“Hoqi dorë nga diplomimi në Ekonomi për ‘shtëpinë e barit’”, rrëfimi i babait shqiptar për Express: Djali më tha se do punonte në restorant, ja si e zbulova të vërtetën

hoqi dore nga diplomimi ne ekonomi per shtepine e barit rrefimi i babait shqiptar per express djali me tha se do punonte ne restorant ja si e zbulova te verteten
hoqi dore nga diplomimi ne ekonomi per shtepine e barit rrefimi i babait shqiptar per express djali me tha se do punonte ne restorant ja si e zbulova te verteten

Media britanike “Daily Express” ka zhvilluar një intervistë me baba shqiptar, djali i të cilit braktisi Shqipërinë për të emigruar drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe për të punuar atje pranë botës së krimit.

Babai, emri i të cilit nuk është bërë publik, tregon se si i biri braktisi Universitetin e Ekonomisë në Shqipëri për të punuar me kanabis në Britani, edhe pse ky i fundit nuk kishte qenë i sinqertë për punën e tij fillimisht.

Në rrëfimin e tij ai tregon se fillimisht, i biri e gënjeu sa i takon asaj që do të bënte në Britani. “Do punoj ndoshta në një restorant sepse di anglisht”, i tha ai të atit, “e pastaj të shohim si shkon”, tregon ai.

Ai zbuloi se ky ishte një vendim i vështirë për familjen pasi të birin e ndante vetëm një vit akademik nga diplomimi për Ekonomi.

“Im bir nuk fliste kurrë për gjëra të tilla, nuk ishte në qëllimet e tij. Vetëm kur papritur një ditë tha se donte të largohej”, shpjegon i ati. Në momentin që kishte mbërritur në Francë, i riu rrëfeu të vërtetën; po kalonte Kanalin me gomone për të punuar në një fermë kanabisi në Angli.

“Kur e zbulova ishte tepër vonë, më ra tavani mbi kokë”, tregon ai duke ulur kokën, e me sytë më lot. “Më tha se i duhej puna për të bërë para. Më tha se nëse e mbaron universitetin këtu nuk përbën ndryshim, pasi mund të punosh vetëm si kamarier”.

“Në Shqipëri nëse do të gjesh një punë të mirë, të duhen njohje, ose duhet të paguash para për të kapur vendin e punës. Kështu funksionojnë gjërat për shkak të korrupsionit”, thotë ai për median britanike. Ndonëse i dinte vështirësitë, kjo nuk e bëri më të lehtë që të pranonte vendimin e të birit

“Trembem sa herë dëgjoj një histori nga Londra, vetëm aty më rri mendja”, vijon ai, teksa rrëfen disa prej historive që ka dëgjuar.

“Disa persona po punonin në një nga këto fermat e drogës dhe papritur një natë disa njerëz u përpoqën të futeshin brenda. Ishte tmerr, ata po i vrisnin. Kam dëgjuar po ashtu sesi kur policia bastis banesat, punëtorët duhet të dalin jashtë dhe disa flenë rrugëve. Ndaj i kam thënë tim biri gjatë gjithë kohës se nuk është punë për të, por ai vijon të më thotë se i duhet pak kohë, sa të bëjë ca para”.

Ai e telefonon të birin çdo ditë, ndërkohë që i riu kujdeset për një sasi të madhe bimësh kanabisi. Por biseda nuk është kurrë e lehtë.

“Më thotë se nuk mund të flasë shumë me mua në telefon sepse nuk do që të dëgjohet nga fqinjët. Do të heshtë për shkak të punës”, thotë babai.

Si pjesa më e madhe e punëtorëve nëpër fermat e kanabisit, i riu shkoi në Mbretërinë e Bashkuar me gomone duke rrezikuar jetën. Rruga e futi në borxhe me trafikantët, ndonëse babai i tij thotë se tanimë e ka shlyer borxhin.

Ai fajëson po ashtu rrjetet sociale si nxitëse për interesin e papritur të të birit për këtë lloj pune. “Mendoj se u influencua nga mediat sociale, ose njerëzit. Është influenca e miqve të tij sepse ata i dërgonin gjatë gjithë kohës mesazhe duke i thënë hajde këtu, puno me ne dhe bëj para”.

Ky prind i shqetësuar di të paktën 3-4 raste të familjeve të tjera, djemtë e të cilëve ende pa mbushur 18 vjeç kanë udhëtuar drejtë Britanisë për të punuar në fermat e kanabisit, shkruan Express.

Duke ditur se i biri ka ngecur në një punë të jashtëligjshme në një tokë të largët, ai ka frikë për jetën e tij, gjatë gjithë kohës.

“I kam kërkuar të kthehet në shtëpi, sepse ndoshta një ditë mund të vritet nga ata që mund t’u futen në shtëpi. Vijoj t’i përsëris që të ndryshojë mënyrën sesi e sheh jetën dhe punën”, rrëfeu më tej babai shqiptar për median britanike.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts