonomia franceze, siguria dhe imigracioni.

Presidenti Macron do të ketë mundësinë ta përdorë presidencën për të ndikuar në vendimet në shkallë BE-je, megjithatë procesi kompleks dhe konsensual i vendimmarrjes i bllokut mund të jetë në dizavantazh të tij dhe të sjellë pak rezultate konkrete përpara zgjedhjeve të prillit.

Macron po promovon një vizion për “autonomi strategjike” të BE-së që do t’i lejonte bllokut 27-vendesh të shtonte shanset në konkurrencë me Kinën dhe ta vendoste atë në një pozitë më të barabartë me Shtetet e Bashkuara.

Në mënyrë të veçantë, ai po nxit për “një mbrojtje evropiane më të fortë dhe më të aftë” që të kontribuojë tek siguria transatlantike dhe globale në krah të NATO-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.