INTERVISTA/ “Askush s’mund ta pengojë protestën!”- Akademiku Artan Fuga: Liderët e BE nuk duhet të impresionohen nga tubimi, ka kudo në vendet demokratike. Qeveria s’bën transparencë me Portin e Durrësit









VALENTINA MADANI/ Akademiku i njohur Artan Fuga ka një këndvështrim kritik mbi shumë probleme që lidhen direkt me qytetarët për shkak të keqqeverisjes aktuale.

artan fuga

Ai flet për arsyet e “çoroditjes” së shqiptarëve, pamundësinë e tyre për të dalë nga udhëkryqi ku ndodhen, por edhe kahjet që ata duhet të marrin për një jetë më të mirë. Artan Fuga thotë për gazetën “Panorama” se “më i rëndë sesa emigrimi i jashtëm është emigrimi i brendshëm”. Fuga apelon për rëndësinë e votës së lirë përmes së cilës ka bindjen e plotë se do të largohet Edi Rama nga pushteti.

Akadamiku flet për pushtetarë të kriminalizuar, ndërsa vë në dukje se askush nuk mund të pengojë protestën e opozitës. Për të nuk ka rëndësi nëse zhvillohet në të njëjtën ditë me Samitin e BE-së, pasi sipas Artan Fugës, liderët evropianë nuk do të impresionohen nga protesta pasi ka kudo në vendet demokratike. Akademiku përmend se në këtë rast llogaritë nuk duhen bërë vetëm me Edi Ramën, por edhe me Ilir Metën dhe Sali Berishën, pasi ata kanë popullsinë me vete.

Profesor, pse shqiptarët vazhdojnë të jenë në udhëkryq e në njëlloj çoroditjeje, që nuk i ikin dot…?

Ka shumë arsye që shpjegojnë këtë që ju e quani “çoroditje”. Dikur, ta zëmë para një shekulli e gjysmë, shqiptari kishte ekonominë e vet familjare dhe pothuajse nuk kishte lidhje me shtetin në jetën e tij të përditshme. Se çfarë krize kishte brenda pallatit të Sulltanit në Stamboll, shqiptarit që kishte tre lopë, dy dhi, katër pula, një gjel, as nuk i hynte në punë fare. Jetonte qetë në humbëtirën e vet. Problemet tona filluan së bashku me sukseset tona.

Me Pavarësinë, si një aspiratë shekullore, sepse nisën betejat për pushtet mes grupeve politike që për arsye të ndryshme as nuk gjejnë një kompromis, as ndërtojnë dot një shtet ku qarqet politike të ikin dhe vijnë sipas vullnetit dhe votës të elektoratit. Problemet tona nisën me shtetin total që e konsideron ekonominë, politikën, teknikën, ndihmën sociale, etj., si një e tërë dhe veten si rregullator burokratik i të gjithë jetës shqiptare. Mjafton që një sferë e shoqërisë të hyjë në krizë, e gjithë shoqëria tronditet. Jemi në një shoqëri totale. Dikur t’i dilnin “të palarat” komshiut, shqiptarit tjetër as i prishej qederi. Kurse tani po u hakeruan informacionet personale, prekemi të gjithë. Shoqëria e centralizuar i ka këto.

Ne si shqiptarë nuk kemi pasur deri më tash marrëdhënie fort të mira me industrinë dhe teknologjinë. Aty nis çoroditja jonë. Sepse që të prodhojmë na duhet treg i gjerë që nuk e kemi. Të tjerët na konkurrojnë lehtë. Pra, zhytemi në prapambetje ose ndodhemi përballë një konkurrence që këllqet tona nuk e mbajnë. Ndërkaq, jemi në një zonë rivalitetesh gjeopolitike botërore dhe e gjithë zona është në çekuilibër ose ekuilibër të brishtë. Por, problemi ynë është qysh nga shekulli XIX kur Rilindësit në fakt përkufizuan problemin tonë të madh. Ne edhe duam një shtet të pavarur, edhe nuk qëndrojmë dot të pavarur pa një mbështetje nga jashtë që të garantojë. Luhatemi midis këtij paradoksi dhe problemi pa zgjidhje nëse nuk shtrohet ndryshe. Shtetet e vegjël çoroditen shpejt.

Sa serioze është situata e emigrimit duke pasur parasysh se Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, ndërkohë që përveç të rinjve po ikin edhe njerëz të kualifikuar, një pjesë e elitës së kombit?

Afatshkurtër është shumë çështje serioze. Opinioni publik është krejt përtokë. Ata që janë të pakënaqur dhe mund të protestojnë, pra që kanë energji sociale dhe politike, parapëlqejnë më mirë ta zgjidhin individualisht problemin e tyre, largohen për një jetë më të mirë jashtë vendit, sesa të angazhohen në përmirësimin e gjendjes në vend. Në një vend me opinion publik të dobët, burokracia shtetërore sundon rehat. Askush nuk ka fuqi ta përballojë. Por në krizë hyjnë bizneset sidomos disa lloje prej tyre. Shteti ngre më pak taksa, biznesit i ikën klientela, sigurimet, bankat, telefonia, etj., kanë më pak abonentë dhe klientë. Madje edhe karburantet, për të mos fol për shkollat.

Gjithsesi, unë them se më i rëndë sesa emigrimi i jashtëm është emigrimi i brendshëm. Ne kemi boshatisur territoret e vendit, kemi kthyer kurrizin pasurive tona natyrore dhe jemi mbledhur buzë Lanës. Kjo është e rëndë. Edhe rrallohemi si popullsi edhe jetojmë në hapësira me dendësi popullsie që të merr frymën. Në lagjen time nuk kalon dot më me veturë, sepse në një rrugicë të ngushtë duhet të shtrihen edhe tezgat e tregtarëve, edhe të kalojnë veturat, edhe të ecin këmbësorët. Nuk flas më për parkim, sepse është bërë i pamundur. Kurse afatgjatë, nuk shoh problem te emigrimi, sepse do të vijë një çast kur ai do të zbehet disi dhe kombi brenda njëzet a tridhjetë vjetësh mund të shumohet. Por, me kusht: Që tani ka vend të marrim masa mbështetëse që mundësisht të mbështeten lindjet. Në vend të qahemi të riprodhohemi. Ka mënyra dhe politika për këtë. Për shembull në Mesjetë kur duhesh përballuar ulje e dendësisë të popullsisë merreshin masa sikurse ishte një lidhje më e ngushtë midis akteve seksuale dhe lindjeve. Por, ky është muhabet i gjatë!

Sa ndikon standardi i ulët i jetesës, niveli i lartë i papunësisë, si dhe niveli e ulët i pagave, që janë më të ulëtat në rajon. A është keqqeverisja, varfëria dhe korrupsioni qeveritar arsyeja kryesore që po i çon shqiptarët drejt kalimit të detit.

Të gjithë këta faktorë ndikojnë. Por, në analizat tona e keqja është se ne kërkojmë vetëm një ose disa shkaqe, kurse shkaqet janë të pafund. Nuk ka një ose disa shkaqe. Edhe regjimi i vizave e nxit emigrimin. E drejta e lëvizjes të lirë në Bashkimin Evropian duhet të jetë pa afate, kështu ata që ikin, ikin – vijnë, pa problem. Kurse kështu, po qe se shkel vizën penalizohesh, ai që ikën nuk kthehet më sepse e di që ngecet brenda.

Pse ikin shqiptarët? Sa ndikon modeli ynë ekonomik?

Unë mund të flas pafund për këtë. Por, dua të them një gjë që më ka rezultuar nga kërkimet e mia shkencore. Është një gjë e tmerrshme ta mendosh. Emigracioni jashtë vendit nuk është as diçka e rastit, as nuk lidhet vetëm me politikat e një qeverie, vetëm, madje është një pasojë e natyrshme. Modeli i ekonomisë shqiptare prej tridhjetë vjetësh është i bazuar tek emigracioni i fuqisë punëtore jashtë vendit. Pra ne importojmë produkte nga jashtë. Këto kanë bllokuar të gjitha energjitë ekonomike dhe prodhuese të vendit. Njerëzit nuk punojnë. Çfarë të bëjnë? Ikin! Dhe që andej dërgojnë para për të afërmit e tyre këtu. Pra, modeli ynë ekonomik është bazuar në importimin e produkteve dhe në eksportimin e njerëzve!!! Me këtë model ekonomik, veç faktit që emigracioni dëmton qenien kombëtare dhe opinionin publik, ai është edhe një pasojë që ekuilibron ekonomikisht vendin. Ndryshe këtu, me këtë model ekonomik që kemi, ha njeriu njeriun!

Pse kaq shumë abuzime të qeverisë me fondet publike…?

Kjo duhet saktësuar, duhet analizuar në dosjet e saj të veçanta. Pra: Sa efikasitet ka puna e agjencive publike, e bashkive, dhe e nëpunësve të tyre? Cilat janë abuzimet që vijnë nga paaftësia dhe mungesa e interesit për punën e shumë nëpunësve? Sa është papërgjegjshmëria e nëpunësve që bëjnë të humbasin vlerat të caktuara materiale dhe financiare? Sa është pastaj edhe shkalla e korrupsionit dhe e plaçkitjes që i bëhet të mirave publike? Ajo që më bën përshtypje është se nuk penalizohet asnjë nëpunës që drejton një sektor për ato që Kontrolli i Lartë i Shtetit konsideron si shkelje financiare. Sepse shkeljet nuk përkthehen në denoncime në organet e drejtësisë. Se nëpunësi ka mbrojtje nga partia, etj.

Projekti 2 miliardë euro “bindi” 74 deputetë të mazhorancës që të votojnë marrëveshjen për ndërtimin të Portit të Durrësit. Pse i duhet Shqipërisë një investim i tillë në një kohë kur shqiptarët po marrin rrugët e Perëndimit?

Nuk e di nëse i duhet apo nuk i duhet. Mund t’i duhet, mund të mos i duhet. Që të gjykosh për këtë duhet të kesh raporte studimore se përse ky port aktual pengon transportin detar apo llojet e tjera të shkëmbimeve. Nuk kam parë ende një raport të tillë. Ka vend të na jepen përllogaritje se çfarë oportunitetesh hap ndërtimi i një porti të ri, pra se çfarë të ardhurash do të gjenerojë, çfarë do t’u sjellë shqiptarëve, durrsakëve, financave shtetërore, atyre private, bizneseve, çfarë do të sjellë afatshkurtër dhe afatgjatë. Nuk kam parë ende studime prognozë të ndërmarra nga qeveria ose nga “think tanke”, apo nga ekspertë të pavarur. Ndruaj se aty kompani të caktuara do të abuzojnë me fonde publike, ose nuk kam siguri që ato nuk do të abuzojnë sa kohë drejtësia është ende e pastabilizuar. Ndruaj se qeveria kërkon të gjenerojë fonde, të ngrejë fonde, në kushtet e një krize financiare që ndihet se vepron.

A mund të ndalohet projekti për ndërtimin e portit të ri të Durrësit? A është një mënyrë protesta siç ka paralajmëruar opozita?

Unë nuk e di nëse duhet ndaluar apo jo projekti si i tillë. Nëse projekti është transparent, krijohet bindja se ka transparencë financiare, drejtësi sociale, bëhet mbi bazën e prognozave afatgjata, sjell dobi, siguron ekuilibrin mjedisor, etj., pse të pengohet? Por, nëse nuk bëhen këto, dhe opozita mendon se duhet ndalur, nuk di si mund ta ndalë opozita kur qeveria as e pyet dhe opozita nuk ka asnjë mundësi kontrolli në Kuvend. Kurse protesta në Durrës nuk shoh se kush mund t’i bëjë. Unë shoh se gjithsekush mendon si të rritet vlera e aseteve të veta në kushtet e ndërtimeve të imagjinuara. Për efektin që do të ketë pas 50 vjetëve, nuk e vret njeri mendjen fatkeqësisht!

Opozita ka paralajmëruar protesta masive ditën që në Tiranë do të mblidhet Samiti i BE-së. Si I shikoni këto ngjarje në të njëjtën ditë?

Qeveria nuk ka të drejtë të pengojë manifestimin e protestës kundër saj. Ka të drejtë të kërkojë që të bëhet duke respektuar sigurinë publike atë ditë dhe qetësinë e mbledhjes. Pra, të përcaktojë vendin, orën, etj. Kaq. Por, opozita bën mirë që shpreh mirëseardhjen për liderët evropianë që do të jenë në Tiranë atë ditë. Ndërkaq, nuk duhet të shprehë siguri më tepër se çfarë mundet të kontrollojë ajo lidhur me zhvillimin e protestës. Gjithsesi, opozita kërkon të manifestojë atë ditë sepse ajo ndodhet nën presion dhe gati e përjashtuar krejtësisht nga sfera politike vendimmarrëse në Kuvend. Por, nuk është se qeveria do të qëndrojë duarlidhur.

Do t’u thotë, edhe liderëve evropianë se këta që protestojnë janë kundër jush, dhe ata nuk besoj se do të impresionohen sepse protesta ka në vendet demokratike gjithashtu. Opozita do të tregojë që ka një pjesë të madhe të popullsisë që është kundra qeverisë dhe se ajo ka forca ta mobilizojë opinionin publik. Pra, llogaritë nuk duhen bërë vetëm me Edi Ramën, por edhe me Ilir Metën dhe Sali Berishën. Sa do të arrihet, nuk jam në gjendje të them. Skenari më i rëndë do të ishte nëse midis protestuesve dhe forcave të Policisë do të kishte përplasje. Në këtë rast, skenari nëse dilte nga dora do të sillte rreziqe të paparashikuara.

A kemi një PS të kriminalizuar së cilës i janë arrestuar shumë prej zyrtarëve të saj…?

Ka pushtetarë të kriminalizuar. Një parti politike përbëhet nga lidershipi i saj, nga përfaqësuesit shtetërorë të saj, nga drejtuesit në bazë, nga militantët, nga elektorati. Unë nuk e them kurrë që e gjithë Partia Socialiste është e kriminalizuar. Pastaj ç’u pa? Është e natyrshme të hamendësohet që abuzuesit duhet të jenë jo pak, të privilegjuarit jo pak.

Pse nuk ndalojnë pagesat për inceneratorët apo rilindjen urbane? Ku po shkojnë paratë e shqiptarëve?

Nuk e di ku po shkojnë. Them që aq sa është provuar dhe denoncuar kërkohen veprime të shpejta për të vendosur para drejtësisë abuzuesit, hajdutët, grabitësit!

A ka të drejtë Sali Berisha kur thotë se Edi Rama do të bëhet më i pasur se investitor Alabbar-i?

Nuk është ky problemi që më shqetëson, sa i pasur ose jo i pasur është dhe bëhet ky apo ai. Problemi është a ka abuzime apo jo? A ka transparencë financiare apo jo, a i shërben projekti i Portit ekonomisë dhe shqiptarëve apo jo!

Çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti?

Vetëm, vetëm, vetëm vota e lirë! Asgjë tjetër! Dhe ndonjë sugjerim nga jashtë, nëse do të kishte! Një pushtetar në Shqipëri varet në fund të fundit vetëm nga një fjali e shkruar kundër tij atje ku duhet, pra jashtë vendit. Pra, vota dhe kjo fjalia që ju thashë!

A është e gatshme opozita që të vijë në pushtet?

Nuk është fjala a është e gatshme për të ardhur në pushtet apo jo. Sepse aty shumica e politikanëve të saj kanë qenë në pushtet. Ka një pjesë të deputetëve të ish opozitës që janë në kundërshtim me vullnetin e elektoratit opozitar, por sot ata nuk kanë asnjë forcë politike që të dëmtonte pjesën tjetër. Zero. Puna është nëse opozita vjen dot apo jo sot në pushtet, si do të vijë pa ardhur zgjedhjet?! Dhe çfarë projektesh do të vejë në zbatim nëse do të vinte?

Opozita ka vetëm një rrugë: Të mendojë për qytetarët, jo për vete! Nuk duhet të mendojë që rëndësi ka ndryshimi i pushtetit, dhe jo i qeverisjes. Nuk mjafton denoncimi i abuzimeve sepse duhet provuar gjithashtu dhe bindur elektorati se nuk do të ketë abuzime nëse ajo vjen në pushtet. Kjo nuk është çështje vullnetesh individuale, ti je burrë i keq, unë jam burrë i mirë!, por kërkon reforma të thella kudo në ekonomi, politikë, kulturë, arsim, politika sociale, etj. Një program të tillë tërësor opozita ende nuk e ka elaboruar.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *