I dha fund jetës në dyert e SPAK, kalvari 4 vjeçar i Pal Trashajt/ Kredia që i morri jetën historianit

i dha fund jetes ne dyert e spak kalvari 4 vjecar i pal trashajt kredia qe i morri jeten historianit
i dha fund jetes ne dyert e spak kalvari 4 vjecar i pal trashajt kredia qe i morri jeten historianit

Emisioni Në Shënjestër në News24 i gazetares Klodiana Lala ka hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku Pal Trashaj, i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë. Trashaj zgjodhi dyert e SPAK për të ndërmarrë aktin e rëndë, pasi prej 4 vitesh kërkonte drejtësi dhe nuk po arrinte ta gjente. Shkaku, një kredi e marrë në 2008, të cilën ai pretendonte se e kishte shlyer, por  që dukej se ishte futur në një rreth vicioz, ku vazhdimisht paguante dhe sërisht dilte debitor.

Pal Trashaj nuk është më.

Nuk është më në këtë jetë, sepse ia morën edhe kur ai bërtiti fort për të.

Të hënën e këtij fillim korriku, pas një beteje të gjatë me shurdhësinë që shoqëron shpesh drejtësinë në këtë vend, ai vendosi t’i japë fund jetës pikërisht përballë SPAK, institucionit të vetëm ku ai kishte varur shpresat se zëri i tij më në fund do të dëgjohej.

Siç shikohet edhe në këto pamje të tij të fundit në këtë jetë, ai kishte mbërritur në derën e këtij institucioni për t’u takuar me një nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për t’i shprehur dëshpërimin e tij, pas katër vitesh kalvari të gjatë në kërkim të së drejtës së mohuar.

Pas një padrejtësie të madhe që ai mendonte se i ishte bërë nga një institucion mikrofinanciar, që i kërkonte të paguante këstet e një kredie të marrë në vitin 2008, që ai pretendonte që e kishte shlyer.

Por që disa vite më pas, kur po mendonte se ishte në pagimin e këstit të fundit, papritur ai gjendet përballë një situate të pazakontë, të njohjes me faktin që kishte shumë këste pa derdhur në llogari.

Por ky takim me oficerin e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk u realizua, dhe kjo duket se e çoi drejt mendimit fatal Pal Trashaj, historianin nga Lezha, që në mungesë të drejtësisë dhe lodhjes së gjatë duke trokitur nëpër dyer që nuk i hapeshin, vendosi t’i japë fund jetës ndoshta në shenjë revolte, pikërisht në oborrin e SPAK.

Si për t’u thënë të gjithëve, që akti i tij i vetëflijmit, le të jetë  si një thirrje ulëritëse për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që kanë në dorë fatin e njerëzve.

Edhe të Pal Trashaj në këtë rast, që pasi piu kokrrën e fostoksinës që kishte marrë me vete në oborrin e SPAK, u nda nga jeta një ditë më pas në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Por pse Pal Trashaj, vendosi t’i japë fund jetës në këtë akt tragjik, të padëgjuar më herët?

Cila është historia e tij me institucionet jofinanciare të mikrokredisë, që daton që nga viti 2008 dhe si këto institucione e mashtruan dhe e futën sërish në borxhe, tashmë te disa insitucuone të tjera të mbledhjes së debiteve.

Që janë trajtuar më herët edhe në emisionin ‘Në Shënjestër’ dhe që ashtu si shushunjëzat, po u pijnë gjakun qytetarëve, duke u bllokuar pasuritë, në emër të mbledhjes së borxheve.

Sipas informacioneve të emisionit ‘Në Shënjestër’, i gjithë kalvari i gjatë i Pal Trashaj me këto insitucione nis në vitin 2008.

Koha kur ai merr në institucionin jo financiar ‘Oportunity’ një kredi me vlerë 5 milionë lekë të vjetër, që me shlyerjen përfundimtare të kësteve, shuma shkonte në 8 milionë lekë të vjetër.

Kjo me qëllim për të shlyer një detyrim të mëparshëm që ai kishte.  Sipas të dhënave, Pal Trashaj, duke qenë se ‘Oportunity’ nuk ishte një institucion financiar, këstet e kredisë do të duhej t’i shlyente në një bankë të nivelit të dytë.

Kjo ishte në thelb edhe marrëveshja që palët kishin rënë dakord.

Por ndërsa çdo gjë duket se po shkonte normalisht, një ditë atë e marrin nga institucioni ku kishte marrë kredinë dhe i thonë që tani e në vazhdim nuk ishte më e nevojshme të shkonte në një bankë të nivelit të dytë për të shlyer këstet e mbetura.

Por këtë mund ta bënte fare mirë në ‘Oportunity’ që në këtë moment emrin e kishte ndërruar në ‘NOA’. I bindur se çdo gjë ishte në rregull, Pal Trashaj vendos t’i paguajë këstet e mbetura të kredisë prej 5 milionë lekë të vjetra, në institucionin ku edhe i kishte marrë.

Një këst mujor që në vetvete ishte 150 mijë lekë të vjetra. Por ndërsa mendonte se më në fund po e shlyente kredinë, nga të cilat një pjesë të kësteve te ‘NOA’, telashet për të një ditë fillojnë dhe nuk përfundojnë nga një telefonatë që merr nga drejtori i ri i këtij institucioni.

I cili pasi i prezantohet në telefon, e fton të paraqitet në zyrat e mikrokredisë. Aty ku Pal Trashaj, pasi hedh sytë, nuk njeh asnjë nga punonjësit e dikurshëm.

Por ajo që dëgjon nga drejtori i ri i ‘NOA’-s për të është me të vërtetë e habitshme. Ku ai i tregon Pal Trashaj se kishte disa këste kredie të pashlyera ndër vite të ndryshme.

Shumë e cila sipas drejtorit të ri të ‘NOA’, ishte 4 milion e 400 mijë lekë të vjetra. Gjë e surprizon jo pak klientin, i cili në pretendimin se e kishte paguar këto këste në ‘NOA’, i kërkon menjëherë drejtuesit të këtij institucioni, dokumentacionin përkatës.

Por edhe pse e kërkoi me shkrim këtë informacion, Pal Trashaj nuk mori kurrë përgjigje se ku kishin avulluar ndërkohë pagesat e kësteve që ai kishte bërë në ‘NOA’.

Përkundrazi ai mori vetëm një grafik pa firmë dhe vulë, ku shkruhej se në muajin nëntor 2011 ai nuk kishte paguar një këst. Po kështu edhe në shkurt 2012.

Dhe me radhë ishin 6 këste që ai nuk kishte paguar sipas ‘NOA’-s.  Këste që në vetvete përbënin shumë 900 mijë lekë të vjetra, por që bashkë me interesat kishin shkuar në 4 milion e 400 mijë lekë të vjetër.

Pra sipas ‘NOA’-s, tashmë Pal Trashaj, do të duhet të paguante mbi shumën e parë të kredisë prej 8 milionë lekë të vjetër edhe pothuaj 3 milionë e 500 mijë lekë të vjetra.

Pra në total për kredinë prej 5 milionë lekë të vjetra që mori në fillim, ai duhet të paguante 11 milion e 500 mijë lekë të vjetra. Kjo për shkak të vjedhjes që punonjësit e këtij institucioni kishin bërë.

I gjendur në një situatë të tillë, ai kërkon të hapë një proces gjyqësor.  Por edhe këtu ‘NOA’ përpiqet të bëhet pengesë.

Pasi nuk i jep dokumentacionin përkatës të shlyerjes së kësteve të kredisë.  Por ndërsa mendoi që këtë çështje ta linte pezull, pikërisht në vitin 2017, për të fillon një tjetër kalvar.

Ai i institucioneve të cilat mbledhin kreditë e këqija. Ku ‘NOA’ del se ashtu si shumë klientëve të tjerë të saj, ia kishte shitur borxhin e Trashaj, institucionit jo financiar ‘STAR’.

Që nis nga ana e saj ta telefonojë vazhdimisht, duke i kërkuar të shlyente borxhin. Duke iu prezantuar si institucioni që tashmë kishte për detyrë të mblidhte këtë borxh. Ndryshe në rast se ky borxh nuk kthehej, atëherë ata do auorizonin përmbarimin që të bllokonte pasuritë e Trashaj.

Këto telefonata duket se u bënë gjithmonë e më të shpeshta, dhe po kështu edhe zarfet që vinin në adresë të tij nga kompania ‘STAR’.

E cila nga ana e saj nuk pranonte asnjë kontakt me këta klientë. Madje shpesh përdornin edhe dhunën ndaj qytetarëve që shkonin në zyrat e tyre, sa herë ata ngrinin zërin dhe kërkonin të informoheshin mbi gjendjen e tyre.

Aq sa arritën në rastin e Pal Trashaj, t’i bllokonin edhe banesën, por jo të kryenin sekuestrimin e saj. Por ndërsa ai çështjen ia kaloi për hetim Prokurorisë, ky organ akuze e zvarriti pa fund denoncimin e tij, pa i dhënë kurrë një përgjigje. Duke e lënë të pashpresë dhe të vetmuar në luftën e tij në kërkim të drejtësisë.

Çështje e cila u konfirmua edhe nga SPAK në njoftimin e saj, lidhur mbi incidentin e ndodhur në oborrin e këtij insitucioni, ku Pal Trashaj zgjodhi më pas të pinte fostoksinë dhe t’i jepte fund jetës.

Ashtu sikurse edhe ndodhi fatkeqësisht në vazhdim.

SPAK

Qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.  Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. 

Pas disa orësh, jashtë ambjenteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.

Por historiani 63 vjeçar, Pal Trashaj, që i dha fund jetës për shkak të mashtrimit me mikrokreditë  nuk është as i pari dhe as i fundit që bie pre e këtij mashtrimi.

Në Shqipëri thuhet se janë 17 mijë qytetarë të mashtruar nga këto institucione të cilët i kanë zhvatuar në forma nga më të ndryshmet, duke u bllokuar, sekuestruar pasuritë, për kredi që kanë qenë në shuma tejet qesharake.

Dhe kjo në sytë e Bankës së Shqipërisë, e cila duhet të kishte ndërhyrë në kohë për të ndalur këtë masakër me klientët e këtyre institucioneve jo financiare.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts