
Shërbimet e Inteligjencës ushtarake të Ukrainës, kanë bërë me dije se njësitë vartëse të Gjeneralit të ushtrisë ruse Aleksandër Dvornikov, dhe trupat e Gardës Kombëtare të Rusisë janë të përfshira në krime lufte kundër popullsisë civile të Mariupolit.
Gjenerali Dvornikov, komandanti Ushtarak i Qarkut Jugor të Rusisë, u emërua kohët e fundit si komandanti i përgjithshëm i fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, sipas një zyrtari amerikan dhe një zyrtari evropian, raporton CNN.
Në deklaratën e saj, Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës tha se Dvornikov u emërua komandant i trupave ruse në Ukrainë më 8 prill.
“Njësitë e tij vartëse të forcave të armatosura dhe trupat e Gardës Kombëtare të Rusisë janë të përfshira në krime lufte kundër popullsisë civile të Mariupolit”, thuhet në deklaratën e autoriteteve ukrainase.
Kujtojmë se të hënën, prokurorja e përgjithshme e Ukrainës tha se zyra e saj po hetonte 5,800 raste të krimeve të luftës ruse, me gjithnjë e më shumë të dhëna që dalin në dritë çdo ditë. Të martën, për herë të parë që kishte refuzuar t’i konsideronte të tilla, presidenti amerikan Joe Biden i përshkroi mizoritë në Ukrainë si gjenocid.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al