Intervista/ Basha: Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve u kërkuan me ngulm nga Berisha. Nuk mund të kthejë PD në bunker për interesat e veta








Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha dje se djegia e mandateve të opozitës dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore të 2019-ës janë kërkuar me ngulm nga Sali Berisha.

Lulzim Basha

Në një intervistë ekskluzive me drejtorin e Përgjithshëm të “News 24”, Robert Rakipllari, zoti Basha iu përgjigj akuzave të Sali Berishës nga “Foltoret” e tij, ndërsa tha se PD-ja nuk do të kthehet në një lëvizje “dumbabiste” për interesa të ish-kryetarit të saj, i cili sipas Bashës nuk e ka luftën me të, por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Z. Basha, procesi politik i “Foltores” ka arritur pas dy muajsh në një stad të ri. Z. Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë se kanë dorëzuar 4200 firma të delegatëve të Kuvendit Kombëtar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka. Cili është qëndrimi juaj si kryetar i PD-së?

Z. Rakipllari, ky është një moment shumë i rëndësishëm për PD-në, për mua personalisht dhe këtu nuk bëhet fjalë për letra, por për demokratët, për të gjithë demokratët, për anëtarët e PD-së, për votuesit tanë dhe për shqiptarët që na ndjekin. Për mua nëse aty ka 5 – 50 apo 500 firma të vlefshme, nuk janë firma, nuk janë letra, por janë demokratë dhe është detyra ime si kryetar i PD-së, të garantoj të gjithë që secila prej tyre të verifikohet sipas statutit, që është libri themeltar që mban bashkë demokratët.

Është Kushtetuta që kanalizon vullnetin e çdo demokrati, mbron të drejtat e çdo demokrati është ajo që mundëson funksionimin e PD-së, si një parti demokratike si kudo në planet. Pa funksionimin e statutit jemi në xhungël. Ndaj është e domosdoshme për mua dhe për çdo demokrat që çdo përcaktim statutor për thirrjen e Kuvendit të respektohet, përndryshe nuk është Kuvend, është një thirrje në mal apo në pyll, por vetëm Kuvend jo. PD-ja ka vepruar dhe vepron në bazë të statutit. PDja nuk është nën drejtimin tim dhe nuk do të jetë një lëvizje “dumbabiste”.

Ndaj është jetike që të gjitha përcaktimet statutore që janë të qarta dhe janë shpjeguar këto dy ditë në mënyrë shteruese nga institucionet e partisë të zbatohen, përtej kësaj dua të them që mbajtja sekret institucioneve të partisë atyre që pretendohen se janë vullnete demokratësh për të thirrur vullnetin kombëtar është një fyerje e madhe për çdo demokrat.

Prej 9 shtatorit, kur ju keni ndërmarrë aktin e pezullimit të ish-kryetarit Berisha nga Grupi Parlamentar i PD-së, ju keni bërë komente të shkurtra ose nënvizime, por nuk keni bërë një kundërfushatë ose nuk i jeni përgjigjur fushatës së “Foltores”. Pse keni zgjedhur këtë strategji? A ju shqetësojnë përmasat e procesit politik “Foltorja” në çdo nivel, duke filluar nga anëtarë të grupit tuaj parlamentar, disa prej figurave historike të partisë dhe ish-drejtues lokalë në rrethe?

A jam unë i shqetësuar, për PD-në?! Jam shumë i shqetësuar për PD-në! Jam shumë i shqetësuar për demokratët dhe koha do ta provojë se pse aktet dhe veprimet e mia përfshi qëndrimet e mia të këtyre dy muajve kanë qenë pikërisht për interesin më të mirë të demokratëve dhe të PD-së.

Më kanë akuzuar dhe vijojnë të më akuzojnë se një nga të metat e mia qenka se jam shumë i arsyeshëm. Sigurisht, jam shumë i arsyeshëm. “Foltorja” i është mbivendosur aksionit më të madh politik që ka ndërmarrë PD-ja, për çlirimin e zgjedhjeve dhe për dhënien fund mosndëshkueshmërisë së korrupsionit dhe të lidhjeve të politikanëve me krimin, në formën e ndryshimeve kushtetuese dhe të aksionit opozitar në Parlament dhe mos harroni në përballjen e përditshme me Edi Ramën.

Ky është prioriteti kryesor i PD-së, i demokratëve dhe imi si kryetar i saj. Sigurisht që ka bërë edhe një zgjedhje për të mos hapur një front të dytë me luftën brenda llojit siç bëri Berisha, për të mos çuar një rrëke tjetër uji në mullirin e Edi Ramës, siç po bën Sali Berisha. Nuk mund mos ta them që ka patur edhe një arsye vetjake.

Unë kam patur një marrëdhënie të ngushtë me Sali Berishën dhe duhet ta them se jam stepur nga sulmet e pacipa, nga spekulimet e gënjeshtrat që ka hedhur. Por, siç më ka thënë një demokrat i vjetër, që ta njohësh plotësisht Sali Berishën duhet ta kesh përballë, dhe unë kam patur një fashë para syve.

Sot, nuk e kam më. Sa i përket “Foltores”, rrëke të ndryshme njerëzish. Ka demokratë që shkojnë të dëgjojnë, ka të pakënaqur me mua, kundërshtarë të mi brenda PD-së, i respektoj të gjithë, por ka një shumicë përfituese njerëzish që prej 8 vitesh qeverisjes së PD-së kanë shkelur dhe abuzuar me sakrificat e demokratëve dhe tani shkojnë me lugë në brez, duke shpresuar se do të zënë radhën për banketin që do të vijë që përsëri mbi sakrificat e demokratëve të majmen, të pasurohen të abuzojnë me pushtetin pa asnjë përfillje për sakrificat e tyre, duke sjellë kosto të larta për Partinë Demokratike në qeverisjen e mëparshme dhe në opozitën 8-vjeçare. Dhe dua t’ju them se koha e tyre ka mbaruar. Koha e tyre nuk do të vijë më.

Ju para dy muajsh vendosët që ta pezullonit z. Berisha nga Grupi Parlamentar i PD-së, pas kërkesës nga SHBA-ja dhe vendimit të Sekretarit Blinken për ta shpallur atë “non grata”. Me këtë fushatë dymujore të z.Berisha kundër jush dhe paralajmërimeve të tij për të mbledhur Kuvendin e për të kandiduar për kreun e PD-së, a mendoni se është i mjaftueshëm akti juaj i pezullimit?

E kam shpjeguar qartë kontekstin e pezullimet të Berishës nga Grupi Parlamentar. Me atë që ka bërë këto dy muaj ka treguar qartë se atë që e ka nisur si lëvizje për gjoja demokraci, e ka sebep. Hakmarrje ndaj meje, mund ta them me gojën plotë.

Ai se ka luftën me mua as për demokracinë e brendshme të PD-së, por me SHBA-në. Vendimi ka ardhur nga SHBA-ja, e cila e ka përcaktuar si “non grata”, të padëshirueshëm politikisht. PD-ja nuk mund të jetë dhe nuk mund të funksionojë si mburojë për një person të shpallur “non grata”, cilido qoftë ai.

Askush s’mund të marrë dhe të kthejë PD-në si një bunker për interesat e veta. Ky është qëndrimi statutor i Partisë Demokratike. Kjo ka qenë edhe kur Berisha ishte kryetar i PDsë. Nuk është detyrimi im si kryetar i zgjedhur me “një anëtar, një votë”. Ky është detyrim i çdo demokrati që mos të lejojë që Partia Demokratike të përdoret si mburojë pas së cilës të fshihet kush është shpallur “non grata”.

Ai po përdor Partinë Demokratike, ose një pjesë të saj si mburojë ndaj SHBA-së. Unë dua t’jua them fare qartë se do të merret çdo vendim që është i nevojshëm që PD-ja mos të kthehet në një bunker të interesave personale as të Berishës, as askujt tjetër. Por, do të vazhdojë të jetë alternativa e vetme e shqiptarëve ndaj këtij regjimi dhe në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Z. Basha, pozita ku u gjendet ju në 9 shtator është pa të ngjarë, pasi nga njëra anë ju në këto 8 vite në opozitë keni pasur si kartë morale dekriminalizimin e politikës dhe keni kërkuar largimin nga politika të të shpallurve “non grata” nga SHBA-ja, ndërsa u përballët vetë me një kërkesë nga SHBA-ja me liderin historik të PD-së, si i shpallur “non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Pse e ndërmorët vetë këtë akt dhe nuk e shtruat në forumet e PD-së për ta bërë më legjitim vendimin?

Jam një kryetar i zgjedhur sipas statusit me parimin një anëtar një votë. Ky nuk është privilegj, por përgjegjësi. Përgjegjësia që merret nga anëtarësia, është që lidershipi të marrë vendime të tilla, të bazuara në statut dhe rregullore, të miratuara kur Berisha ka qenë anëtar i PD-së.

S’mundet kurrsesi që të ishte një akt lidershipi që të vendosja cilindo forum të Partisë Demokratike, kryesi, para zgjedhjeve që nuk është zgjedhje mes SHBA-së dhe Sali Berishes. Është barra e lidershipit, është arsyeja se pse demokratet e zgjedhin kryetarin me një anëtar një votë dhe çdo gjë është e bazuar në rregulloren e Grupit Parlamentar që është miratuar në 2018- ën ku zoti Berisha ishte anëtar.

Ju përmendet statutin kur u fol të 4200 firmat që ata pretendojnë që janë dorëzuar. A është i mbështetur në statut përjashtimi i Berishës nga Grupi Parlamentar?

Akti që kam ndërmarrë është në përputhje të plotë me detyrimet statutore të kryetarit të Partisë Demokratike në raport me orientimin euroatlantik të partisë dhe në rregulloren e Grupit Parlamentar. Këto janë fare të qarta dhe do të ishte e mjaftueshme për ata që s’e njohin që vetëm të reflektoheshin dhe të pasqyroheshin nga media. Sepse rregullorja e Grupit Parlamentar është miratuar në kohën kur zoti Berisha ishte anëtar në 2018-ën.

Por, përtej kësaj përtej kësaj pyetjeje, dua të theksoj se t’i kërkosh kryetarit të zgjedhur me një anëtar një votë mos ta mbajë këtë përgjegjësi në momentin më të rëndë, ndër më të rëndët në historinë 30-vjeçare të Partisë Demokratike, por ta heqë nga vetja dhe t’i detyrojë anëtarët e Partisë Demokratike në çdo nivel qofshin të zgjedhin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Sali Berishës do të ishte një mungesë e dënueshme lidershpipi. Do të ishte një braktisje e përgjegjësive dhe e detyrave që anëtarët më kanë votuar me një anëtar, një votë.

Z. Berisha dhe mbështetësit e tij në “Foltore” ngrenë dy shqetësime kryesore për PD-në përtej aktit tuaj të pezullimit. Së pari, me ju kryetar PD-ja njeh vetëm humbje, pra ju nuk jeni një kandidat fitues përballë Ramës dhe së dyti, ju i merrni vendimet vetë, pa pyetur forumet e PD-së. Cila është e vërteta e disa prej vendimeve tuaja të mëdha në opozitë, si djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale të vitit 2019, marrëveshja e 5 qershorit 2020. A ka pasur një dualizëm me Berishën në drejtimin e PD-së dhe sa ka ndikuar ai në këto vendime nëse ka ekzistuar? Pse Berisha i konteston tani këto vendime dhe ju akuzon juve, ndërsa ju ka mbështetur kur këto vendime janë marrë?

Pikë së pari, dua ta them qartë sepse është një fakt i ditur publikisht që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejtë për Bashkinë e Tiranës. Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them.

Ka qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën. Gjate këtyre viteve ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale me Partinë Demokratike.

Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gjerësisht perceptohej një dualizëm në Partinë Demokratike. Protagonizmi i Sali Berishës merrte trajtat nga ana e perceptimit publik të një dualizmi në vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Sigurisht, kam edhe unë përgjegjësitë e mia.

Ai duhet të ishte larguar vetë, duhet të kishte lënë Partinë Demokratike, kryetarin e zgjedhur të hapnin rrugën e re që hap çdo parti e re në opozitë, por edhe unë kam përgjegjësitë e mia në lejimin e këtij dualizmi. Për vendimet që janë marrë mund t’ju them fare qartë dhe këto janë të arkivuara dhe mund të nxirren nga çdo arkiv mediatike që janë vendime të konsultuara me të gjitha forumet e Partisë Demokratike dhe në rastin e vendimeve që ju përmendët vendime të kërkuara me ngulm nga Sali Berisha.

Zoti Basha, ju ndërmorët një vendim për ta pezulluar liderin historik të Partisë Demokratike Sali Berisha me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, ka një perceptim të gjerë në opinionin publik se politika e Departamentit të Shtetit kanë qenë në favor të Kryeministrit Rama, i cili i ka zgjeruar pushtet e tij, duke nisur nga pushteti lokal dhe Reforma në Drejtësi. Si do i komentoni këto zëra?

Së pari, unë nuk e komentoj vendimin e SHBA-së. Së dyti, di t’ju them siç e keni pasqyruar gjatë gjithë kësaj kohe, kam komunikuar dhe kam vizituar nga një numër i lartë zyrtarësh të Senatit dhe Kongresit amerikan, përfaqësues të të dy partive kryesore, partisë në pushtet dhe Partisë Republikane dhe kam konstatuar se s’ka asnjë dallim mes dy forcave politike sa i takon qëndrimit të SHBA-së ndaj pandëshkueshmërisë. S’kam konstatuar asnjë qëndrim ndryshe sa i takon hapit të marrë në raport me shpalljen “non grata” të zotit Berisha.

Në vazhdim të këtij perceptimi dhe të pretendimeve të zotit Berisha, ky vendim sipas tij dhe një pjese të opinionit publik që e mbështesin është marrë nga Departamenti i Shtetit i lobuar nga multimiliarderi George Soros dhe Kryeministri Rama për të fragmentuar opozitën në Shqipëri dhe për ta dobësuar atë. Në planin afatshkurtër kjo po duket PD-ja sot është e përçarë. Ju si do t’i përgjigjeshit këtij perceptimi.

Edhe njëherë vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një vendim që nuk e komentoj, ndërsa qëndrimet e zyrtarëve të dy partive kryesore kanë qenë në unison.

Për Shqipërinë në fokusin e tyre është dhënia fund e pandëshkueshmërisë dhe nuk ka patur asnjë qëndrim ndryshe nga ata zyrtarë të lartë, senatorë, kongresmenë republikanë në raport edhe me shpalljen e zotit Berisha “non grata”. Nuk e di se cilit qëndrim i referohet zoti Berisha ku shprehet se ka qëndrime të ndryshme. Sepse qëndrimet zyrtare të përfaqësuesve zyrtarë të Kongresit të Senatit dhe të administratës amerikanë kanë qenë në unison.

Në librin tuaj, “Misioni im”, ju e keni kundërshtuar konceptin e vrasjes së babait. Madje keni shtjelluar më tej se kjo nuk është në traditën partive të djathta vrasja e babait, por është një akt i partive të majta. Në fakt, akti që ju morët me zotin Berisha me pezullimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike a nuk është një vrasje e babait tuaj politik? Dhe si do t’i përgjigjeshit akuzave të zotit Berisha në planin personal që ju jeni besëprerë me këtë akt?

Nëse ka një njeri në pozitat e një drejtuesi partie që nderon trashëgimi politike dhe respekton paraardhësin në gjirin e partive popullore europiane apo kudo në planet ky jam unë. E kam treguar këtë duke treguar vlerat më të mira konservatore dhe traditën më të mirë të konservatorizmit shqiptar dhe konservatorizmit politik.

E kam bërë në nderim të gjërave pozitive që Sali Berisha dhe ekipi i tij, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë, ka bërë për Shqipërinë. Sigurisht, duke tejkaluar edhe pjesët negative për të cilën kemi paguar koston tonë sa herë që jemi votuar nga shqiptarët për të dalë në opozitë.

Kam vazhduar ta bëj këtë edhe kur kishte thirrje publike për linçimin e tij. Dhe e kam bërë edhe në momentin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë presionin maksimal për largimin e tij nga Partia Demokratike dhe largimin e tij nga Parlamenti, duke vendosur pezullimin e tij nga Grupi Parlamentar pa e larguar as nga Partia Demokratike, as nga parlamenti deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Shtete e Bashkuara të Amerikës, me partnerin strategjik të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë. Kjo besoj se e shpjegon fare qartë qëndrimin tim, qëndrim që më mirë se kushdo e ka patur të qartë Sali Berisha, qëndrimet e të cilit ndryshojnë si nata me ditën, si e bardha me të zezën.

Deri para 9 shtatorit isha lideri më i mirë i Partisë Demokratike. Ndonjëherë, ka tejkaluar edhe vetën e tij në atë moment. Isha kandidati më i mirë për Kryeministër, isha njeriu që në jetën time kisha realizuar gjëra që Edi Ramës do i duheshin 3 jetë për t’i realizuar. Çfarë ndryshoi pas 9 shtatorit? Qëndrimi im si kryetar i Partisë Demokratike në interesin më të mirë të demokratëve dhe në interes të së nesërmes së Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë për të pezulluar Sali Berishën. Duke respektuar kështu dhe duke konkretizuar kështu angazhimin e tij që nuk do të përfshinte Partinë Demokratike dhe Grupin Parlamentar në betejën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një vendim që duhet ta merrte vetë siç kam kërkuar që ta merrte vetë. Në momentin që Sali Berisha nuk i qëndroi premtimit të bërë publik që nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike dhe as Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike në Betejën me Shtete e Bashkuara të Amerikës përkundrazi nis një betejë ku përfshiu tërësisht Partinë Demokratike.

Pa pikë diskutimi që ka qenë minimumi i vendimit që duhej të merrja me përgjegjësitë e mia si kryetar i zgjedhur me një anëtar një votë, me votë plebishitare në respekt të sakrificës së demokratëve. Sa i përket besëprerjes që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë nga Sali Berisha këto 2 muaj, nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cenohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo!

Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që ai ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës de njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund ta quajmë besën që kemi lidhur me njëri-tjetrin dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cenoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet personale të Sali Berishës.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.