Inflacioni në Eurozonë rritet në 8.6%

19:08 02/07/2022

Lufta në Ukrainë po nxit rritje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve ku vetëm në muajin Qershor kapën shifra rekord

Norma vjetore e inflacionit në Eurozonë u rrit në një nivel të ri rekord prej 8.6 përqind në muajin Qershor, sipas shifrave të publikuara nga EUROSTAT.

Agjencia e Statistikave e Bashkimit Evropian tha se rritja e çmimeve të konsumit në 19 vende që përdorin monedhën euro ishte rritur më shumë nga rekordi i mëparshëm prej 8.1 përqind i regjistruar në Maj. Inflacioni është në nivelin më të lartë që nga viti 1999.

Një ndër faktorët kryesorë që ka çuar në rritjen e inflacionit në zonën e Euros është lufta në Ukrainë e cila ka ndikuar në rritjen e indeksit të çmimeve e cila sipas ekspertëve po prodhon një tjetër krizë atë të urisë dhe jo vetëm.

Çmimet e energjisë u rritën me 41.9 për qind në Qershor krahasuar me 39.1 për qind në Maj, ndërsa çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u rritën në 8.9 për qind nga 7.5 për qind në Maj. Rritja e çmimeve të energjisë po e çon inflacionin në Eurozonë në nivele shumë të larta.

Norma e inflacionit ka qenë shumë më e lartë se objektivi 2 për qind në periudhën afatmesme të vendosur nga Banka Qendrore Evropiane, e cila është e detyruar të rrisë normat e interesit për të frenuar inflacionin e lartë.

Përveç rritjes së çmimeve të energjisë, konflikti Rusi-Ukrainë dhe sanksionet e lidhura kundër Rusisë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë prishur gjithashtu tregjet globale të drithërave dhe plehrave kimikë për tokat bujqësore.

Në 30 Maj liderët e BE-së ranë dakord për paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë, që përfshin një ndalim të naftës ruse. BE vendosi të ndalojë 90 për qind të importeve të naftës nga Rusia deri në fund të vitit, duke synuar të shtypë ekonominë ruse për shkak të agresionit në Ukrainë.

Covid-19 si dhe lufta në Ukrainë po i jep një goditje të fortë kryesisht vendeve në zhvillim por edhe jo vetëm, duke bërë që Banka Qëndrore Europiane të ndryshojë skenarin me të cilin operon. Christine Lagarde, presidente e bankës është shprehur se bota nuk ka gjasa që të ketë një normë të ulët të inflacionit derisa lufta dhe pandemia të përfundojnë.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.