“I kërkova Albinit të takohemi në një format më të ngushtë”, Rama konfirmon anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, negociatat e fundit me Kurtin

i kerkova albinit te takohemi ne nje format me te ngushte rama konfirmon anulimin e mbledhjes se perbashket te dy qeverive negociatat e fundit me kurtin

TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat mbrëmë dhe ka konfirmuar anulimin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive Kosovë-Shqipëri që ishte parashikuar të mbahej në Gjakovë.

Rama deklaroi se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të takohen nesër në një format më të ngushtë, me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë që po çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, por sipas tij homologu kosovar nuk ka pranuar.

“Ndjesë për këtë orë të pazakonshme, por është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë.

Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”, tha Rama.

[embedded content]

Gjithsesi ai tha se shpreson që të takohen për të ballafaquar opinionet.
“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.
Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, tha Rama.

Anulimi i mbledhjes së dy qeverive vjen pak ditë pas një draft propozimi nga kryeministri i Shqipërisë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që i është dërguar presidentit francez, Macron dhe kancelarit gjerman Scholz.

Sot Kurti deklaroi se Rama këtë draft më mirë t’ia propozojë Aleksander Vuçiçit, për shqiptarët në Preshevë dhe Bujanovc.

“Nuk kam dyshim se Rama beson që propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë ajo që unë propozoj është ë kryeministri Edi Rama këtë draft statut t’ia prezantojë Vuçiçit në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë dhe Bujanoc.

Nëse e mendon si diçka të mirë le t’ia bëjë si propozim për shqiptarët që ndodhen atje. Duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama, në vend që të propozojë në Paris e Berlin, t’ia propozojë Beogradit për Bujanocin, Medvegjën e Preshevën”, tha Kurti gjatë konferencës për mediat.

i kerkova albinit te takohemi ne nje format me te ngushte rama konfirmon anulimin e mbledhjes se perbashket te dy qeverive negociatat e fundit me kurtin

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts