
18:01 01/09/2022
Bombardimet vonuan delegacionin, Rusia kërcënon Moldavinë me konfrontim ushtarak
Disa nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike janë larguar nga termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia. Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, katër nga nëntë automjetet e delegacionit u larguan nga uzina pasi kaluan rreth katër orë atje. Në plan afat të gjatë, Agjencia Ndërkombëtare të Energjisë Atomike shpreson të instalojë inspektorë në baza më të përhershme e duket se deri më tani Kremlini e mbështet një gjë të tillë.
Ekipi u vonua për tre orë në një pikë kontrolli ukrainas pasi përgjatë rrugës kishte bombardime. Megjithatë, grupi kishte thënë se donte të vazhdonte përpara.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska po bënte gjithçka për të siguruar që centrali të mund të funksiononte në mënyrë të sigurt dhe që inspektorët e OKB-së të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre.
Sakaq, nga ky i fundit ka ardhur një tjetër reagim i fortë për Moldavinë. Ai paralajmëroi këtë vend se kërcënimi i sigurisë së trupave ruse në rajonin separatist të Transnistria do të shkaktonte një konfrontim ushtarak me Moskën.
Rusia ka rreth 1500 ushtarë në Transnistria, të cilën e përshkruan si një forcë “paqeruajtëse” por që Moldavia dëshiron largimin e tyre. Ndërkohë,kreu i Elysee-s, Emmanuel Macron ka mbrojtur politikën e tij të vazhdimit të dialogut me Rusinë pas luftës në Ukrainë, duke thënë se Turqia nuk duhet të jetë e vetmja fuqi që flet me Moskën dhe se tashmë duhet të bëhen përgatitje për arritjen e paqes përmes negociatave.
Klan News