Historike, Forca e Sigurisë së Kosovës nis misionin e parë jashtë vendit

Një numër pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në një mision në Kuvajt, duke shënuar rastin e parë të përfshirjes së ushtrisë së Kosovës në një mision paqeruajtës ndërkombëtar.

Në ceremoninë e nisjes, që u mbajt në kazermat e Forcës së Sigurisë në Prishtinë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky mision po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara.

“Njëzetedy vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme që ushtarët tanë do të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës në botë. Sot kjo gjë po bëhet realitet sepse ne e bëmë lirinë dhe e ndërtuam paqen bashkë edhe me miqtë tanë ndërkombëtarë. Tashmë erdhi koha që t’ua kthejmë një pjesë të kontributit të tyre duke u bërë partner në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes. Nga një vend që dikur importuam trupa paqeruajtëse sot po transformohemi gradualisht në një vend që po eksporton trupa paqeruajtëse”, tha ajo.

Zonja Osmani tha se misioni i Kosovës është paqja dhe se ajo do të jetë përkrahë miqve të saj ndërkombëtar.

“Pra, që të jemi të qartë, kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës, pra në Kosovë, Amerika dhe aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”, tha zonja Osmani.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se kjo ngjarje shënon një moment të veçantë për Kosovën e cila po rreshtohet në mesin e ushtrive dhe partnerëve të saj strategjik.

“Njëkohësisht është një reflektim që të shohim prapa dhe të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer nga të gjithë partnerët tanë, të cilët arritën në Kosovë 22 vjet më parë me të njëjtin mision, për të vendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha zoti Quni.

Dërgimi i trupave nga Kosova u bë më kërkesë të Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane dhe do të veprojnë nën komandën e Gardës Kombëtare të Iowas.
Komandanti i kësaj garde, gjenerali Ben Correll, tha përmes një video mesazhi se Shtetet e Bashkuara janë partner strategjik i Kosovës.

“Gjithandej në botë kërcënimet të brendshme dhe ato të jashtme sulmojnë paqen. Në mënyrë që të ruajmë këtë paqe na duhet qëndrueshmëri, siguri rajonale dhe globale. Partneriteti ndërmjet Gradës Kombëtare të Iowas dhe FSK-së kontribuon në arritjen e këtij synimi dhe është shembull për të tjerët se çfarë është e mundshme, duke punuar fuqishëm në ndërtimin e marrëdhënieve”, tha gjenerali Correll.

Autoritetet nuk dhanë hollësi për numrin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë që do të shërbejnë në Kuvajt, ndonëse në ceremoni ishte rreshtuar një grup prej 32 ushtarësh.

Misioni fillon, dy muaj pasi që parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione mbështetëse jashtë vendit në kuadër të Ushtrisë Amerikane.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës.

Autoritetet thonë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 4 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *