Historitë e Shqipëri-Spanjë/ Një duel ktheu marrëdhëniet diplomatike. Spanjollët u mahnitën nga gratë shqiptare në ara: Hoteli u grabit, njerëzit janë të uritur






Ishte mesi i dimrit 1986 (3 dhjetor 1986), diçka më shumë se 35 vjet më parë, kur Shqipëria dhe Spanja përballeshin për herë të parë mes tyre në histori. Ishte një ndeshje që përkoi edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me Shqipërinë komuniste që drejtohej nga Ramiz Alia.

Sokol Kushta dhe Andoni Zubizarreta para takimit Shqipëri-Spanjë (1-5) në vitin 1993

Gazeta spanjolle “Marca” i ka kushtuar një reportazh të veçantë vizitës së parë të Spanjës në vendin tonë, që njëherazi është dhe ballafaqimi i parë mes dy kombëtareve, të cilat pak ditë më vonë do të ndeshen në Barcelonë në një takim miqësor. Spanja mbërrinte në Tiranë, ku në sheshin qendror të Tiranës e priste pankarta që glorifikonte Partinë e Punës – “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë”.

MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE – Në të njëjtën ditë që përkonte me takimin e parë zyrtar mes dy kombëtareve, shefi i shtetit shqiptar të asokohe, Ramiz Alia, priti kartat kredenciale të Luis Kuervos, ambasadori i parë fuqiplotë i Spanjës në Shqipëri. Në fakt, për të qenë korrekt me historinë, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve ishin vendosur në shtator po të atij viti. Që nga vdekja e diktatorit të Spanjës, Franko, ambasadorët shqiptarë e kishin të ndaluar të takoheshin me kolegët e tyre spanjollë në takimet zyrtare në vende të ndryshme kur qëllonte të ishin së bashku.

Shqipëri-Spanjë, 1986

MBRETI ZOG – Dëbimi në vitin 1978 nga Spanja i Leka Zogut, pretendentit për fronin shqiptar, i hapi rrugën Spanjës për të akuzuar Tiranën se ishte strehë për anëtarët e Grapo-s dhe FRAP-it. Grapo – në spanjisht – Grupos de Resistencia Antifascista Primero de Octubre – ishte një organizatë klandestine marksiste-leniniste që synonte krijimin e shtetit spanjoll jo monarki, por republikë. Në qershor 1984, Migel Angel Moratinos, këshilltar i ambasadës spanjolle në Beograd (Jugosllavia e kohës, sot Serbia), ishte diplomati i parë spanjoll që shkeli në Shqipëri në 40 vjet.

TRANSMETIMI – Takimi i luajtur më 3 dhjetor 1986 në Shqipëri ishte shumë i veçantë. Ai përkonte me ndeshjen e parë të transmetuar jashtë vendit. Në orën 14:00 filloi një takim në të cilin Spanja vuajti shumë edhe pse në fund arriti të fitonte. “Furia e kuqe” fitonte 1-2 me golat e Arteçes dhe Hoakin, teksa Çendo shpërdoronte një 11-metërsh për spanjollët. Pas shumë problemesh, televizioni shtetëror spanjoll “TVE 2” mundi të transmetonte takimin drejtpërdrejt përmes një sinjali që doli nëpërmjet Greqisë. Kjo ishte ndeshja e parë e Shqipërisë që mund të shihej jashtë kufijve të saj.

Shqipëri- Spanjë 1986

NJË QYTET I NDALUR NË KOHË – Për gazetën spanjolle “Marca”, mjaft i çuditshëm ishte ritmi i jetës në kryeqytetin e Shqipërisë së asaj kohe. Tirana e vitit 1986 ishte një kryeqytet me një trafik shumë të kufizuar, pa makina, që dukej si një qytet ku koha kishte ndalur. Në rrugët që ishin ndërtuar për të lëvizur makinat, vendin e tyre e kishin zënë biçikletat. Ndërkohë që masat e sigurisë në hotelin ku qëndronte e grumbulluar kombëtarja spanjolle ishin ekstreme.

TIRANA PA FËMIJË – Së bashku me kombëtaren spanjolle që udhëtonte në Shqipëri në vitin e largët 1986 ishte dhe Huan Senjor, autor i një prej golave të shumtë në fitoren 12-1 të “Furisë së Kuqe” kundër Maltës. Duke folur për mediat spanjolle, Senjor kujton një ngjarje që ndoshta për brezin e asaj kohe në Shqipëri ishte diçka e zakontë. Por aspak për vendin nga ai vinte, sikurse edhe për shumicën e vendeve europiane. Atij i kishte rënë në sy fakti se shumica e tokave në vendin tonë punoheshin nga femrat!

“Kujtoj rrugëtimin nga aeroporti drejt qytetit dhe ajo që më binte në sy ishte se kishte shumë njerëz që punonin nëpër ara, por e veçanta ishte se të gjitha ishin femra! Një gjë tjetër që më bëri përshtypje ishte ndryshimi i panoramës në qytet, nuk më zuri syri fëmijë, ndërkohë që njerëzit ecnin të veçuar, nuk shihja grupe”, ka kujtuar Senjor. Ai gjithashtu kujton edhe përballjen e parë mes Shqipërisë dhe Spanjës, duke e cilësuar një përballje të vuajtur të “Furisë së Kuqe”. “Ishte një ndeshje shumë e ndërlikuar për ne. Shqipëria na vuri shumë në vështirësi, teksa nga ana tjetër mbaj mend se ishte nga të paktat ndeshje që Spanja luante me fanellat e bardha”, ka komentuar ai në shtypin e kohës në Spanjë.

NDESHJA FANTAZMË – Spanja do të vizitonte Shqipërinë pesë vjet më vonë. Në vitin 1991 “Furia e Kuqe” do të përballej me Shqipërinë për kualifikueset e Kampionatit Europian të vitit 1992 në Suedi. Në Sevilje triumfonte Spanja 9-0 me katër gola të Emilio Butragenjos. Ndeshja e kthimit ishte planifikuar të zhvillohej më 18 dhjetor 1991. Por kjo ndeshje nuk u luajt kurrë. Me Spanjën të eliminuar dhe pa asnjë shans për të kapur biletën e Europianit dhe me Shqipërinë që po rrëzonte regjimin komunist takimi ishte gati i pamundur të luhej për shkak të kushteve shumë të vështira politike dhe të sigurisë në Shqipëri. Pas shkëmbimesh shkresurinash mes federatave të të dyja vendeve, ishte Spanja ajo që kërkoi pezullimin e ndeshjes qoftë në nivel kombëtaresh A, qoftë në nivel përfaqësuesesh U21. Visente Miera kishte bërë gati listën e lojtarëve të kombëtares spanjolle që duhej të udhëtonin në Tiranë, por ai deklaronte se udhëtimi ishte gati i pamundur. “Kam shumë frikë – deklaronte ai – Hoteli ku duhej të grumbullohej kombëtarja spanjolle ishte grabitur. Njerëzit janë të uritur dhe mund të pritej çdo gjë. Gjëja më e mirë që duhet bërë është të mos udhëtojmë, por…” shpjegonte Hezus Pareda, asokohe trajner i përfaqësueses spanjolle U-21.

Shqipëri- Spanjë 1986

SPANJA ME 200 KG USHQIME ME VETE – Me gjithçka gati për të hipur në avion, një ditë para ndeshjes mbërriti faksi nga departamenti juridik i UEFA-s. “Situata në Shqipëri është e tensionuar dhe sjellja e popullsisë është e paparashikueshme. Prandaj nuk është e mundur të parashikohet se si mund të zhvillohen ngjarjet. Komiteti i UEFA-s do të vendosë nëse, kur dhe ku do të luhen përfundimisht këto ndeshje”. Në aeroportin e Madridit “Barajas / Barahas” u desh të rikuperoheshin 200 kilogramë ushqime që po merreshin.

REAGIMI I SHQIPËRISË – Federata Shqiptare e Futbollit nuk e priti aspak mirë vendimin e marrë nga UEFA. Ajo ndërmori një betejë ligjore duke kërkuar që Spanja, e cila gjatë rrugës ishte futur në të njëjtin grup për kualifikimin në Botërorin 1994, ta luante atë ndeshje. FSHF-ja akuzoi lojtarët e Madridit se nuk donin të udhëtonin dhe përfundoi duke marrë kompensim nga UEFA prej 10 milionë pesetash (sot 60 mijë euro).

SHQIPËRIA PA FANELLA – Në shtator 1993 Spanja kthehet të luajë në Shqipëri. Spanja fitonte atë takim me shifrat e thella 1- 5. Shqipëria nuk kishte shumë që kishte dalë nga regjimi komunist dhe situata, veçanërisht ajo ekonomike ishte mizerabël. “Nuk do ta harroj kurrë varfërinë që gjetëm atje. Ne përfunduam duke u dhënë njerëzve gjithçka që sollëm: sanduiçe, pije, rroba, komplete të tëra të ndihmës së parë…”, kujton Senen Kortegoso, fizioterapisti historik i ekipit kombëtar spanjoll. Shqipëria mbërriti në atë ndeshje me trajnerin e saj, Bejkush Birce, i cili ankohej për mungesën e mjeteve: “Nuk kemi autobus për të shkuar në fushë dhe na mungojnë tri fanella sepse ishin tre lojtarë që i ndërruan me danezët”.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.