HISTORIA E RRALLË/ 25 vite më parë, kur Mario Kempes vinte te Lushnja për 360 mijë USD









Ka qenë mesdhjetori i vitit 1996, kur u përhap lajmi i bujshëm: “Bum i mekatos, Mario Kempes në Shqipëri”. Presidenti kurajoz Xhaferri, një ish-volejbollist, hedh në tavolinë shifrën e lartë 360 mijë dollarë për të sjellë argjentinasin e famshëm në krye të stolit të FK Lushnjës.

kempes ne lushnje

Nga ai vit i largët kanë kaluar plot 25 të tjerë dhe si një ëndërr e bukur në atë fillim, në pak ditë gjithçka në ferr. Një intervistë e rrallë me dr. Salvatore Triunfion, menaxherin që e solli Kempesin në Lushnjë, pastaj me legjendarin Artan Bano, pritjen, stërvitjet e para dhe dy ndeshjet me Marion si trajner. Kualifikimi me Teutën, pastaj largimi në fshehtësi në rrugë dytësore. Një histori e rrallë, e jashtëzakonshme, me detaje të parrëfyera më parë. Dhe përshëndetja me një foto të tijën nga Uashingtoni e Mario Kempesit për “Panorama Sport”: “Gëzuar Vitin e Ri!”

SHTYPI SHQIPTAR, DERI EDHE “LA GAZZETTA DELLO SPORT”: KEMPES NË SHQIPËRI
E mërkurë, 18 dhjetor 1996, me linjën Romë-Tiranë, Mario Kempes zbret për herë të parë në aeroportin shqiptar, i pritur nga drejtuesit e klubit, P. Xhaferri e G. Tufa. Ka interesim të madh mediatik, gazetarë, kanale televizive, deri edhe “CNN” është e pranishme. Ai shoqërohet nga menaxheri italian M. Montali. “Nuk di shumë për skuadrën, duhet të presim”, pati deklaruar. Pastaj drejt Lushnjës ku e presin lojtarët. Një qëndrim i shkurtër, largimi për në Tiranë dhe darka zyrtare në “Piazza”.

E enjte, nisja për në Lushnjë për të parë stërvitjen e skuadrës, ku gjen një pritje të jashtëzakonshme, një tifozëri të madhe në stadium. E premte paradite, në dhomën 405 të hotel “Rogner”, do të nënshkruhet kontrata. Të shtunën, sërish në Lushnjë. Në stadium e presin mijëra vetë dhe nga tribuna ka ndjekur sfidën e kampionat Lushnja-Albpetroli 3-0. “Po të luajmë si në pjesën e dytë, do të arrijmë diçka të mirë”, është shprehur. Të hënën është larguar për në Valencia për Krishtlindjet. Nuk ka qëndruar të ndjekë takimin e fundit të fazës së parë, atë të 28 dhjetorit në “Qemal Stafa”, Olimpik-Lushnja 0-1, për t’u rikthyer në ditët e para të 1997-ës e për të nisur aventurën në stolin lushnjar.

edu lushnja

NJË KONTRATË FARAONËSH
E tillë ka qenë, e firmosur nga Mario Kempes dhe presidenti i Lushnjës, Pëllumb Xhaferri, në prani të avokatit Montali. Një kontratë dyvjeçare, me shumën 360 mijë dollarë. Pastaj bonuset shoqëruese: 80 mijë të tjera në total të ndara në 50 mijë për titullin kampion dhe 30 mijë për fitimin e Kupës së Shqipërisë. Bashkë me një rrogë mujore deri në 15 mijë dollarë. Një automjet “MercedesBenz”, një shofer e një truprojë në dispozicion, si dhe një shtëpi në Tiranë ku do të banojë bashkë me të vëllain, Hugo, si përgatitës atletik, një zgjedhje personale e tij. Të garantuara e të paguara edhe udhëtimet për në Spanjë e Argjentinë, deri në 6 të tilla në vit.

KONFERENCA E PARË PËR SHTYP
Nisur nga kërshëria e madhe nga të gjithë, Kempes u është përgjigjur pyetjeve të tyre. Së pari, duke sqaruar detajet lidhur me kontratën: “Pavarësisht nga kontrata, qëndrimi im në Shqipëri lidhet me rezultatet, objektivat e presidentit Xhaferri. Topi duhet të futet sa më shpesh në rrjetë”. Pastaj, në lidhje me premtimet për skuadrën thotë: “Në futboll nuk ka garanci. Kërkohet punë, ekuilibër psikologjik nëse pretendohet të arrijmë rezultate të mëdha; do të ketë edhe pengesa, mentaliteti, por edhe gjuha. Falënderoj Zotin që flas italisht e kuptohem thuajse me të gjithë, por pak nga pak do të mësoj edhe tuajën, ndonëse gjuha e futbollit është botërore. Duhet të harmonizoj filozofinë time me atë të skuadrës, ambientimin, njohjen me kampionatin shqiptar. Si përgatitës atletik do të jetë edhe vëllai im, Hugo”. Pyetjes për të drejtuar Kombëtaren, Kempes i përgjigjet: “Sot mendoj vetëm për Lushnjën, nesër do të flasim për të nesërmen”.

mario kempes

RIKTHIMI
E shtunë, 4 janar 1997, me avion nga Roma, ai mbërrin në Rinas ku pritet pa zhurmë e bujë. Me të edhe vëllai, Hugo. Ka shumë bagazhe, pasi qëndrimi në Shqipëri mendohet të jetë i gjatë. Pyetja e parë e tij ka lidhje me rezultatin ndaj Olimpikut. Pa harruar të sqarojë edhe për zhurmën e krijuar për valixhen me 70 mijë dollarë të humbur, duke treguar se si u zhduk në Romë e pas disa ditësh, ajo i mbërriti në Valencia. “Pra, nuk ishte vjedhje siç u përfol”, ka përfunduar Kempes.

Ndërkohë, Lushnja e ka mbyllur fazën e parë në vendin e 8-të me 24 pikë (6/ 6/5), me një golavarazh 18-16. Kryeson Flamurtari me 37 pikë, SK Tirana 34, Vllaznia 33, Partizani 32, Apolonia 31, Shkumbini 26, Laçi 25. Faza e dytë e kampionatit do të fillojë në shkurt, me takimin FlamurtariLushnja. E diel 5 janar, mesditë, i përshëndetur nga rreth 3 mijë sportdashës, Kempes zbret në fushën e “Roza Haxhiut” (ndonëse rekordi i takon shtatorit, kur braziliani Edu para 5000 shikuesve shkelmoi topin e parë lushnjar), duke marrë në dorë zyrtarisht drejtimin e skuadrës myzeqare. Vetëm një javë ka në dispozicion të përgatisë ndeshjet çerekfinale për Kupë ndaj Teutës. Ka gjetur një staf të organizuar me trajnerët Lika e Haxhiu, futbollistin Çukani të ardhur nga Greqia, Banon e rikthyer nga Partizani, Majko e Dalipi që vijnë nga SK Tirana si dhe durrsakët, portierin Kapllani e sulmuesit Dashi e Koça. Grupin e kompletojnë të huajt: brazilianët Edu e Dos Santos, nigerianët Sosa, Roland Uarry.

PREMIERË TRIUMFUESE, NË STADIUM EDHE “FRANCE FOOTBALL” E “L’EQUIPE”
Gjithçka në dy javë, vetëm 180 minuta që janë të parat e të fundit në premierën, karrierën e tij si trajneri i parë i huaj i Lushnjës. Çerekfinale e Kupës së Shqipërisë dhe debutim me fitore. 11 janar 1997, e shtunë, 14:00, në “Roza Haxhiu” të tejmbushur,

Lushnja-Teuta 1-0
(Çukani (11-m) 60’).
Lushnja: Premçi, Edu (Ar. Hysko 81’), Jahiqi, Bano, Çukani, Çela, Fraholli, Malko, Dalipi, Koça (Elezi 83’), Çuko (Dos Santos 81’).
Trajner: Mario Kempes
Gjyqtarë: L. Zylfo, S. Hogu, G. Maloku
Vëzhgues: I. Dobjani

I nervozuar para takimit, Kempes nuk ka pranuar të flasë. Pastaj ndeshja. “Nuk e kisha menduar kaq të vështirë nisjen, – ka deklaruar ai për gazetarët e shumtë pas takimit, duke e vlerësuar lojën e ekipit të tij, impenjimin e lojtarëve, por që kanë humbur raste. – Të mendojmë tani për ndeshjen e kthimit. Jemi të denjë për trofe”. Pa harruar të thotë se i ka pëlqyer edhe loja e Teutës, që zhvilloi një ndeshje tipike Kupe. Në tribunën e “Roza Haxhiut”, të pranishëm personalitet vendore, qeveritarë si dhe gazetarët francezë J. Simoni, V. Machenaud, A. de Martignate të “France Football” dhe të “L’Equipe”. Në ndeshjet e tjera Apolonia-Olimpik 1-1, Vllaznia-Partizani 2-0, Besa-Flamurtari 2-3.

kempes lushnja

Kthimi, e shtunë, 18 janar, 14:00, në “Niko Dovana” 16.000 shikues,
Teuta-Lushnja 0-0.
Lushnja: Kapllani, Edu (Hysko 78’) Jahiqi, Bano, Çukani, Çela, Fraholli, Malko, Dalipi, Nosa (Koca 85’), Çuko, (Elezi 60’).
Trajner: Mario Kempes
Gjyqtarë: M. Allkja, Sh. Lamçe, K. Brahja
Vëzhgues: S. Bilali

“Ndeshja e sotme paraqet vështirësi për ne, por kemi besim se ekipi do të ruajë avantazhin e Lushnjës. Jemi optimistë”, ka deklaruar Kempes para takimit. Dhe pas saj: “Luajtëm me temperament që na çoi drejt suksesit. Lushnja u mbrojt mirë. Në pjesën e dytë, ne e ngritëm tempin, ritmin e lojës. Tani të mendojmë për të ardhmen”. Ndeshjet e tjera: Apolonia-Olimpik 1-1/0-0, VllazniaPartizani 2-0/0-3, Besa-Flamurtari 2-3/0-1. Në gjysmëfinale, Lushnja-Partizani dhe Olimpik-Flamurtari.

LARGIMI ME AVIONIN E FUNDIT DHE DEKLARATA: ISHIM NË DORË TË ZOTIT
Por, nuk do të zgjasë shumë qëndrimi i tij në Shqipëri. As ndeshje, as futboll. Kjo, prej kaosit të madh të krijuar nga piramidat financiare. Fondacioni “Xhaferri” është nën akuzë, pjesëtarët e tij do të arrestohen, me ta edhe presidenti i klubit lushnjar. Mesjavë ka qenë, 23 janar 1997, kur Kempes u largua dhe për gazetën “Observer” do të tregonte: “Aty u krijua një situatë e vështirë dhe ne ishim në dorë të Zotit. Po kështu edhe ekipi që unë drejtova në dy takimet e Kupës së Shqipërisë. E shikoja që ai vend kishte shumë probleme ekonomike, megjithatë mendoja se shpejt do të kalonin. Por, ishin disa tifozë, që nisur nga situata që po rëndohej dita-ditës, më lajmëruan duke më këshilluar se duhet të ikja, pasi po të vonohesha, nuk do të kisha mundur të largohesha më prej andej. Bëra të pamundurën dhe fluturova drejt Romës së bashku me vëllain tim. Ishte avioni i fundit që largohej nga Shqipëria, përpara se të ndaloheshin fluturimet. Ishim shumë fatlumë”.

Ndërsa për italianen “Notizie Est”, do të deklaronte: “Kuriozitet i madh ka qenë kur vizitova për herë të parë Shqipërinë. Vajta atje, mora në dorë ekipin e Lushnjës, e çova deri në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe… ika nga sytë këmbët si pasojë e luftës civile, e cila sapo kishte nisur”. Të tmerruar nga atmosfera, në mesnatë drejt Greqisë u larguan edhe futbollistët e huaj, brazilianët Edu, Dos Santos, nigeriani Sosa, bashkë me familjet e tyre.

SPECIALE NGA UVIL ZAJMI

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.