Ikën nëse humb zgjedhjet? Rama tregon nëse ka vendosur bast për rezultatin e 25 prillit



edi rama iken

Kryeministri Edi Rama nuk do të imitojë Sali Berishën, nëse humb zgjedhjet e 25 prillit. Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në “News 24”, me gazetaren Nisida Tufa, Rama tha se do vijojë t’i shërbejë Partisë Socialiste, por jo nga pozicioni i kryetarit të partisë.

I pyetur nëse do të bashkonte votat në Parlament për të bërë qeveri me LSI-në, kreu i PS-së u shpreh kategorik se nuk do të bëjë koalicion me këtë parti asnjëherë dhe për asnjë arsye, por nuk do të pranonte as votën e Tom Doshit, nëse ajo do të bënte numrat e nevojshëm për të votuar qeverinë.

Z. Rama, ia kam bërë këtë pyetje edhe z. Basha, por nuk e kam marrë një përgjigje. Po jua bëj edhe juve duke ju pasur përballë. Do të largoheshit, nëse nuk do të fitonit zgjedhjet?

Kjo është shumë pak, por shumë e sigurt që nëse shqiptarët do të refuzonin të më jepnin mua mandatin e tretë, unë nuk do rrija të prisja që shqiptarët të korrigjonin gabimin e tyre siç rri Saliu që megjithëse i humbi zgjedhjet, megjithëse dha dorëheqjen, vazhdon tërheqë këmbën zvarrë, sepse është i bindur që shqiptarët kanë bërë një gabim të madh që nuk i dhanë mandatin e tretë dhe nuk lë gur pa luajtur, shejtanllëk pa bërë dhe pocaqi për të marrë hak dhe për të kthyer Partinë Demokratike në pushtet përmes dhëndrit politik.

Gjëja që unë e kam thënë shumë qartë dhe e kam bindje është që në momentin që unë nuk jam më në këtë detyrë unë thjesht jam një person që natyrisht do t’i shërbej Partisë Socialiste, por në asnjë mënyrë duke bërë atë që s’më takon. Dhe ajo që s’më takon është të bëjë atë që bën Saliu. Në asnjë mënyrë jo, kurrë! Ndërsa Luli nuk ta jep atë përgjigje, sepse Luli do humb dhe do vazhdojë të bëjë sikur ka fituar.

Angazhimi juaj është intensiv e për më tepër edhe në kohë fushate, takimet, udhëtimet në rrethe etj. Çfarë ju mungon, në raport edhe me familjen apo njerëzit e afërt. Sa është koha që kalon me ta, duke pasur parasysh që Zaho është ende i vogël…

Asnjeri nuk e kupton dot dhe nuk ka faj se çfarë do të thotë të jesh në majë. Përgjithësisht njerëzit mendojnë se kush është në majë është një njeri që bën një jetë për t’u pasur zili, që i plotësohen të gjitha dëshirat, që shkurt muhabeti bën qejf. Në fakt të jesh në majë është totalisht një pozicion që në të shumtën e rasteve nuk është aspak i rehatshëm, sepse je në pikën ku fryjnë të gjitha erërat dhe je vetëm!

Ti ke shumë njerëz rreth e rrotull që sigurisht janë aty për ty për të të dhënë këshillën dhe për të të asistuar kur ti ke nevojë, por aty ku merren vendimet, që janë vendime të forta aty kur ti duhet të ndash: kështu apo ashtu, këtij apo andej, je vetëm!

Dhe është një barrë e jashtëzakonshme përgjegjësie, si edhe një stres i jashtëzakonshëm. Dhe nga ana tjetër, unë jam një njeri që jam shumë obsesiv pas punës dhe pas detajeve.

I ndjek të gjitha, sepse po nuk i ndoqe rrezikon pastaj që gjërat të mos shkojnë ashtu siç duhet dhe është një konsum shumë i madh kohe, energjie dhe mbi të gjitha është çështje e programimit. Je kaq shumë i fokusuar te kjo punë, saqë të gjitha gjërat e tjera bëhen dytësore, tretësore, katërsore, jo se ti do, por sepse ashtu ndodh!

Dhe koha për familjen është shumë e ngushtë, madje edhe ajo kohë që është për familjen, është një stres për ata, sepse ti je edhe s’je aty. Është puna ajo që të mban peng dhe sigurisht që kush shkon në majë është një borxhli i madh ndaj atyre që ka rreth e rrotull në familjen e vet, rrethin e vet miqësor. Humbet miq, për shkak se është larg, se koha bën të vetën, për shkak se mundësitë për të kuruar marrëdhënien janë minimale dhe fëmijët rriten e ti nuk kupton që koha kalon.

Ky është çmimi që ti paguan kur je në majë. Por, ndjenja e privilegjit të madh që ke për të bërë atë që ti mund të bësh në atë pozicion për njerëzit është e atillë që i kompenson të gjitha. Të kesh mundësinë t’i japësh njerëzve përsëri buzëqeshjen pas një viti kaq të tmerrshëm, kur marrin vaksinën. Të shohësh të moshuarit, gjyshërit që janë të lehtësuar. Ky është bekim nga Zoti mendoj unë.

A keni një koment për deklaratat e Presidentit për zgjedhjet. Thotë se do të mbrojë çdo votë, ekipe të Presidencës do të jenë në çdo qendër votimi…?

Ilir Meta na ka lënë. Ilir Meta nuk i përket më kësaj bote, në sensin e botës së njerëzve normalë që me gjithë ekseset e tyre qëndrojnë prapë brenda një kornize normaliteti dhe në nivele lajthitjeje.

Kemi një nivel të parë lajthitjeje, që është lajthitja e Lulit që infekton njerëz, kemi pastaj një tjetër nivel lajthitjeje, që është lajthitja e Ilir Metës, që është futur në vorbullën e një përçartjeje që është realisht shumë shqetësuese.

Është shqetësuese për faktin që Shqipëria nuk ka më President, s’ka më garant të institucioneve dhe s’ka më garant të kushtetutës. S’ka më faktikisht asgjë në atë zyrë përveçse një njeriu të tërbuar, i cili nuk di më se çfarë flet, nuk di më se çfarë kërkon. Unë shpresoj, dhe nuk e kam një shpresë të fortë, që Ilir Meta të iki dhe të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve kur në të fitojmë zgjedhjet ashtu sikundër e ka deklaruar.

Zgjedhjet në 25 prill janë ndër të tjera dhe një zgjedhje e qartë midis drejtësisë dhe Ilir Metës, kështu që kush do të votojë në 25 prill për Partinë Socialiste do të japë një kontribut të rëndësishëm edhe për të çliruar Presidencën nga Ilir Meta.

A keni një bast me veten z. Rama për rezultatin e 25 prillit?

Jo, unë nuk vë bast asnjëherë. Jo vetëm që e kam të ndaluar në Shqipëri, por edhe për faktin që unë nuk nisem nga dëshirat. Kur bëj parashikimin e gjërave unë mundohem të jem sa më skrupuloz në analizën e të dhënave që kam në dispozicion. Ne e kemi shumë të kolauduar mekanizmin e anketimeve që bëjmë. Ne bëjmë anketime shumë të rregullta prej shumë kohësh tanimë për të lexuar opinionin publik.

Në kohë normale, pra në kohë jashtë zgjedhore i bëjmë për tema, në prag zgjedhjesh i bëjmë edhe për orientimin e votës dhe unë jam shumë i bindur që jemi në rrugën e duhur për të arritur rezultat shumë pozitiv. Sigurisht që ka një gjë, unë kam luajtur sport dhe unë e di shumë mirë që fitorja arrihet kur ndeshja mbaron, nuk arrihet përpara se të fillojë ndeshja.

Mund të jesh një skuadër shumë e mirë, mund të hysh në fushë me një skuadër shumë më të dobët dhe mund të ngatërrohesh me këmbët e tua e në fund mund të marrësh një rezultat që nuk ka lidhje fare me peshën dhe me vlerën që ka njëra skuadër apo tjetra.

Z. Rama, ju kërkoni mandatin e tretë pa koalicion. Po nëse rezultati i zgjedhjeve dikton diçka tjetër, i përjashtoni koalicionet paszgjedhore, me LSI-në apo me PD-në?

Ata kanë bërë një kontratë parazgjedhore dhe pastaj janë futur në zgjedhje veç e veç. Kjo është e pandodhur, është diçka shumë domethënëse. Kontrata e tyre parazgjedhore është në fakt një kontratë që noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe të Saliut.

Iliri dhe Saliu duan me çdo kusht që të garantohen që Luli nuk ju del nga duart. Monika është garantja e kësaj nevoje përmes një kontratë, e cila ka edhe një pjesë të fshehtë. Në pjesën e fshehtë janë ndarë edhe detyrat dhe kapja prej fyti e Lulit është bërë shumë e strukturuar.

Por thënë kjo, Partia Socialiste nuk do ketë nevojë të kërkojë ndihmë për të formuar qeverinë, sepse PS-ja do të marrë një rezultat që nuk do të jetë më i ulët, sesa rezultati që mori në 2017. Madje do të jetë më i lartë se rezultati që mori në 2017, nuk ka asnjë mundësi që Partia Socialiste të bjeri nën numrin e nevojshëm për të formuar qeverinë, sepse nuk ka ku bie.

Janë numra, nuk është çështje opinionesh dhe ky është një spekulim. Natyrisht që po, do të ishte shumë e rëndësishme dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia që klima e marrëdhënieve mes palëve të ndryshojë, sepse nuk mund të vazhdohet kështu.

Po nëse do të duhej, do të anonit më shumë nga PD-ja apo LSI-ja?

Kjo është një pyetje që unë nuk besoj se ka dyshim. Me LSI-në asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë arsye.

Nëse do ju duhej ndihmë për një mandat për të plotësuar, a do të ishte Tom Doshi një aleat juaji në këtë rast?

Jo!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *