“I dhashë kontrabandistit 1500 dollarë”, afganët në Turqi: Udhëtuam maleve, kemi ardhur me shpresën për të arritur diçka

Fluksi i refugjatëve afganë në Turqi po vijon…

Tatvan, në Provincën Bitlis, është bërë pika e dytë më e rëndësishme e kalimit për refugjatët afganë pas provincës Van. Refugjatët mbërrijnë në këtë qytet me varka ose në këmbë dhe më pas përpiqen të udhëtojnë në perëndim të Turqisë.

Pas përparimit të shpejtë të talebanëve në Afganistan, këta të rinj afganë u bënë refugjatë. Ata kanë udhëtuar mbi 3500 kilometra duke kaluar kufirin e Iranit si dhe atë të Turqisë.

Shumica e tyre janë nën moshën 18 vjeç, ndërsa thonë se nuk mund të jetohet në Afganistan nën udhëheqjen e talebanëve.

“Ju nuk mund të dilni nga shtëpia për të shkuar në një dyqan natën ndërsa drejtojnë talebanët. Ju nuk mund t’i çoni familjarët tuaj në një spital gjatë natës. Ata ju detyrojnë të rrisni mjekrën dhe nëse rruheni, atëherë ata do t’ju rrahin”, thotë Rahmetullah Muhamedi, refugjat afgan 16-vjeçar.

Anëtarët e ushtrisë së Afganistanit janë mes refugjatëve. Ata thonë se u larguan nga vendi në mënyrë që ata të mos vriteshin nga talebanët. Një ndër ata, i cili u plagos gjatë shërbimit të tij, është Mohibullah.

“Unë isha vendosur në provincën Farah, pastaj shkova në Uruzgan. Me hodhën një bombë teksa isha në rrugë, pastaj më qëlluan. Kam ende një plumb në dorë. Tani që talebanët kanë marrë kontrollin, u largova dhe erdha këtu”, thotë ai.

Refugjatët afganë që largohen nga atdheu kalojnë kufirin pakistanez, pastaj Iranin dhe në fund kufirin turk. Mund të duhen muaj që ata të arrijnë në destinacionin e tyre. Kontrabandistët kërkojnë 1000 dollarë nga secili prej tyre. Shumica thonë se ata janë grabitur gjatë rrugës.

“I dhashë 1500 dollarë një kontrabandisti dhe erdha këtu. Tani nuk kam këpucë në këmbë, vetëm sandale. Unë u hodha nga një lartësi e madhe dhe tani kam dhimbje shpine ”, thotë Mohibullah, refugjat afgan.

“Ka një muaj që kemi ardhur. Udhëtuam maleve duke u përballur me shumë vështirësi për të arritur këtu. Kishte shumë luftime në vendin tonë; nga njëra anë talebanët dhe nga ana tjetër, qeveria. Pra, unë kam ardhur këtu me shpresën për të arritur diçka”, thotë Nimetullah, refugjat afgan.

Rruga e këtyre refugjatëve vijon drejt Turqisë perëndimore me shpresën për të gjetur një të ardhme më të ndritur.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *