Hungaria mban zgjedhjet parlamentare nën hijen e luftës në Ukrainë

12:43 03/04/2022

Vendvotimet u hapën në mbarë Hungarinë herët të dielën, ndërsa votuesit në vendin e Evropës Qendrore përballen me një zgjedhje: t’i japin një shans një koalicioni me orientim perëndimor të partive opozitare, ose t’i japin kryeministrit nacionalist Viktor Orban mandatin e katërt me radhë.

Gara pritet të jetë më e ngushta që kur Viktor Orban mori pushtetin në vitin 2010, falë gjashtë partive kryesore opozitare të Hungarisë që lanë mënjanë dallimet ideologjike për të formuar një front të bashkuar kundër partisë së tij të krahut të djathtë, Fidesz.

Anketat e fundit flasin për një garë të ngushtë, por i japin partisë Fidesz një epërsi të lehtë, duke e bërë të mundshme që votuesit e pavendosur të përcaktojnë fituesin në votimet e sotme.

Partitë e opozitës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë vënë në dukje pengesat strukturore për mposhtjen e Viktor Orbanit me mjete elektorale, duke vënë theksin te paragjykimet e përhapura pro-qeveritare në median publike, dominimin e mediave komerciale të lajmeve nga aleatët e Orbanit dhe një hartë elektorale shumë të manipuluar.

Megjithatë, pavarësisht asaj që e quan një fushë loje të pabarabartë, koalicioni i gjashtë partive opozitare, Të bashkuar për Hungarinë, u ka kërkuar votuesve të mbështesin përpjekjet e tij për të futur një kulturë të re politike në Hungari të bazuar në qeverisjen pluraliste dhe aleancat e përmirësuara me BE-në dhe NATO-n.

Kandidati i koalicionit për postin e kryeministrit, Peter Marki-Zay, ka premtuar t’i japë fund atij që ai pretendon se është korrupsion i shfrenuar qeveritar dhe të rrisë standardet e jetesës, duke rritur fondet për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe arsimor të Hungarisë.

Toni i fushatës para zgjedhjeve të së dielës u zhvendos në mënyrë dramatike nga agresioni i Rusisë në Ukrainën fqinje.

Ndërsa opozita i bëri thirrje Hungarisë që të mbështesë fqinjin e saj dhe të veprojë në hap me partnerët në BE dhe në NATO, Viktor Orban, një aleat i vjetër i presidentit rus Vladimir Putin, këmbëngulë që Hungaria të qëndrojë neutrale dhe të mbajë lidhjet e saj të ngushta ekonomike me Moskën, duke përfshirë vazhdimi i importit të gazit dhe naftës ruse. /VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.