Incidenti në Komision/ Ministrja Margariti i përgjigjet Ina Zhupës: S’ka marrëveshje sekrete për të shitur Butrintin! Nëse ime bijë do më shikonte duke i rënë tavolinës me grushte…









Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot në Komisionin e Edukimit ku deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa i hoqi mikrofonin, teksa e akuzoi se po mbajnë sekret marrëveshjen për dhënien me koncesion të Butrintit.

Margariti shprehet se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete për të shitur Butrintin të cilin e quan pronë të shtetit shqiptar.

Ajo thotë se si nënë dhe si grua nuk do gjente guximin të kthehej në shtëpi nëse do shfaqej në ekran duke i rënë tavolinës me grushte.

Deklarata e Elva Margaritit

Sot publikut iu servir një “spektakël” i shëmtuar gjatë një seance dëgjimore në Kuvend, për një çështje me rëndësi strategjike si ajo e mirëmenaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit. Një akt brutal, i cili nuk ka të bëjë me kostumin politik, por me statusin e qytetarisë në mjedisin publik.

Si grua dhe si nënë, nuk e di se me çfarë guximi do të kthehesha në shtëpi, nëse do ta dija se ime bijë apo çdo bashkëmoshatar i saj do të më kishte parë në ekran, duke shkulur mikrofonë e duke i rënë tavolinës me grushte!!

Nuk arrij dot ta vendos veten në pozicionin e një gruaje tjetër, që abuzon me besimin e dhënë si përfaqësuese e një komuniteti, duke harruar se në radhë të parë është një figurë publike dhe detyrimisht një shembull publik. Të zgjedhësh forcën e dhunës në vend të forcës së fjalës dhe në vend të argumentit të zgjedhësh ulërimat, kjo fatkeqësisht ndodh në mjedisin tonë publik, por kur këtë e bën një grua kjo të le pa frymë dhe pa fjalë.

Gjithsesi, si Ministre Kulture do të doja të siguroja çdokënd se nuk ka asnjë marrëveshje “sekrete” për të “shitur” Butrintin. Ka qenë dhe do të jetë pronë e shtetit shqiptar, madje edhe përtej pretendimeve të një pronari që një parti tjetër ia njohu Butrintin si trashëgimi familjare!

Ministria e Kulturës do të jetë gjithnjë e hapur për të dëgjuar, reaguar, korrigjuar, ngritur ura dhe shembur mure paragjykimi, duke besuar në forcën e dialogut, mirëkuptimit dhe transparencës!

Personalisht ndihem keq për institucionin, për publikun që e pa atë skenë, për kolegët pa dallim. Por ndihem mirë, sepse edhe disa kolegë të opozitës më shprehën keqardhjen e tyre për “spektaklin”, jo për mua.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.