Hungaria miraton anëtarësimin e Suedisë në NATO

hungaria miraton anetaresimin e suedise ne nato

17:18 26/02/2024

Parlamenti i Hungarisë ka miratuar të hënën projektligjin që i mundëson Suedisë anëtarësimin në NATO.

Hungaria ka qenë vendi i vetëm prej 31 vendeve anëtare të NATO-s që e ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi nordik në aleancën veriatlantike. Ligjvënësit kanë votuar me 188 vota pro dhe 6 kundër.

Disa ditë para votimit, kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka qëndruar për vizitë në Budapest dhe bashkë me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, kanë nënshkruar një marrëveshje për armët.

Qeveria e Orbanit është përballur me presion prej aleatëve të NATO-s që të jetë në përputhje me vendet tjera të aleancës dhe të ratifikojë marrëveshjen për pranim të Suedisë.

“Më në fund është kryer, Suedia është anëtarja e 32-të e aleancës, dhe në këtë mënyrë NATO-ja është bërë më e fortë”, ka thënë Agnes Vadai, ligjvënëse e partisë opozitare hungareze, Koalicioni Demokratik.

Stokholmi ka hequr dorë prej politikës së saj me gjenerata dhe ka vendosur t’i bashkohet NATO-s, para nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022. Suedia dhe Finlanda e kanë marrë vendimin e njëjtë, mirëpo Finlanda është anëtarësuar vitin e kaluar.

Suedinë e kanë vonuar Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë marrëdhënie më të mira me Rusinë, sesa vendet tjera të NATO-s. Turqia e ka bllokuar anëtarësimin e Suedisë, duke kërkuar më shumë masa të Stokholmit ndaj militantëve të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), të cilët Ankaraja beson se strehohen në Suedi.

Hungaria e ka zvarritur procesin kryesisht për shkak të kritikave të Suedisë për nivelin e demokracisë në Hungari, nën udhëheqësinë e Orbanit. Anëtarësimi i Suedisë, vend që nuk ka qenë në luftë prej vitit 1814, dhe Finlandës, përbën zgjerimin më të madh të aleancës, prej viteve ’90.

Ndonëse Suedia ka bashkëpunuar me vendet e NATO-s, dhe ka kontribuuar në disa operacione, sikurse ato në Afganistan, anëtarësimi i saj pritet të thjeshtësojë planet për mbrojtje dhe bashkëpunimin në flotën veriore të NATO-s./REL

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts