Intervista/ Bozo: Mund të ketë ministra të korruptuar, por SPAK duhet të hetojë! Rikthimi i PD-së në pushtet me Berishën në krye? Deputetja e PS-së: Vetëm nëse…






VALENTINA MADANI/ Inxhinierja që u mor gjithë jetën me themelet e ndërtimeve, kohë më parë u shndërrua në një portret familjar, duke qetësuar shqiptarët me daljet e saj në një situatë të vështirë për ta, siç ishin tërmetet. Por një tjetër tronditje ka pasuar së fundmi jetesën e qytetarëve teksa po përballen me krizën e çmimeve.

berisha bozo parlamentLuljeta Bozo tashmë pjesë e politikës apelon shqiptarët që mos të humbasin shpresën, por të kuptojnë situatën e imponuar nga lufta në Ukrainë. Deputetja e PS-së thotë për gazeta “Ponarama” se ata janë të mbrojtur nga qeveria “Rama” dhe se nuk ka vend për panik dhe pasiguri. Znj.Bozo vlerëson punën e Kryeministrit Edi Rama në krye të qeverisë, ndërsa PD-në e sheh në pushtet vetëm kur ta votojnë shqiptarët pa e lidhur domosdoshmërisht me drejtimin nga Sali Berisha. Luljeta Bozo flet për krizën energjetike, akuzat ndaj pushtetarëve të përfshirë me aferat korruptive, zgjedhjen e Presidentit të ri dhe mundësinë e ndryshimeve në qeveri.

Znj. Bozo, gjithë jetën u morët me themelet e ndërtimit dhe rezistencën e tyre ndaj tërmeteve, duke i qetësuar shqiptarët në momente tepër të vështira për ta. Shqiptarët këtë herë kanë pësuar një tronditje tjetër, një kaos ku gjithsecili kërkon siguri. Si mund të arrihet kjo? Si mund të bëhen themelet më të sigurta për jetesën e tyre…?

Në këtë rast në të gjithë nuk duhet të humbasim sigurinë. Të mos na hyjë paniku, të mos humbasim shpresën, si dhe të kuptojmë situatën drejt si një gjendje e imponuar siç është lufta. Vetëm duke punuar, duke kursyer e duke qenë të bashkuar do ta përballojmë të gjithë.

Kryeministrin Rama dhe ministrat i kemi parë të hyjnë vet në markete dhe furra buke për të monitoruar çmimet e larta. Si i shikoni skenarët e qeverisë për të frenuar këtë rritje?

Me duket se qeveria po bën gjënë e duhur, pasi ka marrë masa për të mbrojtur në përgjithësi, biznesin e vogël dhe shtresën në nevojë që janë gjysmë milionë. Qeveria po i mbron me shtesa me 30 mijë lekë në muaj duke mbajtur çmimet e biletave e transportit urban dhe interurban të paprekura nga çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël në një kohë kur në të gjitha vendet janë kapërcyer përpjetë. Masë tjetër është indeksimi i pensioneve sipas shkallës së inflacionit, duke rritur pagën minimale, duke dhënë naftën pa pagesë për fermerët, duke hequr të gjitha tatimet nga biznesi i vogël, duke përgjysmuar tatimin mbi pagën nga 40-50 mijë lekë, duke rritur pagën minimale etj. Këto janë masa që lehtësojnë popullsinë për të përballuar gjendjen.

Ndërkohë që vazhdon tendenca për rritjen e çmimeve, rrogat e qytetarëve qëndrojnë në vend, duke e vendosur popullatën, krahas një krize ekonomike edhe në një rëndesë të madhe psikologjike. A mjafton paketa sociale e qeverisë për t’i lehtësuar ata…?

Rrogat nuk mund të ngrihen me sustë. Duhet të rritet prodhimi që ato të rriten. Popullatës më tepër ia sigurojmë ne frikën dhe rëndesën psikologjike. Populli ynë ka kaluar me durim situata më të vështira, me aftësi krijuese të pashoqe dhe me energjinë pozitive që e karakterizon. Nuk e sheh çdo gjë zi, por me ngjyrë. Me paketën sociale, situata zbutet, por aq janë dhe mundësitë. Nëse njerëzit shohin mundësi të tjera reale duhet menjëherë t’i shfaqin këto mundësi dhe t’i përcjellin në instancat përgjegjëse. Asnjëherë jo vetëm te ne po në të gjithë botën masat që marrin qeveritë nuk plotësojnë të gjitha kërkesat e njerëzve dhe populli që është filozofi më i madh thotë: “Shtri këmbët sa ke jorganin”. Këtë po bën qeveria me sforco shumë të madhe dhe kjo duhet mbështetur nga të gjithë. Gjendja do të jetë më stabël nëse gjithë populli nuk rri indiferent ndaj spekulatorëve e atyre që duan të përfitojnë maksimalisht edhe në situata të vështira. Nga ana tjetër, duhen sqaruar më mirë njerëzit për mënyrën se si del çmimi i produktit apo mallit në treg.

Përse në kohën e diktaturës Shqipëria prodhonte energjinë elektrike, ndërsa tani jo…? Si zgjidhet kriza energjetike?

Së pari, sepse para ‘90-ës ne kishim ekonomi të centralizuar dhe të komanduar plotësisht nga shteti dhe shfrytëzohej në mënyrë shumë racionale ajo hidroenergjetike dhe nga termocentralet për naftën dhe gazin e vendit. E dyta, sepse kërkesat nga konsumatorët ishin minimale ngaqë bëheshin shumë investime të mëdha në energjetike sipas nevoja të zhvillimit ekonomik të vendit. Sot, ne jemi në ekonominë e tregut, të cilën akoma nuk e njohim me gjithë detajet e veta, por mund të themi se nga kjo qeveri po bëhen investime strategjike për energjinë qoftë me fillimin e Skavicës, qoftë me energjinë e përfituar nga dielli dhe nga era. Të gjitha janë energji ekologjike. Me ndërtimin e këtyre parqeve fotovoltaike vendi ynë arrin të prodhojë të gjithë energjinë që i duhet, edhe të eksportojë. Në këtë mënyrë vendi fiton pavarësinë energjetike.

Në mandatin e tretë qeverisës a po e përdor pushtetin Kryeministri Edi Rama për të forcuar edhe më tepër dozën e autoritarizmit…?

Jo. Vendosmëria e Edi Ramës për të zgjidhur problemet me çdo kusht ngatërrohet me autoritarizëm. Është një fakt që Kryeministrin, njerëzit e pëlqejnë shumë, sepse çka thënë e ka bërë. Ai e mban fjalën dhe i del për zot asaj që thotë.

Pse kaq shumë akuza ndaj qeverisë për krim dhe korrupsion? A besoni se ka ministra dhe deputetë të përfshirë në afera korruptive?

Besoj jo në llafe, por në fakte. Nëse ka të tillë dhe mund të ketë, këto veprime nuk janë të fshehura, por janë reale. Janë me fakte dhe për këto gjykojnë organet e drejtësisë.

Një nga aferat e mëdha korruptive është edhe ajo e inceneratorëve, të cilën PD-ja e ka dërguar për hetim në SPAK përmes 7 padive. I kallëzuar është edhe Kryeministri Rama. Si e shikoni aferën 430 milionë euro sipas PD-së të një grupi të strukturuar kriminal?

Afera 439 milionë u sqarua në Komisionin Hetimor dhe në Kuvend nga ku doli që ajo nuk ishte e vërtetë. Për të u përgjigj edhe Kryeministri. Kjo aferë ishte e fryrë. Nuk ishte e tillë ndaj duhet të presim SPAK-un që të japë përgjigje për 7 paditë e bëra nga PD-ja. Që sot (dje), SPAK-u ka filluar të japë përgjigje për 7 zyrtarë, të cilët do të gjykohen. Hetimi do e sqarojë nëse janë fajtorë apo jo. Gjykata jep dënimin, nëse janë të përfshirë në aferë.

A duhen bërë ndryshime në qeveri?

Atë e di Kryeministri. Ai zgjedh dhe modifikon skuadrën e vet për të arritur objektivat që i ka vënë vetes, për të realizuar programin që u prezantoi shqiptarëve. Ky program modifikohet vazhdimisht në varësi të situatave, në varësi të kërkesave të qytetarëve ku një instrument shumë i fuqishëm është edhe Këshillimi Kombëtar, i cili jep mundësi që të hartojë politika të drejta.

Pse kaq e vështirë për PS-në që të qeverisë me njerëz të papërfolur për krim dhe korrupsion?

Nuk e di se kush janë këta njerëz. Mund të ketë tek-tuk, një, dy apo tre, por nuk janë të gjithë të përfshirë. PS-js është një forcë aktive, krijuese e lidhur ngushtë me hallet e shqiptarëve dhe kur është bërë fjalë për korruptuar, PS-ja është distancuar menjëherë.

Si i shikoni zhvillimet brenda PD-së, gjendjen ku ndodhet sot opozita, përplasjet e së cilës arritën deri në Kuvend?

Kjo është një çështje e brendshme e Partisë Demokratike. Ajo që mund të them unë është se jam e bindur se PD-ja do të dijë t’i zgjidhë vet problemet e saj.

Bashkë me z. Berisha ju jeni dy deputetët më të moshuar të Kuvendit. Si e keni përcjellë kërkesën e SHBAsë për largimin e tij nga Parlamenti?

SHBA-ja që ka marrë atë vendim, ka pasur arsye shumë të forta, nuk e diskutoj, aq më tepër për një person që ka drejtuar për aq vite vendin. Nëse duhej të hynte apo jo në Parlament kjo varej nga dëshira e personit vet. Atë e ka votuar populli, ndaj asgjë nuk mund ta pengonte hyrjen e tij në Kuvend.

Pavarësisht se e ardhmja politike e Sali Berishës mund të jetë trazuar kohët e fundit, a besoni se ai mund ta rikthejë PD-në në pushtet?

Partia Demokratike do të kthehet në pushtet vetëm atëherë kur shqiptarët do të vendosin me votën e tyre.

PS nisi procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit…

Po. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PS-së u fol për fillimin e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, u dhanë edhe porositë për secilin deputet. Procesi i nisur është shumë demokratik dhe brenda afateve kushtetuese.

Në ç’kuptim është proces shumë demokratik…?

Do të merret mendimi i secilit deputet, duke argumentuar pse po i propozon tri emra. Sepse në mbledhjen e grupit iu kërkua çdo deputeti që të propozojë nga tri emra kandidatësh, duke shpjeguar dhe arsyet pse ka zgjedhur ata emra. Në këtë mënyrë mundësitë e përzgjedhjes së kandidatëve janë më të shumta.

Pasardhësi i Ilir Metës në krye të Presidencës mund të jetë edhe një grua…?

Nuk është fare çudi që mund të jetë edhe grua. Në Shqipëri është vërtetuar që kur në krye të punës kanë qenë gratë, kanë funksionuar me mirë gjërat. Një gjë e tillë është parë në Kuvend dhe në qeveri. S’ka qeveri në botë që ka kaq shumë gra në vendimmarrje. Edi Rama e di këtë vlerë të gruas dhe ka pasur sukses, sepse e ka realizuar edhe si kryetar bashkie, edhe në qeveri por edhe qoftë si kryetar i Partisë Socialiste. Gruaja ka disa cilësi të veçanta që duke qenë nënë, është më arsyetuese dhe përcjellë më shumë energji pozitive. Duke qenë më e ngarkuar është më racionale sesa burrat. Gruaja është shumë më e përgjegjshme për detyrën që i caktohen.

…Kush grua mund të jetë e tillë?

Ka plot, por nuk mund të përmend emra konkretë për presidente.

Nëse do t’jua propozonin juve postin e presidentes, do ta pranoni?

Nuk dua të flas për këtë. E përmenda se ka plot emra që janë të denja për një detyrë si ajo e kreut të shtetit, madje do ta bënin shumë mirë…

Mendoni se duhet edhe konsensusi i opozitës për pasardhësin e Metës?

Sigurisht, zgjedhja e presidentit edhe me konsensusin e opozitës do ishte një gjë shumë e mirë. PS-ja është e gatshme të diskutojë me grupet parlamentare.

A jeni penduar që u bëtë pjesë e politikës?

Nuk e di, por di një gjë tjetër të sigurt, se sa të kem frymë do të jap kontributin tim për vendin tim pa asnjë hezitim. Eksperiencën time do ta vë në interes të qytetarëve shqiptarë.

Kjo do të thotë që nuk do të ndaloni aktivitetin tuaj politik…?

E kush e tha këtë…(qesh).

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.